Eros Klaiqi
Përgjatë Sheshit ‘Jourdan’ në Bruksel ndodhen hoteli “Sofitel Europe” dhe restoranti “1040”. Në këto dy hapësira moderne, kryeministri Avdullah Hoti shpenzoi rreth 1 mijë e 400 euro gjatë vizitës pesë ditore të tij në Bruksel.
Për pesë ditë qëndrimi në Bruksel, kryeministri Avdullah Hoti shpenzoi 567 euro për dreka dhe darka zyrtare, tregojnë faturat e shpenzimeve të kabinetit qeveritar.
Shefi i ekzekutivit qëndroi pesë ditë në një vizitë në Bruksel në fillim të shtatorit të këtij viti, në kuadër të procesit të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Gjatë këtyre ditëve qëndrimi në kryeqendrën e BE-së, Hoti darkoi në restorantin “1040”, një lokal modern gastronomie i vendosur në Sheshin Jourdan të Brukselit.
Dy fatura të veçanta, të cilat Gazeta Insajderi i ka siguruar përmes kërkesës për Qasje në Dokumente Publike, tregojnë se i pari i qeverisë pagoi 567 euro për dy darka në restorantin “1040”.
Fatura e darkës së parë, të konsumuar më 6 shtator, përmban taliateli, pica e verëra italiane. Vlera e përgjithshme e faturës është 184 euro e 50 cent.
Atë natë, bazuar në faturat zyrtare, një shishe vere e markës italiane “Primitivo di Manduria” është paguar në shumën e 28 eurove.
Në emër të kryeministrit Hoti, me para të taksapaguesve kosovarë është konsumuar edhe një “Tranche de Boeuf”, një pjatë bifteku francez. Ky specialitet u pagua 19 euro, tregojnë dokumentet publike që ka siguruar gazeta.
Katër netë më vonë, në emër të Hotit u shpenzuan edhe 364 euro të tjera në një darkë tjetër të delegacionit kosovar në Bruksel. Edhe kjo darkë u konsumua në restorantin “1040”.
Fatura e lëshuar për kryeministrin Hoti në mbrëmjen e 10 shtatorit, është goxha e gjatë.
Pesë taliateli të porositura nga anëtarët e delegacionit të Kosovës në këtë darkë kapin shifrën e 111 eurove në total. Sikurse në darkën e parë, edhe darkën e dytë anëtarët e qeverisë e shoqëruan me një verë italiane “Primitivo di Manduria”.
Përgjatë Sheshit Jourdan të Brukselit, në afërsi të restorantit “1040”, ndodhet hoteli me pesë yje, “Sofitel Europe”.
Në këtë vend u akomodua kryeministri Hoti gjatë katër netëve të qëndrimit në Belgjikë. Në total, shpenzoi 881 euro për shërbimet e hotelit.
Dy netët e para – më 6 dhe 7 shtator – Hoti harxhoi 64 euro e gjysmë për dy mëngjese, ndonëse pagoi 400 euro për dhomën dhe mëngjesin në një paketë.
Fatura e dy netëve të para të qëndrimit të kryeministrit në “Hotel Sofitel Europe” kap shifrën e 472 eurove.
Natën e radhës, atë të 8 shtatorit, Hoti e kaloi në Prishtinë ku ishte rikthyer para se të fluturonte sërish për në Bruksel një ditë më vonë. Natër zgjodhi ta kalonte sërish në “Hotel Sofitel Europe”.
Në dy netët e ardhshme të qëndrimit aty, Hoti shpenzoi më pak të holla nga buxheti i shtetit. 400 euro për dhomën dhe mëngjesin, ndërkaq edhe 4 euro e 24 cent për shërbime të taksive në Bruksel.
Faturat e shpenzimeve të kryeministrit Hoti tregojnë se për pesë ditë qëndrimi në ‘kryeqytetin e BE-së’, ai mori mëditje në shumë prej 532 eurove.
Në përgjithësi, totali i mëditjeve, akomodimit, mëgjeseve e darkave të Hotit arrin vlerën e 1981 eurove të shpenzuara për pesë ditë.
Gazeta Insajderi, të martën raportoi edhe për mbi tetë mijë eurot e shpenzuara nga kryeministri Hoti gjatë vizitës gjashtë ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas raportimit të gazetës, bileta për të shkuar deri në shtetin më të fuqishëm në botë i kushtoi hiç më pak se 2 mijë e 141 euro.
Kryeministri që në Prishtinë thotë se gjatë drekës ha sandviç – për dreka, taksi dhe gjëra të tjera gjatë vizitës zyrtare në Ushashington – i ka shpenzuar 2 mijë e 246 euro.
I pari i ekzekutivit i cili qëndroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga 31 gushti deri më 4 shtator, për akomodim nga buxheti i shtetit harxhoi edhe 3 mijë e 282 euro të tjera.
Hoti, për këtë udhëtim në Uashington, i mori edhe 693 euro mëditje. /GazetaInsajderi