×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Blinken, Vuçiqit: Jemi mbështetës të fortë të ambicieve evropiane të juaja

    Insajderi
    15 February 2023 - 11:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sekretari amerikan i Shtetit i ka dërguar letër uruese Presidentit të Serbisë, Aleksnadar Vuçiq, në rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, ku ka mirëpritur edhe pranimin e planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Insajderi.

    Blinken është shprehur se ShBA e çmon partneritetin strategjik me Serbinë për çka edhe u shpreh i kënaqur me Memorandumin e fundit të Mirëkuptimit mes dy vendeve.

    “Jam i kënaqur që dy vendet tona nënshkruan së fundmi një Memorandum Mirëkuptimi për të krijuar pozicione ndërlidhëse për diplomatët serbë brenda Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Ky program unik jo vetëm që do të nxisë një kuptim më të mirë të synimeve dhe objektivave tona të politikës së jashtme përkatëse, por do të krijojë kanale të reja komunikimi dhe do të ndërtojë partneritete të qëndrueshme”, ka shkruar ai.

    “Shtetet e Bashkuara janë një mbështetëse e fortë e ambicieve të Serbisë në BE. Ne jemi të përkushtuar të punojmë me ju dhe partnerët tanë të BE-së drejt këtij qëllimi të rëndësishëm”, tha mes tjerash ai.

    Letra e plotë e Anthony Blinken:

    Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të përgëzoj popullin e Serbisë ndërsa ju festoni Ditën e Shtetësisë.

    Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin strategjik që gëzojmë me Serbinë për të çuar përpara një të ardhme më të qëndrueshme, të sigurt dhe të begatë për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

    Shtetet e Bashkuara janë një mbështetëse e fortë e ambicieve të Serbisë në BE. Ne jemi të përkushtuar të punojmë me ju dhe partnerët tanë të BE-së drejt këtij qëllimi të rëndësishëm. Përshëndeta angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë gjatë një vizite të fundit në Beograd. Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha.

    Gjithashtu i bëj thirrje Serbisë që të mbështesë Ukrainën kundër luftës së paprovokuar, të pajustifikuar dhe brutale të Rusisë. Shtetet e Bashkuara mirëpritën mesazhet e Serbisë për mbështetjen e Ukrainës në Kombet e Bashkuara – dhe ne duhet të jemi të bashkuar në mbështetjen e të drejtës së popullit ukrainas për të zgjedhur të ardhmen e tyre.

    Jam i kënaqur që dy vendet tona nënshkruan së fundmi një Memorandum Mirëkuptimi për të krijuar pozicione ndërlidhëse për diplomatët serbë brenda Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Ky program unik jo vetëm që do të nxisë një kuptim më të mirë të synimeve dhe objektivave tona të politikës së jashtme përkatëse, por do të krijojë kanale të reja komunikimi dhe do të ndërtojë partneritete të qëndrueshme.

    I uroj të gjithë popullit të Serbisë paqe, begati dhe lumturi në festën tuaj kombëtare./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark