×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Biznesmeni i famshëm për përzënie të motrës nga hisja, nënshkruan marrëveshje me Abazoviç për investim 40 milionësh

    Insajderi
    07 April 2023 - 14:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka nënshkruar një marrëveshje milionëshe me biznesmenin e njohur për përzënie të motrës nga hisja, Arbër Kryeziun. Biznesmeni Kryeziu nënshkroi kontratë në vlerë prej 40 milion euro për ndërtimin e një hoteli luksoz në Ulqin.

    Pavarësisht investimit milionësh, biznesmeni Kryeziu nuk duket kaq i gatshëm për të ofruar pasurinë e tij kur vie puna për të ndarë hisen me motrën e tij.

    Biznesmenët Arbër Kryeziu dhe Latif Kryeziu janë në betejë gjyqësore me motrën e tyre për pasurinë e babait të ndjerë afarist.

    Motra e Arbër dhe Latif Kryeziut është ankuar se vëllezërit e kanë përzënë nga hisja. Asaj nuk i lejohet qasja në firmën Al Petrol e Royal, të kontrolluara nga vëllezërit e saj. Kompani këto multimilionëshe të themeluara e udhëhequra nga babai i tyre ndjerë, Latif Kryeziu.

    Ajo kishte kërkuar nga gjykata që të ndalohen vëllezërit e saj. Po ashtu, motra është ankuar se njëri prej vëllezërve të saj edhe e ka sulmuar, në momentin kur ka kërkuar hise në bizneset e babait.

    Çka ndodhi në seancen gjyqësore, në të cilën motra e paditi biznesmenin Arbër Kryeziu

    Trashëgimtarja e të ndjerit Latif kryeziu, propozuesja V.K, kishte kërkuar caktimin e masës së sigurisë në pjesën e pasurisë të lënë nga babai i saj tani i ndjerë në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe aksionet e trashëguara në “Al-Petrol”, ndaj familjarëve të saj- kundërpropozuesve H.K, Arbër Kryeziu, Lulzim Kryeziu, H.K dhe M.K.

    Avokati i motrës së biznesmenëve, Arianit Koci në këtë seancë kishte deklaruar se mbetet tërësisht pranë propozimit për masë të sigurisë.

    I njëjti kishte thënë se propozuesja V.K si trashëgimtare ligjore e të ndjerit Latif Kryeziu që dy vite është privuar që ta gëzojë masën trashëgimore që i takon dhe kur e ka kërkuar të drejtën e saj është sulmuar nga njëri prej vëllezërve të saj.

    Tutje, avokati Koci deklaroi se propozuesja ka pohuar se i është thënë “ty nuk të takon hise as çka po don se je femën”.

    “Vetë kërkesa për masë të sigurisë 30 milionëshe në një mënyrë e arsyeton propozimin e propozuesës për garancion”, kishte thënë ai.

    Nga ana tjetër, avokati i Arbër Kryeziu, Naser Peci kundërshtoi propozimin për masë të sigurimit, duke thënë se konsideron që nuk është përmbushur kushti ligjor nga neni 297.1, pika b, i Ligjit të Procedurës Kontestimore.

    I njëjti kishte thënë se shumica nga patundëshmëritë kontestuese janë të ngarkuara me hipotekë, andaj ka konsideruar se nuk ekziston asnjë rrezik i vetëm që ndonjë veprim i ndërgjyqësve mund të rrezikojë apo pamundësojë kërkesën eventuale të propozueses.

    Edhe avokati i Lulzim Kryeziut, Korab Sejdiu kundërshtoi në tërësi propozimin për masë të sigurimit, pasi që sipas tij propozuesja dështon të provojë elementet nga neni 297.1 i LPK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”, sepse ajo ka kërkuar caktim të masës ndaj pronave të paluajtshme që në pjesën dërrmuese nuk janë objekt shqyrtimi në këtë procedure, pasi aty ka prona personale të kundërshtarit të sigurimit Lulzim Kryeziu, e jo të trashëgimlënësit.

    Detajet e investimit në Mal të Zi

    Gjatë ditës së sotme është nënshkruar Aneksi IV i kontratës  në vlerë prej mbi 40 milionë euro për ndërtimin e hotelit luksoz “Jardan” në Ulqin.

    Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Menaxhimin e Resurseve Detare, Mladen Mikijelj dhe pronari i Royal Company nga Prishtina, Arbër Kryeziu, nënshkruan Aneksin IV të kontratës, në të cilën treguan  se janë krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për valorizimin e lokacionit të ish-hotel “Jadran-it” në Ulqin.

    Në nënshkrim morën pjesë: kreu i Qeverisë së Malit të Zi Dritan Abazoviq dhe kryetari i Komunës së Ulqinit Omer Bajraktari.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark