23:07 - 28 Maj 2022

“Lista GUXO” edhe zyrtarisht është bërë subjekt politik, ndërsa ishte themeluar nga presidentja e tanishme Vjosa Osmani dhe udhëhiqet nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Gjatë një tubimi në Mitrovicë, ku Faton Peci është zgjedhur kryetar i degës atje ka rënë në sy fakti se delegatët burra janë ulur në rend të parë, ndërsa gratë në rendin e dytë.

Kjo lë një shije të keqe për një subjekt politik, aq më tepër kur është themeluar nga një grua siç është Presidentja Osmani dhe udhëhiqet, së paku formalisht nga një grua tjetër, si Donika Gërvalla.

Në anën tjetër, lajmin se Peci është bërë kryetar i degës në Mitrovicë e ka konfirmuar ky i fundit nëpërmjet një postimi në Facebook.

“Sot kurorëzuam me sukses Kuvendin e parë zgjedhor të Partisë Guxo në Mitrovicë. I falënderoj përzemërsisht 296 delegatët që votuan pro dhe njërin që abstenoi. Besimin që mora nga ju do ta kthej në guxim për veprim kurdo e kudo. Unë jam vetëm njëri nga ju, por bashkë do të mund ta ndërtojmë një platformë politike që i duhet Mitrovicës. Do të jemi konkurrentë serioz në skenën politike në Mitrovicë dhe nuk do të kursejmë asgjë që qytetit tonë t’ia kthejmë borxhin së bashku me reputacionin. Në qytetin e minatorëve guximi është skalitur qëmoti. Unë bashkë me ju do ta vazhdojmë guximshëm betejën për Mitrovicën që e duam! Na priftë e mbara!”, ka shkruar Peci.