×
Insajderi / Insajderi

Daçiq: Asociacioni parakusht i të gjitha parakushteve

Insajderi
03 February 2023 - 10:43
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është parakusht i të gjitha parakushteve për vazhdimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, ka thënë ministri serb i jashtëm Ivica Daçiq, pas takimit të tij me Këshilltarin e Lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, raporton Insajderi.

Daçiq, i cili ka qëndruar në vizitë dy-ditore në Uashingtonin, tha se ka dëgjuar “mirëkuptim” dhe “vlerësime pozitive” të qasjes së Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dy vijat e kuqe të Serbisë, tha Daçiq në një intervistë për Zërin e Amerikës, janë se nuk do të ketë njohje të ndërsjellë dhe lejim të anëtarësimit të Kosovës në OKB, derisa, siç shtoi ai, “parakusht i të gjitha parakushteve” është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Është një gjë për të cilën në të vërtetë s’kemi pse të negociojmë, sepse është diçka që jemi pajtuar dhe kemi nënshkruar para 10 vitesh”, tha ai.

Në lidhje me takimet e tij me zyrtarë të lartë të shtetit amerikan, Daçiq tha se më e rëndësishmja ishte se u takua me Derek Chollet dhe Gabriel Escobar.

“Mendoj se mesazhi më i rëndësishëm është për pozicionin dhe performancën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, do të thotë të Serbisë, i vlerësuar për konstruktiv dhe i përgjegjshëm. Dhe shpesh krahasohet me Prishtinën dhe Albin Kurtin – për të cilin ka vlerësime të kundërta”, u shpreh Ivica Daçiq.

Kryediplomati serb thotë se amerikanët kanë dhënë vlerësime pozitive për Serbinë, për çka tha se “ata vetë thonë se qëndrimi i Quint’it, përfshirë ShBA’në, ka ndërruar shumë në raport me Serbinë, që tregon se kemi marrë vendime korrekte”.

Shefi i diplomacisë serbe duke folur për Asociacionin, thotë se është i ndarë nga plani franko-gjerman si një marrëveshje e arritur në vititn 2013.

“Është e ndarë, por ju e dini në çfarë kuptimi – nuk është pjesë e këtij procesi të ri. Është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit dhe ne pajtohemi me këtë. Nuk mund të presim që ajo të formohet në fund të një procesi. Jo, ne mendojmë se është diçka për të cilën jemi partuar”.

“Është gjithashtu parakusht për rikthimin e serbëve në institucione. Dhe, pse është kështu? Njerëzit nuk e mbajmë më mend kontekstin. Edhe Josep Borrellit ia kam thënë këtë. Ai më pyet pse serbët nuk kthehen në institucione, unë i them: në cilën dhomë këtu në Bruksel e nënshkruam atë marrëveshje, këtu në e nënshkruam me Hashim Thaçin dhe Catherine Ashton-in”.

“I them se këtu e mbanin fotografinë time në BE me Thaçin kur e nënshkruam. Çfarë nënshkrova? A nënshkrova Asociacion? Dhe ishte kusht për serbët që në një mënyrë, kur të zhbëjnë institucionet e shtetit serb, të krijojnë institucionet e tyre në Kosovë dhe kështu të hyjnë në Asociacion dhe përmes saj të hyjnë në institucionet e Kosovës”, ka vazhduar Ivica Daçiq.

Kësisoji Daçiq thotë se Asociacionin e konsiderojnë si pjesë të një marrëveshje të shkuar dhe jo brenda planit të ri franko-gjerman./Insajderi/

OP-ED
Nga Rubrika
Insajderi
01 September 2023

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark