×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    BE-ja miraton statusin e vendit kandidat për Bosnjën

    Insajderi
    13 December 2022 - 13:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Këshilli për Çështje të Përgjithshme i BE-së ka miratuar dhënien e statusit të vendit kandidat për Bosnjë e Hercegovinën.

    Radio Evropa e Lirë ka mësuar se ministrat që janë përgjegjës për çështje evropiane, gjatë takimit, që ende po vazhdon, veçse kanë miratuar konkluzionet ku thuhet se Bosnjë e Hercegovinës do t’i jepet statusi i vendit kandidat me konfirmimin e Këshillit Evropian”.

    Ky vendim i ministrave do të konfirmohet nga krerët e qeverive anëtare të BE-së gjatë samitit që do të mbahet të enjten, më 15 dhjetor.

    “Në kontekstin aktual gjeopolitik, Këshilli i BE-së thekson urgjencën që shteti të ecë përpara në rrugën drejt BE-së, veçanërisht përmes përmbushjes të 14 prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit të BE-së, që janë identifikuar në opinionin e Komisionit Evropian për aplikimin e Bosnjë Hercegovinës për anëtarësim në BE, të miratuar në Këshill më 2019”, u tha në dokumentin e konkluzioneve.

    Në tetor, Komisioni Evropian rekomandojë dhënien e statusit kandidat dhe anëtarësimin e plotë të Bosnjës në BE, por tha se shteti duhet të përmbushë disa kritere.

    Në mesin e kritereve të vendosura për Sarajevën ishin miratimi i ndryshimeve në ligjet për gjykatat dhe prokuroritë, miratimi i një ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, ndërmarrja e hapave konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe sigurimi i funksionimit të disa mekanizmave për përshtatjen e programeve kombëtare me ato të BE-së.

    Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova ende nuk ka statusin e vendit kandidat. Prishtina ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të aplikojë për anëtarësim në BE.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark