×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Dardania në optikën e piktorëve

    Insajderi
    17 February 2024 - 22:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Autor: Naser Shatrolli, krijues dhe kritik arti

    ”Nuk e di nëse mund t’i dua dy gra, por e di që nuk mund t’i dua dy atdhe.’’ Janë
    fjalët e Stendalit, shkrimtar i shquar francez, autor i romanit “ E kuqja dhe e
    zeza’’, i shkruar në vitin 1830.
    Në përbrendësinë e ngjyrave dardane është formula e brumit të Kosovës që ka
    parakaluar nëpër furrat ku janë shkrirë derte e të bëma historike, ndërsa
    pjesëmarrja e një liste të zgjeruar artistësh me reputacion vendor dhe regjional janë
    itinerar kalendarik vjetor, për të dëftuar në këtë ekspozitë me karakter festiv, për
    atë që kemi sot dhe për atë që nuk e kishim dje. Ekspresiviteti krijues
    kontekstualizohet me dinjitetin e heroit, siç është koka e pashembullt e Adem
    Jasharit, që është bërë kambanë lirie për të ndershmit.
    Përse bëhen luftërat? Kush i nxitë ato? A ka prodhuar arti diktatura në histori?!
    Nëse i referohemi historisë, diktatorët në luftëra të përgjakura çuditërisht kanë
    pasur shije për artin, madje janë bërë model artistik në oborre mbretërore, duke e
    imponuar vetveten e tyre te të tjerët. Ç’është liria e një kombi, do të pyeste një
    fëmijë njomak që ka interes për të kuptuar në thelb kuptimin e etimologjisë së
    fjalës. Esat Valla, piktor i zellshëm dhe i ditur, që iu ka nënshtruar kësaj disipline,
    do të thoshte: Arti është energji ushtarake që i bënë konkurrencë drejtpërdrejtë
    lirisë dhe Zotit. Po kështu, edhe Bardha Buza që ka guxim krijues për ta qarë në
    dysh kokën e shqiponjës në kontekst të Rozafatit, e vendos në mes të dy brigjesh
    për nevoja të komunikimit. Pra, arti tërthorazi është i qumësht fëmijëror për
    origjinën e njeriut dhe ngelet parantezë në kultin e mendimit filozofik. Ngjashëm
    me të, arti identifikohet me nënqiellin e një mendësie që mbështillet me kopertina
    të trasha të letërsisë së vjetër.
    Sa artefakte trashëgimore mban Serbia në muzetë e tyre në Beograd? Është pyetje
    retorike që i bën prezenca e veprës së Budim Berishës. Çfarë iu duhet historia jonë
    atyre, do të pyeste Isa Alimusa që ka me qindra e mijëra vepra të këtij lloji që
    pasqyrojnë shekujt e kësaj treve. Arti mbase peshohet me tokën, me paraardhësit,
    me filozofinë mitologjike dhe biblike, me kulturën e gjerë trashëgimore, andaj, na
    vjedhin të tjerët, do të thoshte prezenca e veprës së Agron Bytyçit. Pra, arti është
    fakt, është gjini e veçuar që e do edhe Zoti, meqë përbashkon rreth një ideje
    konkrete apo abstrakte të ditur e të paditur, do të thoshte Safet Spahiu.
    Arti është bronz skulptural i cili merr përmasa muzeore kur ka bazë në tregun e
    vlerave historike. Sabri Behrami, Butrin Morina dhe Selam Kastrati janë sonte
    gardianë të kësaj kulture daltuese. Tema e sontme, realisht, i paraprinë gjenezës do
    të thoshte vjershëtori i pikturës, profesor Musë Prelvukaj. Për tiparet e këtyre
    legjendave, për veçoritë apo për karakteristikat e ngjyrave të kësaj filozofie që
    ndërthuren me nuancat e ngjyrave të krenarisë dhe që janë muzë frymëzimi dhe
    lakmie për të tjerët, do të thoshin Luljeta Rama Muçaj, Arlinda Hajrullahu, Eliza

    Hoxha, Lirije Buliqi, Saba Berisha–Ismajli, Saranda Kika-Bahtiri, Valbona Gashi,
    Arta Rushiti. Nga aspekti i të krijuarit artisti ngelet enigmë elitare në rebusin
    krijues. Po përpiqem që të dëftoj ide tërthorazi për të ngritur në nivel të
    përgjegjshmërisë artin e krijuesve tanë. Vendet prej nga vijnë piktorët e kësaj
    kategorie për dioptrinë kritike ngelen fjalëkryq studimor do të thoshin artistët:
    Fehmi Hoxha dhe Refki Gollopeni. Këtë modul arketipor e vërej në shtëpinë e zezë
    me dritare të kuqe të Mervan Mustafës, kështu portretohen dhe veprat e tjera të
    Qazim Xhylanit, Mentor Avdilit, Avdi Hajdarit-Kame, Fatmi Jukës, Leart Hysenit.
    Arti është i urtë, është libër i shenjtë, i matur, i ditur, i qartësuar, nuk hap derën më
    shumë se që duhet hapur, do të thoshte menaxheri i “Open Art Gallery”, piktori
    Naim Spahiu.
    Pra, kjo ekspozitë në këtë datë tërësisht simbolike, koincidon me peshoren e lirisë
    në pikturën bashkëkohore.
    Në përmbyllje të perdes, ekspozita e kësaj nate shkurti na bënë të kujdesshëm
    sidomos kur e mbyllim derën e mendimeve tona. Është intuitë proverbiale që do të
    përshtatej me ideatorin e këtij eventi pamor, piktorin Anton Krasniqin, që është
    dhe ideator dhe kurator i kësaj kurrikule kërkimore dhe kulturore, parasëgjitash.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark