×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Bie pëlqimi për punën e liderëve shtetërorë, varfëria dhe papunësia problemet kryesore

    Insajderi
    28 February 2024 - 16:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sipas matjeve të fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ka rënë kënaqshmëria e qytetarëve ndaj punës së presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

    Të dhënat e anketës së opinionit të nëntorit 2023 tregojnë se mesatarisht 42.44% e qytetarëve janë të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të Kosovës, duke shënuar rënie për 3.32 pikë përqindje krahasuar me prillin e vitit 2023, kur ky numër ishte 45.76%.

    Sipas raportit qytetarët e Kosovës më së shumti janë të kënaqur me punën e presidentes Vjosa Osmani, në krahasim me krerët tjerë shtetërorë.  Megjithatë, sipas raportit ka rënie të kënaqshmërisë edhe me punën e presidentes. Sipas tyre, kënaqshmëria për punën e  presidentes Osmani ka rënë nga 60.3 në 56.2 për qind.

    Kënaqshmëria me performancën e kabinetit ekzekutiv e kapi vlerën prej 41.8% duke shënuar ulje për 4 pikë përqindje krahasuar me prillin 2023 kur ishte 45.8%. Kënaqshmëria me punën e kryeministrit  Kurti është  48.9%, duke treguar ulje për 2.6 pikë përqindje krahasuar me prillin 2023 (51.5%). Kënaqshmëria me Kuvendin ishte në vlerën prej 38.7% krahasuar me 46.4% në prill 2023.

    Një rënie pak më e lartë e kënaqshmërisë është vërejtur me Kryetarin e Kuvendit, duke e shënuar vlerën prej 52.2%, krahasuar me 58.3% në prill 2023.

    Ndërkohë, është shënuar një rritje për 0.3 pikë përqindje me punën e gjykatave (29.3%) krahasuar me nëntorin e vitit 2023 (29%), dhe për 1 pikë përqindje me punën e Prokurorisë (30%) krahasuar me prillin e vitit 2023 (29%).

    Matjet janë bërë për periudhën prill – nëntor 2023.

    Tre çështjet kryesore të raportuara gjatë kësaj ankete të opinionit ishin varfëria (28.6%), papunësia (19.2%) dhe çmimet për artikujt e domosdoshëm (8.9%). Shërbimet e kujdesit shëndetësor (8%) dhe problemet e hapësirës urbane (3.8%) ishin ndër pesë problemet kryesore të identifikuara. Përqindja e të anketuarve që e vlerësuan varfërinë si problemin kryesor madhor u rrit për 7.5 pikë përqindje, krahasuar me anketën e prillit 2023, kur varfëria (20.1%) u vlerësua si problemi i dytë kryesor. Ndërsa përqindja e të anketuarve që e shihnin papunësinë si çështjen kryesore madhore u ul për 13.5 pikë përqindje krahasuar me prillin 2023 (32.7%), sipas raportit.Reporteri/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark