×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “CV’ja juaj po më intereson”, ndërhyrja brutale e Kurtit në borde, tejkalon edhe Grabovcin

    Insajderi
    21 February 2023 - 23:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Përzgjedhja kërkohet të jetë profesionale dhe e pavarur, sidomos nga politika. Megithëkëtë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndërhyrë brutalisht në përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM)

    Ndërhyrja e tij brutale është konfirmuar nga vetë anëtarët e bordit të Komisionit te Pavarur për Miniera e Minierale.

    Dy prej tyre kanë konfirmuar se e kanë takuar Kurtin para emërimit të tyre dhe se janë pyetur për biografinë e tyre.

    Ndërhyrja e Kurtit në rregullatorin e biznesit multimilionësh të minierave e mineraleve është në kundërshtim me premtimet zgjedhore të tij. Vetë Kurti dhe partia e tij kanë qenë kritikët e zëshëm të PDK’së që u përfshinë në skandalin e njohur si Dosja Pronto, të publikuar me 2016 nga Gazeta Insajderi.

    Mirëpo derisa Grabovci fliste në telefon gjate ndërhyrjeve brutale në borde, Kurti ka përzgjedhur tjetër metodë. Takimin sy me sy.

    Si ndodhi ndërhyrja brutale e Kurtit në bordin e KPMM’së?

    Në ‘Kallxo Pernime’ kryesuesja e bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Selvete Grajqevci- Pllana, ka thënë se përpara se emri i saj të shkojë në Kuvendin e Kosovës për miratim ajo ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti.

    Takimi me Kurtin ka qenë “i shkurtër” ka thënë ajo, por pas këtij takimi të shkurtër, ajo thotë se u emërua Kryesuese e KPMM-së.

    “Kemi qenë në një bashkëbisedim, nuk ka qenë as intervistë, kanë qenë 5 minuta, tha vetëm CV juaj po më intereson. I tregova që kam punuar në KEK, me profesion jam juriste. Unë i thash që mendoj që në përputhje me Ligjin për miniera kam me i zbatu të gjitha dispozitat e parapara në ligj”, ka thënë ajo.

    Grajqevci-Pllanës i është kërjuar edhe të tregojë për lidhjet e saj me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje. Burrin ajo thotë ta ketë pasur anëtarë të LVV-së ndërsa ajo vetë simpatizante e kësaj partie.

    “S’kam pasur kurrfarë lidhje, burri ka qenë më herët si anëtar i LVV-së, kam aplikuar edhe më herët, nuk kam ardhur në shprehje. Unë ndoshta si simpatizuese se kurrgjë tjetër më LVV-në nuk kam” – ka thënë ajo.

    Takimin me kryeministrin përpara se të votohen në Kuvend e kanë konfirmuar edhe anëtarët Gani Maliqi, Jahir Gashi dhe Gani Kastrati për “Kallxo”, përcjell Insajderi.

    Gashi thotë se ka biseduar me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, por nuk ka dhënë hollësi të mëtejme rreth bisedës së zhvilluar.

    “E konfirmoj se kam pasur takim me kryeministrin para se të zgjidhem anëtar i bordit dhe për këtë ju siguroj se biseda ka qenë shumë konstruktive dhe atë vetëm lidhur me përvojën dhe përgatitjen profesionale që kam ndër vite”.

    “Takimi nuk ka zgjatur më shumë se ndërmjet 5 deri 10 minuta dhe fare nuk ka pasur karakter të intervistës siç po pretendohet nga disa të tjerë. Është takimi i parë dhe i vetmi deri me tani” – ka shtuar ai.

    Ndërsa anëtarja Rrezarta Pushkolli- Makolli ka mohuar të ketë zhvilluar takim me kryeministrin Kurti.

    Selvete Grajqevci Pllana së bashku me anëtarët Gani Maliqi, Gani Kastrati, Jahir Gashi, Rrezarta Pushkolli-Makolli janë emëruar në bordin e KPMM-së në seancën e 6 dhjetorit 2021.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark