×
  • Sport
  • Sport

    Bunjaki: Dorëhiqem pasi ta dërgojë Kosovën në Kampionat Evropian

    Insajderi
    15 November 2016 - 00:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pas katër vitesh Kosova do ta ketë një trajner të ri, ka thënë sot trajneri i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaki. Trajneri aktual i Kosovës ka paralajmëruar dorëheqjen e tij pas katër vitesh të tjera qëndrim në përfaqësuese.

    Në një intervistë me emisionin Interaktiv të Kohavision, ish-zëvendëstrajneri i skuadrës suedeze, Kalmar, është shprehur i bindur se do ta kualifikojë Kosovën në Kampionatin Evropian të vitit 2020.

    “Unë kam një marrëveshje me federatën. Një kontratë katër vjeçare, 2 vite dhe me dy vite të tjera me mundësi vazhdimi, pra për katër vite. Pas këtyre katër viteve, është koha që tek Kosova të afrohet një trajner tjetër dhe unë të vazhdojë me projekte të tjera”, tha Bunjaki.

    Mirëpo, rezultatet e dobëta në tre ndeshjet e fundit me Kosovën në kualfikueset për Botërorin “Rusi 2018”, nuk i kanë zbehur optimizmin trajnerit 45-vjeçar, njofton Insajderi.

    “Jam shumë i bindur që pas katër viteve Kosovën do ta dërgojë në Kampionat Evropian”, deklaroi ai.

    Bunjaki krenohet me afrimet e futbollistëve të rinj në skuadrën përfaqësuese, por thotë se nuk ka fuqi të mbinatyrshme për ta gjetur suksesin e menjëhershëm.

    “[Nëse do të qëndrojë në përfaqësuesen e Kosovës] Absolutisht. Ne kemi punuar për tetë vjet për t’i tubuar këta lojtarë, por për 2 muaj jemi ballafaquar me përfaqësueset më të mira”, shprehet Bunjaki. “Unë shkop magjik nuk kam që ta kualifikojë Kosovën menjëherë”.

    Megjithatë, tekniku shqiptar del kundër pritjeve të tifozëve kosovarë, duke thënë se “pavarësisht vullnetit të opinionit, ne kemi kombëtaren më të re në botë dhe nëse është pritur që ne të shkojmë në Kampionatin Botëror, atëherë kjo është shumë joreale”.

    Bunjaki u shpreh optimist për të ardhmen e përfaqësueses. Ai tha se ka shumë shtete që kanë pritur shumë vite që të arrijnë kualifikimin në një ngjarje madhore të futbollit evropian apo botëror.

    “Unë e kuptojë që ka një vullnet dhe një dëshirë në opinion, mirëpo asgjë nuk ndërtohet brenda një muaji. Ka shumë shtete që ndoshta kanë punuar 100 vjet për të arritur suksese”, ka thënë trajneri i përfaqësueses kosovare.

    Bunjaki punon prej tetë vitesh si përzgjedhës i Kosovës në futboll.

    Më parë, ai ka qenë trajner i disa skuadrave në ligat inferiore të futbollit në Suedi dhe zëvendëstrajner i skuadrës së Kalmarit, që bën pjesë në kategorinë e parë të futbollit suedez -Allsvenskan. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Sport
    05 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark