×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Bosi i “Grupit Kondova” arrestohet në Kosovë- Kush është Agim Krasniqi-komandanti i UÇK-së i përfshirë në krime?

    Insajderi
    27 May 2024 - 16:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një histori e bujshme e shoqëruar me gjykime e incidente. I dënuar për disa vepra, përfshirë edhe terrorizmin. I pritur me nderime e festë në vendbanimin e tij kur doli pak nga burgu. Një histori e bujshme arratie, derisa në maj të këtij viti ra në pranga të Policisë së Kosovës. Insajderi sjell historinë e Agim Krasniqit, i cilësuar si lideri i “Grupit të Kondovës” që kërkohet në Maqedoninë e Veriut, ku tashmë i është ekstraduar vëllai, po ashtu pjesë e këtij grupi

    Gazeta Insajderi

    Ishte 2 marsi i vitit 2005 kur Agim Krasniqi, një ish-komandant i njohur i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në vendbanimin Kondovë kishte dalë më uniformë e mjete motorike, i shoqëruar nga disa persona të tjerë. Ishin hapur edhe llogore.

    Ai dha edhe një intervistë tek Bujar dhe Rajmonda Malecka.

    Krejt këto Prokuroria maqedonase i kishte konsideruar si akt i përgatitjes së sulmit terrorist, për çka në vitin 2014 atë e gjeti fajtor një panel gjykate në Shkup ku e dënoi me arsyetimin se “grupi i Krasniqit ka demonstruar mënyrën se si do ta kryente sulmin dhe kanë mbikëqyrur objekte strategjike në qytet”.

    Dhe, nuk ishte dënimi i vetëm. Ai ishte dënuar po ashtu edhe për kidnapim, rrahje si dhe organizim të parregullsive në zgjedhjet parlamentare- dënim që filloi ta vuante në vitin 2008.

    Pas nëntë vitesh në burg, në vitin 2017 ai u la për pak i lirë. I kishin mbetur edhe pesë vite të tjera, por gjykata e la të lirë fundjavave.

    Videot e kohës të publikuara nga mediat maqedonase tregojnë se Agim Krasniqi kishte pasur një pritje madhështore në Kondovë. Në hyrje të vendbanimit madje ishte ngjitur edhe pankarta “Mirë se erdhe Komandant”, derisa në pritje të tij kishin dalë qindra banorë.

    Ai e kishte shfrytëzuar këtë shans, dhe në shkurt 2020 ai veçse shpallet në kërkim nga autoritetet maqedonase, pasi që nga fundjava e lirë më nuk ishte kthyer në vuajtje të dënimit.

    Nga ajo kohë, besohet se gjendet në Republikën e Kosovës, njëjtë ku ishte strehuar edhe vëllai i tij, Besim Krasniqi, po ashtu në arrati.

    Si ra në pranga Komandanti i Kondovës?

    Krejt vitet e kaluara në arrati do të përfundonin për Komandantin e Kondovës, Agim Krasniqi si pasojë e një incidenti që ndodhi në qytetin e Ferizajt.

    Në tetor viti 2023 u raportua për një përleshje e cila ishte afër që të përfundonte në një lokal në Ferizaj, ku kishte pasur disa të shtëna armësh.

    Ngjarja kishte ndodhur në lokalin ‘Monami’, e cila erdhi pas një konflikti verbal mes disa personave, ku të njëjtit ishin përleshur fizikisht dhe njëri prej të dyshuarve kishte shkrepur edhe armën, por që nuk kishte pasur pasoja në njerëz, e megjithatë po hetohet si tentim-vrasje.

    Në maj të këtij viti, për këtë ngjarje u arrestua edhe komandanti i Kondovës, në arrati prej burgut në Maqedoni, dhe bashkë me të edhe Fadil Toçi, Sead Ramadani, Besim Krasniqi.

    Besim Krasniqi është vëllai i Agim Krasniqit, por edhe dy personat e tjerë ishin pjesë e asaj që njihet si “Grupi i Kondovës”.

    Besim Krasniqi ekstradohet në Maqedoninë e Veriut

    Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut në mes të majit të këtij viti bëri me dije se Besim Krasniqi është ekstraduar nga Kosova. Ai njihej si një prej personave nga “Grupi i Kondovës” që dy dekada më parë kërcënonte se do të sulmonte Shkupin dhe ndërkohë mori dënim me burg prej 28 vitesh.

    “Ministria e Punëve të Brendshme njofton opinionin se sot (17.05.2024) zyrtarët policorë nga Departamenti për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në MPB dhe Njësiti i Policisë Intervenuese të SPB Shkup përfunduan procesin e ekstradimit nga Kosova në Republikën e Maqedonisë s Veriut të Besim Krasniqit (44), i cili me urdhër të Gjykatës Themelore Penale Shkup kërkohej me fletarrest ndërkombëtar për vuajtje të dënimit me burg për veprat penale grabitje, krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme dhe dënim për përgatitje në lidhje me veprën penale terrorizëm“, njoftoi Ministria e Brendshme maqedonase.

    Në fillim të majit Gjykata Themelore në Ferizaj pati njoftuar se se ka dishte vendosur masë paraburgimi për një shtetasi nga Maqedonia, i cili është arrestuar nga policia e Kosovës më 3 maj, në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar me kërkesë të Maqedonisë së Veriut

    Urdhëresat ndërkombëtare pos për Besim Krasniqin ishin lëshuar edhe kundër tre personave të tjerë të përfshirë në incidentin në lokalin “Monamia” në Ferizaj, dhe sic raportojnë mediat maqedonase ato janë publikuar në faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, në rubrikën e kërkimit.

    Krasniqi dhe Ramadani janë në arrati që nga shkurti i vitit 2020, kur nuk u kthyen në burgun e Shtipit pas një fundjave pushimi, ndonëse kishin edhe rreth tri vite për të vuajtur nga gjithsej 15 vite burg. Besim Krasniqit, vëllai i Agimit, për një sërë krimesh i është shqiptuar gjithsej 28 vjet e gjysmë burg, Fadil Toçi për 10 krime duhet të vuajë 41 vjet e 7 muaj.

    Vëllai i Besimit, Agim Krasniqi u arrestua në vitin 2008, bashkë me grupin e tij 7-të anëtarësh për parregullsi zgjedhore gjatë zgjedhjeve të atëhershme parlamentare. Grupi i tij gjithashtu është dënuar për terrorizëm, gjegjësisht planifikim të sulmit në Shkup.

    Besim Krasniqi e Fadil Toçi ishin arrestua edhe më parë, nuk u ekstraduan

    Në maj të viti 2020 Gazeta Insajderi kishte raportuar se Besim Krasniqi e Fadil Toçi ishin arrestuar po me kërkesë të autoriteteve maqedonase.

    Më 11 maj të atij viti, lajmin e bëri të ditur Naqe Çulev, atë kohë Ministër i Brendshëm në Maqedoninë e Veriut. Ministri pati njoftuar se arrestimi ishte kryer një javë më parë nga MPB e Kosovës, dhe se kundër tyre kishte flet-arrest aktiv për kryerjen e veprave të rënda penale.

    “Aksioni për arrestimin e dy personave është realizuar në bashkëpunim dhe komunikim ndërmjet Interpolit në Prishtinë dhe zyrtarëve policore nga Ministria e punëve të brendshme në vendin tonë”, pati njoftuar Çulev,

    Ai pati thënë që procesin e ekstradimit të tyre do ta udhëheqë tani e tutje Ministria e Drejtësisë, por del që ata kurrë nuk u ekstraduan, pasi që në tetor 2028 dolën se ishin të lirë, dhe u përfshinë në incidentin që po hetohet tashmë si tentim-vrasje, në lokalin “Monamia” në Ferizaj./ Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark