×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Deri tani 160 kërkesa për dëmet nga vërshimet – Kryetari i Pejës shpalos detajet për Insajderin

    Insajderi
    27 June 2023 - 15:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Të shtunën e 24 qershorit, moti i ligë kaploi qytetin e Pejës, si pasojë e vërshimeve të shkaktuar dy persona humbën jetën, ndërkohë dëmet materiale po parashikohet të jenë të larta. Detaje për Insajderi ka dhënë kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri.

    Muhaxheri konfirmoi për Insajderin se deri më tani 160 kërkesa janë pranuar nga qytetarët e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, teksa tregoi se deri kur kanë kohë për të lajmëruar dëmet.

    Për evidentimin e dëmeve materiale veçse janë krijuar komisionet gjegjëse, tha i pari i Pejës.

    “Janë duke u lajmëru qytetarët, është duke u bërë protokollimi i kërkesave për vlerësim të dëmeve të qytetarëve. Janë dy komisione që kanë dalë në terren, njëra është për vlerësim të dëmit në amvisëri tjetra në biznese dhe në fund do ta bëjmë një për infrastrukturë rrugore”, u shpreh Muhaxheri.

    “Deri tani 160 kërkesa janë bërë deri në momentin që po flasim, dhe mundësia për t’i lajmëruar dëmet do të jetë e hapur për 10 ditë“, potencoi ai.

    Vërshimet e shumta nuk kanë lënë pa bërë dëme edhe në trashëgiminë kulturore.

    “Për momentin është një shtëpi që është nën mbrojtje trashëgimisë kulturore, për të cilën është duke u marrë edhe pronari i shtëpisë…”, sqaroi ai.

    Duke folur për kontaktin që kanë me pushtetin qendror, Muhaxheri tha se janë kryer disa pagesa për dëmet e shkaktuar, në fillim të vitit nga reshjet e shumta, ndërkohë që për të fundit janë duke u bërë përgatitjet.

    “Së pari, në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave dorëzohet raporti i dëmeve në formular, mandej shkon në qeveri, dhe, qeveria merr vlerësim të kompensimit të dëmtimit që janë bë. Janë ardhë këtë herë pagesat për dëmtimet që janë bë, në fillim të vitit për amvisëri dhe bujqësi janë duke u bërë pagesat, besoj që javën tjetër, siç po thotë AME, do të bëhen pagesat e qytetarëve për pjesën tjetër ende s’jemi të informuar”.

    Kujtojmë se në fillimit të vitit përveç Pejës, nga vërshimet u prekën edhe disa qytete tjera si Skenderaj, Mitrovica e Jugut, Klina dhe Istogu.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark