×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    ​Biznesi i turshive, gratë që me forca të veta depërtuan edhe në tregun ndërkombëtar

    Insajderi
    31 December 2022 - 11:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Me mijëra produkte në vit po prodhojnë gratë sipërmarrëse nga Kosova. Nga biznese të vogla, tashmë emri i kompanive të tyre është i njohur në shumë tregje brenda dhe jashtë vendit. Pasionin e përpunimit dhe prodhimit të produkteve ushqimore, e kanë kthyer edhe në mundësi për punësim të grave të komuniteteve. Vullnetin për punë të Valdetes, Remzijes dhe Sllobodankës nuk po e pakëson mosinteresimi i institucioneve për mbështetje. Ato rrëfejnë për KosovaPress për sfidat dhe vështirësitë e tyre gjatë viteve për t’i mbajtur në këmbë bizneset që kanë themeluar.

    Tash e pesë vjet, Valdete Sahiti nga Vitia tregton më shumë se dhjetë produkte të perimeve. Produktet kryesore që kompania “Loel” ka në treg janë turshi dhe ajvar.

    “Në përgjithësi krejt llojet e perimeve thuajse gjenden këtu në kompaninë tonë, kryesisht në veprimtarinë e kemi filluar me ajvar të shtëpisë edhe duke parë që ka kërkesa edhe për të tjera produkte, nëse ka ardhur një konsumatorë këtu në punëtori ka pyetur ‘a nuk e keni këtë, a nuk e keni këtë?’ edhe duke parë që kërkesa ka qenë e këtyre produkteve, kemi filluar edhe me këto tjera duke ndjekur trajnime, duke u konsultuar me teknologë ushqimor edhe trajnime kemi ndjekur shumë”, tregon Sahiti.

    Sahiti rrëfen se nuk ishte marrë seriozisht nga fillimi.

    “Një prej sfidave më të mëdha në fillim ka qenë ku di për shembull një femër, ani të mendohet për eksport ka qenë veç ëndërr, mirëpo gradualisht duke punuar e kemi parë që mundesh me arrit edhe një femër, për mua tash ajo tema është tabu”, thekson ajo.

    Emri i biznesit të saj është i pranishëm në disa markete të regjionit të Gjilanit.

    “Për momentin i kemi dhjetë produkte, prej të cilave krejt janë prej perimeve, veç një e kemi prej pemëve, është pestili i kumbullës… Për momentin jemi vetëm në regjion të Gjilanit, në Anamoravë kryesisht. Në Viti, lokalet këtu në fshat, në Gjilan janë tri markete. Kryesisht kemi arritur të depërtojmë se ky ka qenë viti i parë që kemi pasur të punës më të madhe edhe për atë arsyeje po shkojmë gradualisht se ndoshta nuk kemi mundur për vitin e parë me mbërri kapacitetin për më shumë”, shprehet ajo.

    Ajo kërkon nga institucionet mbështetje, meqë ka frikën se për shkak të objektit të vogël do t’i dëmtohen produktet.

    “Krejt këto produkte ne i punojmë me shumë kënaqësi edhe me shumë vullnet, mirëpo tash objekti është pak i vogël për pajisjet që kemi, kërkesa jonë e vetme, jo e vetme sepse kemi shumë derisa ne të arrijmë që të mos kemi kërkesa, mirëpo një objekt pak më i madh na duhet. Atëherë do të rritej edhe numri i punëtorëve, kërkesat e klientëve janë për produktet tona. Gjithë këto lloje, prej secilës ka kërkesa të veçanta është interesant që ka një person që vetëm një produkt e kërkon me shumicë. Por që të rritet numri i punëtorëve dhe kapacitetit të prodhimit tash së fundmi e kemi parë që hapësira është e vogël edhe ka mundësi edhe me u dëmtua jo vetëm produktet por edhe ne vet”, përfundon Sahiti.

    “Nga fara deri te kavanozat e qelqit”, quhet biznesi i Sllobodanka Kostiq nga fshati Livagja e Graqanicës. Ajo nga viti 2010 merret me veprimtarinë e prodhimit të pemëve dhe perimeve dhe konservimin e tyre në kavanoza.

    “Në fillim ishte shumë e vështirë sepse të gjithë mbetëm pa punë. Të gjithë kishim familje, i kemi pasur fëmijët të cilët është dashur t’i shkollojmë. Më pas, kam menduar shumë se në çfarë mënyre të kontribuojmë në të ardhurat e familjes sonë dhe më pas, kam filluar të mendoj për mbledhjen e specave…. Kam filluar me një serë dhe kur e pashë që ja vlen të merremi me këtë punë, atëherë jam zgjeruar në sipërfaqe më të mëdha. Tani i kam tri sera, kam kopshte/oborre. Me mua, i kam angazhuar edhe disa gra, nga rrethina, të cilat kishin dëshirë të punonin së bashku dhe së bashku kemi bashkëpunuar, i kemi shitur produktet dhe në atë mënyrë i kemi shkolluar fëmijët”, tregon ajo për KosovaPress.

    Sllobodanka, nga komuniteti serb në Kosovë, tregon se kanë një rreth të gjerë konsumatorësh, të cilët i ka klientë. Ajo ka ruajtur mirë recetat nga nëna e saj dhe shton se e ka të vështirë që bashkëpunojë me të tjerët.

    “Nga shteti nuk kemi marrë asnjë lloj ndihme, askush nuk na ka kontaktuar. Unë vazhdimisht kam shkuar në komunën e Graqanicës. Aq ka njerëz të papunë, aq ka toka të shumta në Kosovë… Produktet e mija shkojnë në Beograd, në Serbi. Kushdo që e ka provuar, më besoni kam pasur ofertë që të punojë për Zllatibor dhe Kopaonik, por për arsye se na duhen etiketat, na duhet shumëçka. Për eksport, në kufi dhe atëherë jemi të bllokuar. Nuk është ndonjë problem që nuk mund të punohet. Me këtë rast dua t’ju them edhe grave të cilat nuk mund të gjejnë punë, le të kthehen të punojnë këtë punë dhe atëherë do te shohin se si mund të jetohet nga kjo punë”, shton Kostiq.

    Edhe Remzije Taç nga Mamusha, që i përket komunitetit turk, po arrin të punësojë tash e dy vjet me dhjetëra gra të komuniteteve të ndryshme në fabrikën e turshive “Taç Produkt”.

    “Më shumë e kam pas vetë mendimin, vetë unë, te shtëpia rrinim edhe i thosha bashkëshortit je duke punuar ti atje në qendrën grumbulluese, kam qejf edhe unë me pas me një punë ose të punësohem diku. Atëherë tha po mendojmë me djemtë bisedojmë edhe ta bëjmë një fabrikë të vogël… Tash 30 punëtorë i kemi në sezon, 30 deri në 35”, shprehet ajo.

    Përkundër mungesës së mbështetjes, pronarja turke e këtij biznesi tregon se është entuziaste të vazhdojë me këtë punë.

    “Mbështetje nuk kemi pasur, veç vet unë kam pasur dëshirë që të nisë këtë punë. I thosha burrit s’ka problem, pak (të holla) i kemi pasur, pak borxh kemi hyrë për me ja nis. Unë kam thënë nja 20-30 bure me nis, veç të filloj. Se pa ja nis me pak, shumë nuk mundet. Atëherë neve na ka dhënë Zoti, punuam vjet shumë edhe këtë vitin e kaluar kemi pasur edhe qashtu shumë mirë kemi kaluar”, shprehet ajo.

    Për një grua, ajo thotë se është shumë e vështirë që të merresh me një biznes të tillë.

    “Fillimi ishte shumë vështirë. Ama kam thënë Zoti përpara, unë pas Zotit nuk do të ndalem, dua të ecë. Ama vështirë ishte pak kur nuk kishe mbështetje, ishte vështirë. Se me i pas disa makina që të fillosh diku, nuk e di nga të fillosh, se u dashke buret t’i blesh krejt çfarë duhet”, shton ajo.

    Në marketet e vendit nuk janë të pranishme produktet e saj, mirëpo Taç shton se po bën eksport në shumë vende evropiane. Ajo tregon edhe për vështirësitë që kanë për shkak të rrymës së dobët.

    “I qesim kornishonin me shumicë, katër mijë, pesë mijë bure kur i mbush me speca, ato nuk mundesh t’i çosh dëm dhe me u lidh vetëm me Kosovën. Me pas na, të na ndihmojë e mbështesë dikush me na thënë që mundesh me u lidh me këtë firmë apo me atë firmë atëherë pagesa kur bëhet edhe për neve është më mirë… Prej komunës së Mamushës na kanë premtuar për trafon, sepse rryma është e dobët, ai tha që trafon do ta sjellim. Po presim edhe prej Ministrisë së Bujqësisë ndoshta na ndihmon diçka… Ka nevojë për mjete më të reja, më moderne për kapakët me i mbyll, ne krejt i kemi bërë vetë këto, nuk kemi pasur ndihmë hiç”, përfundon ajo.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark