Kosova më 28 nëntor do të përballet me Danimarkën, nga ora 19:00, në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë.
Ndeshja transmetohet ekskluzivisht në Art Motion dhe Kujtesë.
Dardanët hyjnë në këtë sfidë pas humbjes nga Norvegjia me rezultat 86:77. Këto takime zhvillohen në kuadër të parakualifikimeve për FIBA Eurobasket 2025. Vendi i parë kualifikohet tutje, si dhe vendi i dytë më i mirë nga të tri grupet parakualifikuese.
Tifozët e Kosovës, Dardanët, pas afër dy vjetësh rikthehen në palestër, kurse për shkak të masave anti-COVID lejohen 10% e tifozëve.
Basketbollistët e Kosovës kanë nevojë për përkrahjen e tifozëve, që u ka munguar shumë për shkak të pandemisë me COVID-19.
Lojtarët do të stërviten dy herë të shtunën, për të qenë sa më të gatshëm për ndeshjen ndaj Danimarkës.
Kjo është hera e parë që Kosova luan përballë danezëve. Basketbollistët e Kosovës shpresojnë në rezultat pozitiv, ndërsa angazhimi nuk do të mungojë në parket. /insporti.com/