Besnik Tahiri vazhdon të jetë aktiv në fushatën për deputet. 5-shi i AAK-së ka vizituar qendrën tregtare “Albi Mall” ku ka takuar biznese dhe punëtorë të lëmive të ndryshme.
Gjatë takimit, Tahiri ka prezantuar planin për ringjallje ekonomike.
“Qëndrimi sa më afër bizneseve, e sidomos në këtë kohë pandemie, është misioni më fisnik dhe përgjegjësi institucionale. Mbështetja ndaj bizneseve e prodhuesve duhet të jetë në vazhdimësi, për avancimin e situatës në zhvillimin socio-ekonomik.
Në këtë frymë, në Qendrën tregtare “Albi Mall”, në Prishtinë shpërndava programin e Aleancës, që pjesën më të fortë e ka pikërisht atë ekonomik.
Gjatë bisedës me bizneset dhe duke dëgjuar nga afër për sfidat me të cilat ballafaqohen, prezantova fondin për ringjallje ekonomike.
MASAT E PROPOZUARA
Ndërhyrjet publike në ekonomi ndahen në tri shtylla, me gjithsej 17 intervenime:
• Ndihmë për biznese – në formën e kredive të buta
• Ndihmë për qytetarët – në formën e transfereve
• Lehtësira fiskale – ndihmë për biznese dhe qytetarë
1.0 NDIHMA PËR BIZNESE
Qëllimi i kësaj ndihme është që të nxitet rritja e vëllimit ekonomik, të ruhen dhe shtohen vendet e punës, si dhe të mirëmbahen të hyrat në buxhetin e shtetit.
• Fondi për Rindërtim Ekonomik – 1 miliard euro
o Financohet nga paratë publike
20% Buxheti i shtetit – 200 milionë euro
10% nga Fondet e privatizimit – 100 milionë euro
10% nga Fondi i garantimit të kredive – 100 milionë euro
60% borxhi publik – 600 milionë
o Financon kredi për ndërmarrjet e sektorit privat
Grejs periudha dy vjet nga disbursimi i kredisë (kryegjëja dhe interesi)
Afati i kthimit 5-10 vjet pas grejs periudhës
Tavani i kamatës 3.5%
Kreditë menaxhohen përmes bankave komerciale
Diferenca në kamatë dhe kostoja e grej periudhës mbulohet nga Fondi.
o Orientimi i financimit
Mbështetje të zhvillimit të ndërmarrjeve prodhuese
Mbështetje të zhvillimit të ndërmarrjeve që eksportojnë (prodhim/shërbim)
Nxitje dhe mbështetje për ndërmarrje e projekte që mbrojnë ambientin
Projekte turistike si: Brezovica e Borea
Projekte për parqet teknologjike që ndihmojnë në uljen e kostove fikse për eksportues të shërbimeve digjitale
Ndërmarrjet prodhuese të ushqimit që zëvendësojnë importet
Sektorëve të ndikuar më së shumti nga pandemia, siç janë: HORECA (hotelet, restorantet, kafiteritë, etj.) dhe ai i transportit, të cilëve do t’u garantohet riprogramimi i kredive ekzistuese nëpër bankat komerciale, duke futur grejs periudhën, koston e së cilës e mbulon fondi” shkruan Tahiri në njoftim.