×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Delawie për Insajderin: Turp që Serbia se nënshkroi marrëveshjen në Bruksel – Asociacioni të bëhet sipas Kushtetutës së Kosovës

    Insajderi
    01 March 2023 - 16:23

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në praninë e ndërmjetësve evropianë, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak u takuan të hënën (27 shkurt) në Bruksel. Pas takimit, u tha se palët për të normalizuar marrëdhëniet mes dyja shteteve janë pajtuar me propozimin evropian, por që nuk kishte gatishmëri nga pala serbe për nënshkrim. Për zhvillimet mbi dialogun Kosovë-Serbi, Gazeta Insajderi ka kontaktuar ish-ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.

    Delawie e cilësoi si turp mos gatishmërinë e palës serbe për të dhënë nënshkrimin për marrëveshje me Kosovën.

    Çdo takim në të cilin liderët e Kosovës dhe Serbisë trajtohen si të barabartë është një hap pozitiv. Duket se ka marrëveshje verbale për propozimin e BE-së, që është e mirë, por Serbia nuk është e gatshme ta nënshkruajë marrëveshjen, gjë që është turp”, ka deklaruar ai.

    Ish-ambasadori është pyetur edhe çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. Potencoi se duhet të zbatohet sipas Kushtetutës së Kosovës.

    Një asociacion që përfitojnë serbët e Kosovës, jo qeveria serbe”, u shpreh mes tjerash Delawie.

    Asociacioni ka qenë pjesë e Planit të Ahtisarit nga viti 2007 dhe është pranuar nga Kosova dhjetë vjet më parë. Do të duhet të zbatohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me kuptimin se synohet të përfitojnë serbët e Kosovës, jo qeveria serbe”.

    Duke folur për qëndrimet e ashpra të Serbisë ndaj Kosovës, Delawie përmendi dy pika të rëndësishme, që sipas tij presidenti serb duhet t’i ketë parasysh në mënyrë që procesi i dialogut të ecë tutje.

    Pikat më të rëndësishme janë se 1) Serbia i bashkohet pjesës tjetër të botës dhe e njeh Kosovën si shtet të pavarur, duke i hapur rrugën anëtarësimit në Kombet e Bashkuara; dhe 2) se Serbia heq dorë nga kërcënimi i dhunës për të zgjidhur mosmarrëveshjet e saj me Kosovën”, ka thënë ai.

    Delawie edhe njëherë ritheksojë se Kosova dhe Serbia duhet të bien dakord për pjesën e zbatimit të planit franko-gjerman.  Ndërkohë, i bëri thirrje edhe Bashkimit Evropian, që të punojë me shtetet që nuk e njohin Kosovën, pra me Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë, Qipron në mënyrë që ta njohin pavarësinë Kosovës.

    Theksojmë se Delawie ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë nga viti 2015 deri në fund të shtatorit 2018.

    Çka u tha në takimin tre palësh?

    Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq qëndruan pesë orë në takimin në Bruksel u pajtuan që propozimi evropian “nuk ka nevojë për bisedime të mëtejme” dhe se ata e kanë pranuar në plotëni atë, ka thënë Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borrell, shkruan Insajderi.

    “Jam i kënaqur t’ju njoftoj”, ishte fjalia hyrëse e Borrellit për të shpallur lajmin e mirë se takimi i sotëm ndërmjet Kurtit dhe Vuçiq ka pasur rezultate të mira.

    “Që të dy liderët treguan sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje. Dhe jam i kënaqur të lajmëroj se Presidenti Vuçiq dhe Kryeministri Kurti sot janë pajtuar se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth propozimit të BE’së”, tha Borrelll.

    Kryeministri Albin Kurti deklaroi para gazetarëve në Bruksel se kishte shprehur gatishmërinë për ta nënshkruar pranimin e planit evropian, por që një gjë të tillë nuk ishte e gatshme ta bënte pala serbe.

    Kurti tha se një marrëveshje e dakorduar ndërmjet dy krerëve, nuk do të ishte marrëveshja e parë, pasi që marrëveshje të përbashkëta ishin nënshkruar edhe më herët në Berlin.

    Unë nuk e kam nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme për ta nënshkruar. Unë kam shprehur gatishmërinë dhe interesimin tim për ta nënshkruar. Fundja nuk do të ishte teksti parë që nënshkruan kryeministri i Kosovës dhe kreu i Serbisë. Duke pasur parasysh që më datën 3 nëntor të vitit të kaluar, në Berlin kemi nënshkruar tri marrëveshje me Bërnabiq. Është dëme që nuk është nënshkruar sonte, edhe pse u pajtuam. Konfirmimi i pranimit i këtij teksti, do të duhej të rezultonte me nënshkrim, por ishte pala serbe që nuk e bëri këtë ndonëse e bëri”, deklaroi kryeministri Kurti para gazetarëve.

    Pas takimit u deklaruar edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, takimin e cilësoi si mjaftë të vështirë.

    Vuçiq para gazetareve tha që ai ka insistuar për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit, por që sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar.

    “E dëgjova me kujdes Albin Kurtin” dhe se “kuptova çdo gjë që më tha”. Madje, tha ai, “e kuptova edhe pse Asociacioni është i papranueshëm për të”.

    “Por, këto janë obligime që duhet të përmbushen dhe shpresoj të përmbushen në periudhën në vijim”, tha Aleksandër Vuçiq.

    “Kosova humbi njohjen dhe fitoi Asociacionin”

    Pas përfundimit të takimit Kurti-Vuçiq, opozita kosovare pati një varg kritikash ndaj kryeministrit.

    I pari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se ndodhi ajo që e kishin paralajmëruar. Sipas, Krasniqit kushtet dhe qëndrimet u shkrinë para interesave personale dhe ambicieve për pushtet të kryeministrit Kurti.

    “Duhet thënë zëshëm dhe qartë: tashmë është edhe zyrtarisht evidente se propozimi evropian nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, si kriter kryesor për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetit tonë. Kosova humbi njohjen dhe fitoi Asociacionin”, potencoi Krasniqi.  

    Se u “vërtetuan brengat e LDK-së për dialogun”, e tha lideri i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

    Ai theksoi se me këtë marrëveshje është arritur qëllimi i Serbisë pasi sipas tij, ka gjithçka përveç njohjes.

    “Gjithçka përveç njohjes – ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët. Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake – përfshirë dhe Asociacionin – si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe”, tha Abdixhiku.

    Lideri i LDK-së shtoi se kryeministrit Kurti i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë sipas tij, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake ka pranuar që ta themelojë atë.

    Përmbajtja e planit franko-gjerman

    Bashkimi Evropian e ka publikuar të plotë Propozimin Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Propozimi përmban gjithsej 11 nene.

    Neni 10 e bënë të qartë se pala kosovare ka pranuar që të zbatohet marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

    “Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”, thuhet në këtë pikë të propozimit.

    Ky është propozimi, i publikuar i plotë në faqet zyrtare të BE-së:

    Palët e dakorduara,

    Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes,

    Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës,

    Të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen,

    Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit,

    Me dëshirën për të krijuar kushtet për bashkëpunim ndërmjet Palëve në dobi të popullit,

    Kanë rënë dakord si më poshtë:

    Neni 1

    Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.

    Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

    Neni 2

    Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi.

    Neni 3

    Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

    Neni 4

    Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

    Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

    Neni 5

    Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

    Neni 6

    Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

    Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe konektivitetit, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fushave të tjera të ngjashme nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.

    Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga Dialogu i udhëhequr nga BE.

    Neni 7

    Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

    Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

    Neni 8

    Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverive përkatëse.

    Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.

    Neni 9

    Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

    Neni 10

    Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

    Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

    Neni 11

    Të dyja palët angazhohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit si shtojcë në këtë Marrëveshje. 

    Takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, do të mbahet me 18 mars në Shkup.

    /GazetaInsajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark