×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Bordi i ndërmarrjes i urojnë mbarësi në punë të arrestuarit nga Interpoli

    Insajderi
    08 April 2024 - 14:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bordi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Gjakova’ i ka uruar mbarësi kreut të kësaj ndërmarrjeje, Hasan Krasniqi, i cili pak javë më parë u arrestua nga INTERPOL-i për trafikim me qenie njerëzore. Ndaj tij kishte urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga policia italiane. Krasniqi dyshohej për trafikim me qenie njerëzore.

    Për kthimin e tij në punë njoftoi vetë bordi i KRU ‘Gjakova’ përmes një postimi në ‘Facebook’, duke i uruar “mbarësi në punë”, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Bordi i Drejtorëve i KRU ”Gjakova” SH.A, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur me datë; 06.04.2024, mori Vendim për shfuqizimin e Vendimit nr,975 dt.04.03.2024, mbi pezullimin e marrëdhënies së punës për Z. Hasan Krasniqi-Kryeshef Ekzekutiv i KRU “Gjakova” SH.A-Gjakovë”, thuhet në postim.

    “Z. Hasan Krasniqi i sistemuar në vendin e punës si Kryeshef Ekzekutiv i KRU “Gjakova” SH.A-Gjakovë, është i obliguar që të paraqitet në punë nga dt.08.04.2024. Me aprovimin e këtij vendimi nga Bordi i Drejtorëve Z. Hasan Krasniqi sot ka filluar punën e rregullt si Kryeshef Ekzekutiv pranë Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” SH.A. Stafi i Ujësjellësit i uron mire se ardhje Kryeshefit suksese dhe mbarësi në punë!”, vijon postimi.

    Në dosjen e Interpolit të siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se Krasniqi është marrë me kontrabandimin e njerëzve me dokumente të falsifikuara.

    Dosja e Interpolit thotë se një prej mënyrave që ai dyshohet ta ketë përdorur dhënien e vizave Shengen dhe leje qëndrimin ishte duke i prezantuar ata si anëtarë të klubeve sportive, por që policia italiane dyshohet se ato nuk ishin lëshuar në mënyrë të rregullt nga organizatat sportive. Sipas dosjes, kjo ka qenë mënyra se si ai i ka futur brenda zonës Shengen njerëzit që nuk kanë pasur dokumentacion të rregullt.

    Hasan Krasniqi, tre muaj pasi si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Komunën e Gjakovës kishte dështuar të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur asamblist, në janar të 2022’ës ishte emëruar nga Qeveria e Kosovës kryeshef në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark