×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Burri i zyrtares së LDK, akuzat për rrahje të punëtorit- Kush është biznesmeni i arrestuar nga Ferizaji?

    Insajderi
    20 September 2023 - 18:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sot Policia e Kosovës ka arrestuar biznesmenin nga Ferizaj, Hyzer Hyseni, pronar i kompanisë “Euro Beton”. Ai dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi me prokurim publik”, shkruan Insajderi.

    Në komunikatën e Policisë thuhet se Hyzer Hyseni si përfitues i tenderit dyshohet që në bashkëpunim me menaxherin e projektit, ka ofruar fatura dhe situacione për projektin e caktuar pa u kryer punimet në teren.

    Foto: Hyzer Hyseni

    Kështu, biznesmeni Hyseni i shkaktoi dëme buxhetit të Komunës së Ferizajt dhe buxhetit të Kosovës në vlerë prej 67.659.41 Euro.

    I dyshuari H.H. si përfitues i tenderit dyshohet që në bashkëpunim me menaxherin e projektit, ka ofruar fatura dhe situacione për projektin e caktuar pa u kryer punimet në teren, duke i shkaktuar dëme buxhetit të Komunës së Ferizajt dhe Buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 67.659.41€uro, dhe me këto veprime dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi me prokurim publik’”, thuhet në komunikatë.

    Por, kush është biznesmeni i arrestuar nga Ferizaji?

    Afaristi Hyzer Hyseni ishte akuzuar në maj të 2018‘ës, se si pronar i kompanisë “Euro Beton” i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore, ish-punëtorit të kësaj kompanie, Arton Latifi, që siç thuhet në aktakuzë, kishte shkuar të kërkonte pagë.

    Por, pas leximit të aktakuzës nga prokurori i çështjes, Hyseni kishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohej.

    Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Hyzri, Jetmir dhe Elvin Hyseni akuzohen se më 16 maj 2018, rreth orës 14:00, në rrugën “Hamzë Jashari” në Ferizaj, pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarit Arton Latifi, pretendohet se e kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarin duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

    Sipas aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë që pasi i dëmtuari Arton Latifi, ish-punëtor në kompaninë “Euro Beton” ku pronarë janë të akuzuarit, kishte shkuar për ta kërkuar një rrogë, e të pandehurit me dashje e sulmojnë atë fizikisht, ku i pandehuri Hyzri e godet në ballë me një mjetë të metaltë, i pandehuri Elvin e kap nga duart, ndërsa i pandehuri Jetmir e godet me grusht.

    Hyzer Hyseni është bashkëshorti i zyrtares së LDK’së në Ferizaj, Bahrije Hyseni.

    Bahrije Hyseni është kryetare e forumit të gruas së LDK’së në Ferizaj dhe ish-këshilltare në Kuvendin Komunal në këtë komunë.

    Përveç problemeve të bashkëshortit të saj me drejtësinë, as asmablistja e LDK’së nuk shpëtoi paq.

    Në maj të 2022’ës, Bahrije Hyseni u dënua me 300 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë.

    Sipas aktakuzës, më 30 mars 2021, në Ferizaj, e pandehura Bahrije Hyseni në pozitën e këshilltares së Asamblesë Komunale Ferizaj, kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin Nr. 04/L-50 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave Për të Gjithë Personat Zyrtarë, si dhe Ligjin Nr.04/L-228.

    Aktakuza thotë se në formularin e deklarimit të pasurisë për periudhën 1 janar deri 31 dhjetor 2020, nuk kishte paraqitur të dhënat e sakta lidhur me deklarimin pasurisë, duke mos deklaruar një veturë të tipit “Volkswagen VW”, në shumë prej 9 mijë euro, në pronësi të bashkëshortit të saj.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2 i Kodit Penal.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark