×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Dëmtimet në futboll lënë me një këmbë ish-sulmuesin francez

    Insajderi
    04 April 2022 - 15:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ish-sulmuesi francez i PSG-së dhe Metz, Bruno Rodriguez është detyruar të prejë këmbën e djathtë si pasojë e dëmtimeve të marrë gjatë kohës kur luante futboll.

    Me dhimbjen që filluan të bëheshin akoma edhe më të padurueshme, Rodriguez sot 49-vjeçar mori guximin t’i kërkonte mjekëve t’ia prenin këmbën. “Nuk duroj dot më, ma prisni këmbën”, mësohet t’i ketë thënë ai mjekëve një muaj e gjysmë më parë.

    “Kur luaja futboll kisha shumë ndrydhje të kyçit të këmbës. Ndrydhje për shkak të goditjeve pak të rënda, të cilat nuk i shohim më, sepse lojtarët janë më të mbrojtur. Kortizoni që më është injektuar, dihet, e ha kërcin dhe nëse nuk ka më kërc, kavilja del jashtë funksioni.

    Ne si futbollistë nuk jemi domosdoshmërisht të vetëdijshëm për pasojat. Është e sigurt që nëse do të më ishin shpjeguar pasojat nga mjekët, do të kisha thënë: dakord, po pushoj ndeshjen e ardhshme”.

    Këto injeksione i shkaktuan dëme të konsiderueshme në jetën e tij. Pas tërheqjes nga futbolli, ish-lojtari i PSG-së hapi një furrë buke dhe u bë drejtor sportiv i Bastia-Borgo për tri vite. Megjithatë, vuajti si kurrë më parë: “Unë nuk kisha më asnjë autonomi, nuk mund t’i jepja as makinës. Gruaja ime duhej të më lante.

    Nuk mund të punoja më, kështu që më mbaruan edhe paratë. Nuk mund të kënaqesha me fëmijët e mi. Nuk mund të bëja më asgjë, qëndrova në shtëpi. Nuk isha më i dobishëm. Domosdoshmërisht kalova në depresion. Irritohesha lehtësisht. Nuk kishte më jetë as për gruan time. Nëse nuk do të kishte qenë ajo, mund të kisha vrarë veten”.

    Më pas ai mori vendimin radikal, por thelbësor. Iu kërkoi mjekëve t’i amputonin këmbën e djathtë. Dhimbja u bë e padurueshme për Bruno Rodriguez: “Vendimi ishte i vështirë për t’u marrë, por në të njëjtën kohë jam pothuajse i lehtësuar”.

    Për tre muaj, Bruno Rodriguez-it iu desh të kryente seanca të shumta me fizioterapistë në mënyrë që trupi i tij të rifitonte ekuilibrin: “Unë kam dhimbjen e operacionit, por veçanërisht atë të gjymtyrës fantazmë, e cila do të pakësohet me kalimin e kohës. Këto janë dhimbje nervore, truri beson se e ka gjithmonë këmbën. Kam përshtypjen se kam këmbën, dua të lëviz gishtat dhe kyçin e këmbës… Është vërtet e çuditshme”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark