×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Botohet libri studimor “Pikëpjekje letrare” i Adil Ollurit

    Insajderi
    22 May 2023 - 16:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Instituti Albanologjik i Prishtinës ka botuar librin me përmbledhje të studimeve të shkrimtarit dhe studiuesit të letërsisë shqipe, Adil Olluri.

    Libri ka titullin “Pikëpjekje letrare” dhe sipas njoftimit i takon llojit të përmbledhjeve të studimeve dhe artikujve mbi letërsinë.

    Ky libër është përmbledhje e punimeve, trajtesave dhe artikujve për vepra të ndryshme artistike e studimore, të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Është një ngrehinë interpretuese e realizuar në kohë e vite të ndryshme, që janë pasqyrim i mendimeve të mia për zhvillime letrare dhe çështje të ndryshme teorike e kulturore të kohës. Një pjesë prej tyre i kam prezantuar, lexuar dhe botuar në seminare, tryeza e sesione të ndryshme, dhe në revista shkencore, si: “Gjurmime albanologjike”, organ shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës (IAP) dhe “Studime”, organ shkencor i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës (ASHAK), që janë dy revistat më të mëdha dhe më serioze në fushë të studimeve albanologjike në Kosovë. Disa punime dhe trajtesa janë lexuar në konferencën shkencore “Java e albanologjisë”, (organizuar nga IAP) dhe në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, (organizuar nga Fakulteti i Filologjisë-Universiteti i Prishtinës), organizime tejet të dinjitetshme në fushën e mendimit dhe të shpalosjes së gjetjeve dhe rezultateve në studimet albanologjike.

    Në këtë përmbledhje studimore kam trajtuar dhe interpretuar vepra e autorë që nuk ngjajnë me njëri-tjetrin, që kanë shkruar për tema e çështje të ndryshme prej njëri-tjetrit dhe kanë formim të ndryshëm kulturor e letrar nga njëri-tjetri. Pra, nuk ka një vijë unike, një përbërës qenësor, që ndërlidh punimet e këtij libri, meqë synimi ka qenë të botohet një vepër e formatit të përmbledhjes së shkrimeve të ndryshme.

    Recensentë:

    Dr. Sali Bytyqi,

    Dr. Agron Y. Gashi

    Redaktor gjuhësor:

    Dr. Shpresa Ismaili

    Nga i njëjti autor:

    “Vdekja e Omerit”, roman,

    “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, roman,

    “Kthimi i profetit”, tregime,

    “Shumë rrugë dhe një rënie”, tregime,

    “Fytyra e tiranisë”, monografi studimore,

    “Shkrimtari polimorf”, monografi studimore,

    “Romani postmodern shqiptar”, monografi studimore,

    “Trilogjia postmoderne”, monografi studimor

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark