×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Brutale – Qeveria Kurti ndërhynë në pagesat e anëtarësisë për sindikatat

    Insajderi
    06 October 2022 - 12:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në mes të grevës, Qeveria e Albin Kurtit ka ndërhyrë edhe në mënyrën se si anëtarët e sindikatave e paguajnë anëtarësinë e tyre. Tash po i detyron që të regjistrohen përmes platformës E-Kosova, platformë kjo që e kontrollon direkt. Insajderi sjell detaje të kësaj ndërhyrje.

    Insajderi

    Për pesë javë rresht sistemi arsimor ishte në grevë. Nga 25 gushti deri më 3 tetor qindra mijëra nxënës mbetën jashtë shkollave, me sindikalistë të arsimit që nuk hiqnin dorë nga greva dhe me Qeverinë e vendit që kërkonte fillimin e mësimeve.

    Por, në mes të kësaj greve për të gjithë anëtarët e sindikatave u bë një ndryshim, i cili deri sot nuk ekzistonte në këtë formë.

    Saktësisht me datën 15 shtator, të gjitha sindikatat në vend u paralajmëruan nga Qeveria e Kosovës se tashmë pagesat për anëtarët  nuk do të paguhen direkt nga xhirollogaria e tyre, përmes bankave private, në xhirollogarinë e sindikatave ku ata janë anëtarë.

    Këtë vendim të Qeverisë Kurit e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, sekretari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri.

    Ai këtë veprim e konsideron të paligjshëm dhe aspak qëllim mirë.

    Ymeri për Insajderin ka thënë se kjo është bërë pa kurrfarë konsultimi me sindikatën dhe qëllimi kryesor i Qeverisë është të largojë anëtarët nga SBASHK-u.

    “ Qëllimi kryesor i Qeverisë ka qenë që me e largu anëtaret e sindikatës dhe po ashtu nëse brenda dy-tre muj ditë nëse nuk pagun anëtarësi nuk je ma anëtar i sindikatës. Dhe kështu mos me pas drejtë anëtarësia jonë e SBAShK-ut me i realizu të drejtat e kontratës kolektive që i gëzojnë anëtarët e sindikatës. Kjo u be pa asnjë konsultim me sindikatën, me një paralajmërim me datën 15 shtator 2022. Dhe kanë thanë për këtë muj është kështu. Nuk kemi pas afat dy tre mujor për me kalu nga një platformë në atë platformë tjetër”, tha Ymeri.

    Tutje, Imeri deklaroi se i kanë inkurajuar anëtarët të regjistrohen në platformë E-Kosova dhe se një numër i madh tashmë është anëtarësuar.

    Ne i kemi inkuraju anëtarët të regjistrohen edhe pse e konsiderojmë te paligjshme. Nëse Qeveria ka kërku një gjë të tillë, ne jua sugjerojmë. Qeveria nuk i ka bartë anëtarët qe kanë qenë prej platformës së vjetër në të renë, por, i ka fshi krejt“, theksoi Imeri.

    Por, shtoi se ky vendim paraqet rrezik për arsimtarët.

    Është rrezik për arsimtarët sepse munden me u thirrë atë të cilët duhet t’i gëzojnë të drejtat e kontratës kolektive dhe benefitet gjatë muajit shtator. Mundet pastaj me kontestu me thanë t’i gjatë shtatorit kur je dal në pension nuk je kanë anëtar i sindikatës prandaj nuk të takojnë rrogat përcjellëse”, u shpreh Imeri.

    Kujtojmë, se gjatë këtyre ditëve është diskutuar dhe debatuar për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit gjatë muajit shtator, për shkak të grevës.

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar qëndrimin e ekzekutivit kundër ekzekutimit të pagave për mësimdhënësit grevistë.

    “Parimi ‘pagë për punë’ do të respektohet. Mësimdhënësit që kanë mbajtur mësim do të kompenzohen”, tha Kryeziu të martën, kur ka shpërndarë shkrimin e Arbërie Nagavcit, ministres së Arsimit, pikërisht për këtë çështje, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se komunat, si përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, nuk i kanë dërguar të dhënat për mësimdhënësit në Ministrinë e Financave, derisa ka njoftuar se pagat janë realizuar për ata që i kanë pasë të dhënat.

    “Ndonëse komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, janë punëdhënëse dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë. Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta”, ka shkruar ministrja Nagavci, transmeton Gazeta Insajderi.

    Ajo shtoi se do ta publikojnë Kalendarin e rishikuar për vitin shkollor për 22 ditë të humbura të mësimit. Mbi këtë vendim, Nagavci shkruan se do të ketë kompensim, por për punën e bërë.

    Ndërkaq, Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka thënë se nëse nuk procedohen pagat deri me 5 tetor, mund të kthehen sërish në grevë.

    Jasharaj tha se vendimin e Qeverisë për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit grevistë e cilësojnë si dëshirë të kësaj të fundit për vazhdimin e grevave dhe konflikteve./Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark