×
  • Lajme
  • Aktuale

    Deputetët shpesh u regjistruar vetëm për mëditje

    Insajderi
    02 August 2023 - 10:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shpalosi raporti analitik lidhur me zhvillimet gjatë sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës, me titullin: “Ligjvënia mes shumë sfidave”, raporton Ekonomia Online.

    Arbër Thaçi, hulumtues në KDI, gjatë interpretimit të të dhënave, tha se ky sesion është karakterizuar nga shumë të papritura dhe përmbajtje të llojllojshme, dhe ligjvënia gjatë kësaj periudhe u shoqërua me shumë sfida.

    Gjatë këtij sesioni, Kuvendi zhvilloi 49 seanca në tërësi. Afërsisht gjysma e tyre ishin seanca plenare, ndërsa ngecja në trajtimin e agjendës parlamentare në vitin paraprak dhe aktual, së bashku me keqplanifikimin, shkaktoi nevojën për të zhvilluar një numër të madh të vazhdimeve të seancave. Përveç këtyre, u mbajtën edhe tetë seanca të jashtëzakonshme dhe dy seanca të karakterit solemn.

    Thaçi shtoi se Kuvendi gjatë kësaj periudhe miratoi gjithsej 44 projektligje, 11 prej të cilave ishin marrëveshje ndërkombëtare.

    “Nga këto, 17 projektligje ishin pjesë e planit legjislativ të Qeverisë për vitin 2023, ndërsa pjesa më e madhe e projektligjeve të miratuara, 27 projektligje, ishin të planit legjislativ të viteve paraprake 2022 dhe 2021. Kështu, Kuvendi përmbushi 13% të planit legjislativ 2023. Në anën tjetër, 14 projektligje ende presin miratimin në lexim të dytë, pasi janë miratuar vetëm në shqyrtim të parë gjatë këtij sesioni”.

    Thaçi tregoi se mungesa e kuorumit ka ndikuar negativisht në këtë sesion, megjithatë numri i mjaftueshëm i deputetëve për të zhvilluar punimet e Kuvendit ka ekzistuar gjatë gjithë kohës, siç evidentohet në listat zyrtare.

    “Kjo dëshmon se deputetët kanë qenë të kujdesshëm për tu regjistruar për të marrë meditjet, por kanë treguar papërgjegjshmëri në pjesëmarrje të rregullt në punimet e Kuvendit. Kjo është në kundërshtim me Aktgjykimet Gjykatës Kushtetuese dhe interesin publik, që i obligon deputetët që të marrin pjesë rregullisht në punimet e Kuvendit”.

    Ai vuri në dukje edhe përdorimin e shpeshtë të gjuhës jo parlamentare, që nuk u ndëshkua nga ana e Kryetarit të Kuvendit, e që prodhoi tensionim të gjendjes, e cila gjatë muajit korrik eskaloi edhe në përplasje fizike mes deputetëve e ministrave,  me përmasa të tilla të papara ndonjë herë në Kuvend.

    Hulumtuesja Violeta Haxholli, prezantoi të dhënat lidhur me funksionin mbikëqyrës të Kuvendit. Sipas saj, në këtë sesion, deputetët parashtruan gjithsej 171 pyetje parlamentare, raporton EO.

    “Megjithatë, numri i pyetjeve nuk ishte i kënaqshëm, duke pasur një mesatare të ulët për secilin deputet ndërsa, 82 deputetë nuk parashtruan asnjë pyetje parlamentare. Më së shumti pyetje parashtruan deputetët e partisë në pushtet me gjithsej 102 pyetje, pasuar nga partitë opozitare, PDK-ja me gjithsej 45 pyetje, AAK-ja me 13 pyetje, LDK-ja me 10 pyetje dhe Komunitetet me vetëm 1 pyetje”.

    “Kryeministri Kurti pranoi 17 pyetje kryesisht lidhur me zhvillimet në veri dhe dialogun me Serbinë, për të cilat ofroi përgjigje. Në anën tjetër, disa nga ministrat nuk trajtuan seriozisht pyetjet e deputetëve, veçanërisht Ministri i Punëve të Brendshme dhe Ministrja e Punëve të Jashtme nuk iu përgjigjën pyetjeve, ndonëse ato u përsëritën disa here”.

    Haxholli foli gjithashtu edhe për trajtimin e Reformës në Drejtësi nga Kuvendi, duke vlerësuar pozitivisht konsensusin mes partive politike për shqyrtimin e vettingut, por duke treguar nevojën për të mirëmbajtur konsensusin dhe zgjeruar përkrahjen për këtë proces edhe tek partitë e komuniteteve jo shumicë, pasi që për miratimin e amendamenteve kushtetuese për vettingun nevojiten edhe 2/3 e tyre.

    “Sa u përket zhvillimeve në Komisionet Parlamentare ato mbajtën gjithsej 221 mbledhje, 10 dëgjime publike dhe 5 vizita në terren. Më së shumti mbledhje mbi 20, mbajtën Komisioni për Ekonomi,  Komisioni për Shëndetësi, Komisioni për Buxhet dhe Komisioni për Legjislacion. Komisionet trajtuan rreth 35 projektligje. Ndërsa në aspektin e mbikëqyrjes ministrat e Qeverisë paraqitën projektligje dhe raportuan 35 herë para komisioneve, ndërsa përfaqësuesit e tjerë të lartë institucionalë 42 herë. Vetëm tre komisione zhvilluan vizita në terren tek institucionet përkatëse gjatë kësaj periudhe”.

    Sa i përket mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve, Haxholli theksoi se vetëm dy ligje u mbikëqyrën në tërësi nga Kuvendi, një shifër që nuk është e mjaftueshme, raporton EO.

    Ajo gjithashtu shprehu shqetësimin e saj lidhur me mungesën e transparencës së Kuvendit ndaj publikut, përfshirë mungesën e votimit elektronik, mos publikimin e votave me dorë, dhe mos publikimin e rregullt të procesverbaleve të mbledhjeve të komisioneve parlamentare dhe atyre ad-hoc.

    KDI ofroi disa rekomandime për Kuvendin dhe deputetët, duke theksuar nevojën për planifikim të mirëfilltë të seancave, pjesëmarrje të rregullt të deputetëve në punimet e Kuvendit, zgjerim të konsensusit dhe gjithëpërfshirjes për Reformën në Drejtësi, rritje të mbikëqyrjes ndaj ekzekutivit, adresimin e gjuhës jo parlamentare dhe garantimin e transparencës së Kuvendit ndaj publikut.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark