×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    BE-ja kërkon konfidencialitet në dialog, zgjedhje të reja në veri e Asociacion – masat mbeten në fuqi

    Insajderi
    19 September 2023 - 09:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bashkimi Evropian ka reaguar për takimin e 14 shtatorit në Bruksel mes Kosovës e Serbisë, ku u kërkoi palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive për procesin e dialogut.

    Përmes një komunikate, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin e saj për mungesën e zbatimit të marrëveshjes bazike dhe aneksin e saj, ku thuhet se “kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili përfshin detyrimin për të zbatuar plotësisht të marrëveshjet e kaluara të dialogut dhe se puna për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm”.

    “BE-ja u kujton palëve përgjegjësinë e tyre për të respektuar parimin e konfidencialitetit në dialog, i cili është një komponent kyç i çdo procesi negociator të ndjeshëm politik.

    “BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që la të plagosur qytetarët, trupat e KFOR-it, forcat e rendit dhe përfaqësuesit e mediave, disa me pasoja të rënda dhe të përhershme”, thuhet në reagim.

    Më tej, Bashkimi Evropian tha se hapat e ndërmarrë deri më tani nga ana e Kosovës mbeten të pamjaftueshme dhe se situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar.

    “Në këtë kontekst, lëvizjet e Kosovës – duke përfshirë shpronësimet e tokës në veri të Kosovës, urdhrat e dëbimit, telekomunikacionin dhe përdorimin e forcave speciale të policisë për detyrat e policisë në komunitet – nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë të kontribuojnë për rritjen e mëtejshme të tensioneve”.

    “Sulmet e vazhdueshme në shkallë të vogël nga grupet kriminale dhe frikësimi i kadetëve të policisë serbe të Kosovës të saporekrutuar dhe popullatës lokale janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë. Bllokimi i udhërrëfyesit nga ana e Serbisë, si dhe përpjekjet e tjera që nuk janë në përputhje me marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj, bien ndesh me frymën e procesit të dialogut”, thuhet më tej në deklaratë, transmeton Klankosova.tv.

    Më tej, në deklaratë thuhet se kërkesat e bëra nga BE-ja më 3 qershor mbeten plotësisht të vlefshme, e po ashtu edhe masat e marra ndaj Kosovës.

    “Masat që ka marrë BE-ja mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë. BE-ja është e gatshme të heqë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme”.

    Tutje, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të gjejë zgjidhjen më të shpejtë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve në veri të vendit, transmeton Klankosova.tv.

    “Ne inkurajojmë serbët e Kosovës që të angazhohen plotësisht në procesin zgjedhor dhe të deklarojnë publikisht pjesëmarrjen e tyre të pakushtëzuar”.

    “BE-ja u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin që çon në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës, të shmangin hapat e mëtejshëm përshkallëzues dhe të mbështesin përparimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, thuhet në komunikatë.

    Ndërsa, rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë, sipas Bashkimit Evropian, kalon nëpër dialog të lehtësuar nga BE-ja nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të të dy vendeve.

    “Të dy vendet rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët e tyre evropiane”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark