Plani i Kurtit për të përzënë nga Kosova pronarët e KEDS’it tashmë është shfuqizuar. Ata po përgatiten për një projekt tjetër. Një central solar. Synojnë ta marrin për 30 vjet në zotërim një pasuri të Kosovës. Kanë takuar Kurti në tetor dhe kanë dorëzuar ofertën zyrtare në Ministrinë e Ekonomisë për këtë projekt.
Dy njerëzit e pasur të Turqisë që takuan Kurtin në tetor të vitit të kaluar janë në pritje të shpërblimi të madh. Ia kanë vënë syrin një pasurie multimilionëshe të Kosovës. Gjendet në Kramovik të Rahovecit, raporton Gazeta Insajderi.
Dikur ishin të luftuar nga Kurti dhe të kërcënuar për përzënie nga Kosovë nën pretekstin për blerje korruptive të KEDS’it. Por, tash ka ndryshuar gjithçka. Janë në pritje që të vazhdojnë pasurimin e tyre në Kosovë me bekimin e Qeverisë së drejtuar nga ish-kërcënuesi i tyre.
Dy pasanikët nga Turqia, Nihat Ozdemir e Ahmet Çalik, kanë ndërtuar tash një raport të shkëlqyeshëm me Qeverinë Kurti. I besojnë projekteve të kësaj qeverie.
Pse është i rëndësishëm Kramoviku i Rahovecit për dy miliarderët nga Turqia?
Qeveria e Kosovës në maj të vitit të kaluar hapi ankandin e parë për ndërtimin e një parku me energji solare. Një centrali fotovoltaik. Disa herë u anulua ky ankand. Në njëren prej anulimeve, Qeveria përmendi si arsye mungesën e ofertave për shkak të frikësimit të investitorëve nga rasti terrorist i Banjskës.
Por, në vitin 2024 pati oferta të bollshme. Para tri ditëve, Ministria e Ekonomisë e drejtuar nga Artane Rizvanolli, njoftoi publikun për emrat e firmave që kanë dorëzuar ofertat e tyre. Janë gjashtë konkurrent që synojnë projektin e madh.
Në mesin e kompanive është edhe konzorciumi “Çalik-Limak” nga Turqia.
Tjetër aplikues është “Notus Energy Kosovo” nga Gjermania, përfaqësia në Kosovë. Pati edhe një tjetër nga Turqia. Kompania “Guris Insaat Muhendishik”. Një tjetër ishte nga Franca: kompania “Akuo Energy SAS”. Në garë është vetëm një kompani e drejtuar nga shqiptarët. është kompania Orllati nga Zvicra, pronë e biznesmenit Avni Orllati.
Por, ekziston një dallim në mesin e konkurrentëve. Vetëm me njërin prej tyre është takuar kryeministri Kurti. Me miliarderët nga Turqia që zotërojnë konzorciumin “Çalik-Limak”. Gazeta Insajderi pati raportuar për këtë takim të çuditshëm që dëshmon për ndryshim drastik të raporteve mes armiqve të dikurshëm.
Përpos që ishte i çuditshëm për shkak të raporteve në të kaluarën, ky takim tash nxitë dyshime edhe më të mëdha. Është zhvilluar në kohën kur pasanikët nga Turqia ishin duke u bërë gati për një ankand të madh për të marrë nën zotërim një pasuri multimilionëshe të Kosovës.
Detajet e centralit që përfshinë dhënie nën zotërim 30 vjeçar
Në shpalljën qeveritare të majit të vitit të kaluar tregohen edhe detajet e ndërtimit të këtij centrali solar fotovoltaik. Dhënia në shfrytëzim parasheh një afat prej tri dekadave.
“Centrali solar FV do të ndërtohet në tokë publike, në zonën kadastrale të Kramovikut dhe Petkoviçit në Komunën e Rahovecit, e cila do t’i jepet me qira Ofertuesit të përzgjedhur për një periudhë jo më të shkurtër se 30 vjet”, thuhet në njoftimin e hapjës së ankandit.
Në njoftim ceket edhe ky detaj për konkurrentët e interesuar.
“Dhënia e një çmimi të garantuar të blerjës për energjinë e prodhuar nga një central solar FV me kapacitet të instaluar prej së paku 90 Më dhe më së shumti 105 Më rrymë alternative”.
Po ashtu, edhe Kurti më 26 nëntor të vitit të kaluar kishte bërë një postim lidhur me këtë ankand.
Kishte përmendur qiranë 30 vjeçare të tokës dhe rrezatimin e lartë diellor që ka Kramoviku.
Kishte pohuar joshëse për konkurrentët është fakti që përfituesit do t’i garantohet marrëveshje për blerje të energjisë për 15 vjet.
Kurti e kishte përmbyllur me postimin me një një lutje për mërgimtarët.
“Kjo është një mundësi e shkëlqyer edhe për mërgatën tonë, që të (bashkë)investojë në një projekt të sigurt e të përgatitur mirë e me kujdes”, pati shkruar Kurti.
Por, a e kishte seriozisht Kurti kur më 26 nëntor iu tregonte mërgimtarëve për mundësitë e shkëlqyera të projektit kur ai përsonalisht kishte pasanikët nga Turqia, të cilët ishin duke e përgatitur aplikimin për centralin solar?
Një gjë dihet: Nuk ka ndodhur deri më tash që kryeministri të zhvilloj takim me biznesmenët që janë në përgatitje e sipër të ofertës për një projekt multimilionësh. Kjo nxitë dyshime për garë jo të barabartë për centralin solar multimilionësh në Kramovik të Rahovecit. /Insajderi.org/