×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Borrell: BE-ja e shqetësuar me pasojat për serbët e Kosovës nga ndalimi i dinarit

    Insajderi
    05 April 2024 - 08:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Brukseli është i shqetësuar për mungesën e konsultimeve para vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit dhe pasojat që ka në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës. Kështu është shprehur përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

    “Kjo lidhet veçanërisht me ndikimin e vendimit në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave për momentin”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Borrellit të publikuar në faqen e Parlamentit Evropian.

    Në pyetjet e deputetit francez Dominik Bild se çfarë planifikon të bëjë Komisioni Evropian (KE) lidhur me çështjen e themelimit të Asociacionit, vendimin e BQK-së dhe në lidhje me sistemin arsimor dhe shëndetësor për serbët e Kosovës, Borrell ka thënë se këto është dashur të negociohen bashkë me Asociacionin.

    “Çështja e vendimit të BQK-së për operacionet me para të gatshme prek çështje që është dashur të negociohen në lidhje me Asociacionin, siç janë statusi dhe financimi i institucioneve të menaxhuara nga Serbia në Kosovë dhe integrimi i tyre në institucionet dhe kornizën ligjore të Kosovës”, ka shkruar tutje ai.

    Ai ritheksoi se themelimi i Asociacionit është obligim i Kosovës sipas së drejtës ndërkombëtare dhe buron nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e cila është arritur nga Serbia dhe Kosova në dialog me ndërmjetësimin e BE-së dhe më pas është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

    Ndërkaq, as dje në Bruksel të dyja palët nuk kanë arritur një marrëveshje sa i përket përdorimit të dinarit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark