“Kemi luajtur së bashku në kohën sa ishim pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, ishte në moshë të re, një djalë temperament. Ne djemtë nga Kosova i kemi ndihmuar shumë me adaptimin brenda grupit, duke e ditur që Besarti vinte nga një kulturë dhe mentalitet tjetër“.
Në mëngjesin e sotëm, rreth orës 09:00 aeroplani në të cilin ishte Besart Berisha ka ateruar në kryeqytet, Prishtinë. Berisha ditë më parë ka arritur marrëveshje me klubin më të madh në futbollin tonë, FC Prishtina. Për këtë transferim të tij Gazeta Online “Insporti” raportoi ekskluzivisht.
Sulmuesi shqiptar sot do t’i bashkohet skuadrës dhe do të zhvillojë stërvitjen e parë me skuadrën kampione.
“Insporti” ka zhvilluar një intervistë me ish bashkëlojtarin e tij te Kombëtarja e Shqipërisë, Armend Dallkun.
Dallku së bashku me Berishën ishin pjesë e kombëtares kuqezi për shumë vite.
Po si Berisha, edhe Dallku disa vite më parë bëri rikthimin e tij në elitën e futbollit tonë pas më shumë se një dekade në evropë.
Në këtë intervistë, Dallku zbulon se si Berisha ishte një djalë temperament dhe ndihmën që ia kishin bërë djemt e Kosovës që ishin në kombëtare.
Po ashtu edhe për benefitet që Prishtina dhe Superliga do t’i kenë me ardhjen e tij.
Berisha, 36 vjeçar, verën që shkoi u largua nga futboll australian si golashënuesi më i mirë në histori.Berisha në Evropë ka luajtur për klube si Hamburg (Gjermani), Burnley (Angli) dhe Rosenberg (Danimarkë).
Po ashtu ka 17 paraqitje për Kombëtaren e Shqipërisë.Ai ishte transferuar në Australi në vitin 2011 duke u transferuar në skuadrën Brisbane Roar.
Me Brisbane ai ka fituar dy tituj kampioni. Për një kohë luajti edhe në Japoni.
Në futbollin australian ai ka lënë gjurmë të mëdha, duke u bërë golashënuesi më i mirë në histori, duke shënuar 148 gola.
Më poshtë intervista me Armend Dallku:
“Insporti”: Si e shihni transferimin e Berishës në Prishtinë?
Dallku: Vlerat e Berishës nuk diskutohen, në të gjitha ekipet ka qenë lider edhe ne i urojmë mirëseardhje.
“Insporti”: Cilat janë benefitet që Superliga e Kosovës do i marrë nga ardhja e tij?
Dallku: Pozitive është ardhja e Berishës në Superligën tonë, në veçanti për ekipin e Prishtinës. Sepse është një futbollist me përvojë të madhe dhe do të jetë një udhërrëfyes për djemtë tjerë të ekipit, në veçanti djemtë me moshë të re.
“Insporti”: Keni luajtur bashkë me të për kombëtaren, si është si person dhe si futbollist edhe pse në moshë?
Dallku: Kemi luajtur së bashku në kohën sa ishim pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, ishte në moshë të re, një djalë temperament. Ne djemtë nga Kosova i kemi ndihmuar shumë me adaptimin brenda grupit, duke e ditur që Besarti vinte nga një kulturë dhe mentalitet tjetër.
“Insporti”: Transferi i Berishës po shihet si kthimi i juaj, sa do ta ketë të vështirë adaptimin me mentalitetin tonë?
Dallku: Këtu kam dilemat, se si dhe sa do të përshtatet me klubin dhe futbollin tonë duke pasur parasysh edhe unë kur jam kthyer ishte realitet i hidhur. Kujtoj në atë kohë edhe kishim dalë nga stadiumi sepse ishte në rinovim, mirëpo kur edhe ai (Besarti) ta prek realitetin tonë do të ketë vështirësi. Duke ditur ambientet se ku do të stërvitet dhe disa stadiume që nuk janë në gjendje të mirë, si dhe fushat përcjellëse.