×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Deklarohet i pafajshëm ish-zyrtari që akuzohet për favore ndaj Luan Dalipit në tenderin 2 milionë eurosh

    Insajderi
    09 October 2023 - 17:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në rigjykim, ish-zyrtari i Ministrisë i Tregtisë dhe Industrisë, Xhemajl Syla është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për veprën penale keqpërdorim të informatës zyrtare.

    Deklarimi i të akuzuarit Syla është bërë të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Më pas është dhënë fjala hyrëse nga ana e  prokurores speciale Drita Hajdari, e cila ka deklaruar se qëndron prapa fjalës hyrëse të dhënë më parë për këtë çështje penale.

    Po ashtu, prokurorja Hajdari ka thënë se qëndron prapa provave të propozuar si në aktakuzë,  me plotësim të administrimit të provave emali-ve të shkëmbyera në mes të akuzuarit Syla dhe Luan Dalipit, të cilat janë përkthyer nga gjuha angleze në gjuhën shqipe sipas kërkesës së Gjykatës së Apelit.

    Andaj, e njëjta i ka propozuar gjykatës që emali-ve tani të përkthyera në gjuhën shqipe të administrohen si provë gjatë shqyrtimit gjyqësor.

    Në fund e prokurorja Hajdari ka thënë se sikurse në aktgjykimin e mëparshëm prokurorja disponon me prova të mjaftueshme dhe bindëse që i akuzuari Syla ka kryer veprën penale si në aktakuzë.

    Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Syla, avokati Mahmut Halimi ka thënës e qëndron prapa fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin e kaluar.

    I njëjti ka shtuar se në raport me dëshmitarin Dalipi, pastaj A.K dhe ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka të njëjtit nuk mund të jenë dëshmitarë në këtë çështje penale pasi që të njëjtit kanë qenë objekt i hetimeve për këtë çështje dhe kanë pasur statutin e të pandehurve e një gjë e tillë sipas tij precizohet edhe në ndryshmet të Kodit të Procedurës Penale që deklaratat e bashkëpandehurve nuk mund të shërbejnë si provë ndaj bashkëpandehurve të tjerë.

    Tutje avokati Hamiti tha se me qëllim të ekonomizimit të procedurës i propozoi gjykatës që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve të dëgjuar në shqyrtimin e kaluar me përjashtim të dëshmitarëve të lartcekur pasi i konsiderojnë si të papranueshme.

    Ndërsa, avokati Halimi i ka propozuar gjykatës që në këtë shqyrtim gjyqësor të ftohen edhe Zijadin Isaku dhe Ardijan Krasniqi, përmes të cilëve sipas tij do të përpiqen që të zbërthejnë kundërthëniet e deklaratave të tyre në raport me sqarimin e funksionimit të formatit PDF.

    Po ashtu i njëjti i propozoi gjykatës  që të dëgjohet një ekspert i pavarur i IT-së lidhur me formatin PDF.

    Në fund avokati Halimi tha se mund të propozojnë edhe ndonjë provë shtesë e cila do të ndihmojë në zbardhjen së vërtetës.

    Fjalët e të mbrojturit të tij, avokatit Halimi i ka përkrahur në tërësi i akuzuari Syla.

    Lidhur me propozimin e avokatit Halimi, prokurorja Hajdari ndër të tjera tha se nuk ekziston asnjë bazë ligjore për veçimin e provave.

    Ndërsa e njëjta ka kundërshtuar propozimin lidhur me dëgjimin e zyrtarëve policor, me arsyetimin se në shqyrtimin e kaluar janë marrë në pyetje hollësisht lidhur me rrethanat që avokati dëshiron edhe një herë me i marrë.

    Tutje, prokurorja Hajdari ka thënë se është relevant dëgjimi i dëshmitarit Dalipi, andaj mbetët pranë dëgjimit të tij si dëshmitarë apo leximit të deklaratës së tij të dhënë në shqyrtimin e kaluar për këtë çështje penale.

    Më pas gjykues i kryesuar nga gjykatësja Medie Bytyqi, mori aktvendim me të cilin e ka aprovuar propozimin e mbrojtësit të akuzuarit Syla, avokatit Halimi lidhur me veçimin e provave- deklaratat e dëshmitarëve Luan Dalipi, A.K dhe Valdrin Lluka, ashtu që deklarata e të njëjtëve veçohen nga shkresat e lëndës për shkak se të njëjtit në fillim të hetimeve kanë pasur cilësinë të pandehurve.

    Po ashtu,  trupi gjykues ka aprovuar propozimin e avokatit Halimi që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen Zijadin Isaku dhe Ardijan Kransiqi, si dhe një ekspert i pavarur i IT-së.

    Më pas seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve M.S dhe L.G.

    Dëshmitarja M.S ka deklaruar se qëndron prapa deklaratës së dhënë më parë në gjykatë për këtë çështje penale.

    E njëjta ka thënë se qëndron prapa përgjigjeve të dhëna në shqyrtimin e kaluar ndaj pyetjeve të prokurores Hajdari, të akuzuarit Syla dhe mbrojtësit të tij, avokatit Halimi, si dhe trupit gjykues.

    Në fund dëshmitarja M.S ka thënë se nuk ka asgjë për të shtuar lidhur me këtë çështje.

    Gjithashtu edhe dëshmitarja L.G ka deklaruar se qëndron prapa deklaratës së dhënë më parë në gjykatë për këtë çështje penale. Po ashtu edhe në prapa përgjigjeve të dhëna në shqyrtimin e kaluar ndaj pyetjeve të prokurores Hajdari, të akuzuarit Syla dhe mbrojtësit të tij, avokatit Halimi, si dhe trupit gjykues.

    Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua për datën 24 nëntor të këtij viti.

    Ndryshe, në fillim të seancës gjykatësja Bytyqi  pasi që në shqyrtimin e kaluar kishin pasur kërkesë për kufizim sa i përket marrjes së pamjes në drejtim të dëshmitarëve, andaj lidhur me këtë kërkoi mendimin e palëve në procedurë.

    Lidhur me këtë prokurorja Hajdari dhe mbrojtësi i të akuzuarit Halimi e lënë në vlerësim të gjykatës.

    Ndërsa dëshmitaret M.S, L.G dhe A.K kërkuan që të mos ketë filmim dhe që të mos përmenden me emër dhe mbiemër por me iniciale.

    Më pas trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësja Bytyqi morri aktvendim me të cilën kufizoj, fotografimi, filmimin i sa i përket dëshmitarëve M.S. L.G dhe A.K, ashtu që u ndalohet të merren pamje në drejtim dhe në vend të emrit dhe mbiemrit të përdoren inicialet.

    Kurse, avokati Halimi propozoj gjykatës që i mbrojturi i tij, Syla të mos fotografohet, incizohet apo të publikohet emri dhe mbiemri me përjashtim të inicialeve, me arsyetimin se në raste të shpeshta paraqitja e  një të akuzuari para publikut përmes mediave po krijon një prejudikim të çështjes dhe bije në kundërshtim me parimin e prezumimit të pafajësisë.

    Këtë propozim të avokatit Halimi, trupi gjykues e ka refuzuar.

    Ndërsa, me 27 shkurt 2023, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën si të bazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Syla, avokatit Mahmut Halimi duke e kthyer lëndën në rigjykim dhe vendosje, me arsyetimin se Apeli ka gjetur se aktgjykimi i themelores është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës dhe se shkeljet e tilla janë të natyrës absolute që kushtëzpojnë anulimin e aktgjykimit.

    Në vendimin e Apelit, ndër të tjera thuhet se themelorja ka administruar email-et e komunikimit ndërmjet të akuzuarit Syla dhe Luan Dalipit me përmbajtjte të gjuhës angleze dhe se të njëjtat pa u përkthyer ishin bërë pjesë e aktgjykimit.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Xhemajl Syla akuzohej se më 5 dhjetor 2018, si person zyrtar, udhëheqës i Divizionit për mbështetje të bizneseve dhe zhvillimeve regjional në Ministrinë Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka keqpërdorur informatën zyrtare me qëllim të përfitimit e përparësisë për kompaninë “Menagment Development Association” (MDA) e cila ka ofertuar në tenderin, sipas projektit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, në vlerë prej dy milionë euro.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi më 30 prill 2013 ishte publikuar njoftimi për kontratë për tenderin në fjalë, i akuzuari Syla, gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator të vitit 2013, i ka dërguar Luan Dalipit, menaxher në kompaninë MDA, dokumente të brendshme të MTI-së dhe informacione lidhur me kushtet dhe kriteret për tender.

    Në bazë të këtyre informatave, vazhdon akuza, Dalipi i kishte ndryshuar pastaj kriteret e kontratës për përzgjedhjen e ekspertëve në këtë projekt, duke e përshtatur në atë mënyrë ofertën e kompanisë se tyre për tenderin në fjalë.

    Pas kësaj, sipas aktakuzës, Xhemajl Syla, si anëtar i komisionit për vlerësim të ofertave në këtë tender, më 24 shtator 2013 kishte nënshkruar deklaratën e paanshmërisë dhe konfidencialitetit, e cila e obligonte që ta ruajë rreptësisht fshehtësinë në lidhje me çdo informatë të marrë si rezultat i përfshirjes së tij në vlerësimin e ofertave në procesin e prokurimit.

    Mirëpo, përkundër kësaj në aktakuzë thuhet se Syla në kundërshtim me deklaratën e nënshkruar, ka dërguar tek Luan Dalipi, informacione në lidhje me vlerësimin dhe poentimin e ofertave në këtë proces të prokurimit, duke e njoftuar për përparësitë e kompanisë MDA krahas kompanive tjera konkurruese në këtë tender.

    Ai akuzohej se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare” nga neni 423, par. 2, lidhur me par. 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dymbëdhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi

    Shënim: Personat e përmendur në ketë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark