×
Insajderi / Insajderi

“Bisedime të rëndësishme” – Cila ishte porosia e Escobarit në Beograd pas takimit me Vuçiq?

Insajderi
20 October 2022 - 11:53
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, të vazhdojë “në mënyrë dinamike dhe konstruktive”.

“Kjo është e rëndësishme si për qytetarët, ashtu edhe për paqen, stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm në rajon”, tha Escobar.

Ai i bëri komentet në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi Presidenca serbe.

Vuçiq, në anën tjetër, tha se ka mbajtur “bisedime të rëndësishme” me diplomatin e lartë amerikan.

Në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq tha se është biseduar “për të gjitha zhvillimet aktuale” dhe për çështjet e hapura” në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

Ai tha se ka këmbëngulur në “zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, si dhe të së drejtës ndërkombëtare.

“Serbia, si vend serioz, i besueshëm dhe i përgjegjshëm, vazhdon të luftojë për ruajtjen e popullit dhe vendit të saj, duke bërë përpjekje maksimale për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe për përparimin e gjithë rajonit”, tha Vuçiq.

Escobar po qëndron në kryeqytetin serb një ditë pas vizitës në Kosovë.

Ai pritet të takohet edhe me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Të mërkurën në Prishtinë, ai takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark