Pjesëmarrja në Conference League e F.K Ballkani ka bërë që kjo skuadër të ketë një kalendar mjaft të ngjeshur, duke luajtur çdo 3 ditë.
Trajneri Ilir Daja kërkoi nga Federata e Kosovës që të kishte lëshime në datat ndeshjeve, në mënyrë që lojtarët të mos jenë tejet të lodhur.
Megjithatë duket se nuk mori pergjigjen pozitive. Ditën e djeshme, Drita mposhti Ballkanin me rezultatin 0-2 duke i shkaktuar humbjen e parë ekipit të Dajës.
“Nuk mundemi me gjithë këtë intensitet të kemi vazhdimësi të rezultateve, u detyruam të bëjmë rotacione, ankohen edhe ekipet e mëdha për ndeshjet e ngjeshura e jo ne këtu në Kosovë.
Kishim paraqitje të mirë, nuk kam çfarë t’i kërkojë më shumë këtij ekipi, skuadër që po bënë historinë, jo vetëm në Kosovë por në gjithë trojet shqiptare.
Suportin e vetëm që e morëm nga liga jonë është vetëm ndeshja e shtyerë ndaj Malishevës. Në fund fare nuk mundemi më shumë”, tha Daja gjatë intervistës pas ndeshjes për “Art Sport”.