Federata e Futbollit e Azerbajxhanit nuk do ta rinovojë kontratën me trajnerin Gianni de Biasi dhe kështu trajneri italian do të jetë i lirë. Barazimi 2-2 ndaj Katarit dy ditë më parë mund të ketë qenë ndeshja e fundit e Gianni De Biasit si trajner i Azerbajxhanit.
Në fakt, kontrata e ish-përzgjedhësit të Shqipërisë s skadon më 30 nëntor dhe siç mësohet nga Tutomercatoweb, Federata e Futbollit e Azerbajxhanit nuk duket se ka ndërmend ta rinovojë atë.
De Biasi ka bilanc negativ si trajner i Azerbajxhanit. Në 20 ndeshje në krye të ekipit azer, ai arriti 2 fitore (kundër Qipros dhe Bjellorusisë), 6 barazime dhe 12 humbje.
De Biasi e udhëhoqi Shqipërinë drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian për herë të parë në vitin 2016, ndërkohë nuk përjashtohet mundësia që ai tani të marrë drejtimin e Kosovës.
Menjëherë pas shkarkimit të trajnerit zviceran, Bernard Challandes, janë përmendur shumë emra për të marrë drejtimin e “Dardanëve”, në mesin e tyre edhe emri i njeriut që shkroi histori me Shqipërinë, Gianni de Biasi.
Gazeta Express e kishte kontaktuar ish trajnerin e Kombëtares shqiptare, i cili nuk ka hezituar që të jap një përgjigje lidhur me spekulimet që e lidhin me Kosovën.
Duke treguar se ka kontratë me Azerbajxhanin, De Biasi lavdëroi organikën e Kosovës.
“Sapo kam arritur në Baku nga Beogradi. Deri tash nuk më ka kontaktuar askush. Unë kam kontratë me Azerbajzhanin deri më 30 nëntor dhe nuk është e ndershme të flas për Kombëtaret tjera. Megjithatë, mund të them se Kosova e ka një ekip të mirë/shkëlqyeshëm”, kishte thënë De Biasi për Express.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi njoftoi se trajneri i ri mund të zgjidhet në muajin shkurt ose mars të vitit të ardhshëm.
“Dardanët” në dy ndeshjet e nëntorit i drejtoi trajneri slloven, Primoz Gliha duke humbur fillimisht në miqësore ndaj Jordanisë dhe duke barazuar në Athinë nga Greqia 1:1