Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, do t’i takojë ndaras nesër në Paris, kryeministrin e vendit Albin Kurti por dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç pritet të takohen të enjten në Francë përgjatë punimeve të Forumit të Paqes së Parisit, në një periudhë tensionesh ndërmjet të dyja vendeve dhe trysnisë ndërkombëtare për të shmangur tensionet dhe për të punuar për një marrëveshje normalizimi ndërmjet tyre.
Të mërkurën në mbrëmje kryeministri Kurti në një video të publikuar në rrjetet sociale, tha se do të shkojë në Paris me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron.
“Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje”, tha ai duke nënvizuar se është “i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”.
Ai tha se janë dy propozime në tryezë: “ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë”, tha kryeministri Kurti.
Më herët të mërkurën presidenti serb Aleksandar Vuçiç u tha mediave në Beograd se pret të diskutojë me shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe të dërguarin evropian Miroslav Lajçak, por nuk përmendi mundësinë e ndonjë takimi me kryeministrin Kurti.