×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Dëshmitarë të kërcënuar, avokatë të vdekur dhe përplasja Prokurori-avokatë për videot, çka po ndodhë me rastin Ivanoviq

    Insajderi
    02 August 2023 - 15:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ishte paraparë që të lëshoheshin në seancë publike video-incizime të rëndësishme për zbardhjen e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Por, kjo duhet tash të pres deri në fund të tetorit, pasi që avokatët e Prokurori i rastit patën mospajtime sa i përket vet këtyre materialeve.

    Në seancën e së mërkurës, në gjykimin për vrasjen Ivanoviqit, është vendosur që video – incizimet prej 61 GB, të iu dorëzohet mbrojtjes së të akuzuarve tash edhe me anë të pajisjeve USB ose hard-disk.

    Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Pas seancës, për Insajderin ka folur avokati i të akuzuarës Silvana Arsoviq, Musa Damati.

    Ai në këtë prononcim ka bërë me dije se në këtë proces të gjatë gjyqësor, e ku po administrohen mijëra faqe dokumente e mijëra ore incizime, ka ndodhur gjëra që publiku duhet të iu kushtoi vëmendje.

    Ai në këtë prononcim ka thënë që në këtë proces, gjatë dëshmisë së tyre, dëshmitarë të mbrojtur kanë treguar se ndihen të kërcënuar. Ai tha se edhe pse ata janë të koduar, kanë deklaruar që disa prej tyre janë vetë, por edhe me familje të kërcënuar.

    Ai ka shtuar se gjatë këtij procesi që po zgjatë për shumë kohë, së paku dy avokatë mbrojtës kanë vdekur.

    Prononcimin e plotë e gjeni këtu:

    Përplasja në mes Prokurorit e avokatëve për videot e rastit Ivanoviq

    Në seancën e së mërkurës, fillimisht prokurori special Burim Çerkini ka thënë që kanë bërë përpjekje që video-incizimet të vendosin në një format që mund të lexohen dhe kanë bërë ndarjen e sekuencave për çka konsiderojnë se janë të rëndësishme ku materiali është më shumë se 463 GB, andaj i njëjti është zvogëluar në 61 GB dhe ato janë sekuenca për këtë çështje e që janë të rëndësishëm për tu parë.

    Lidhur me këtë mbrojtësi i të akuzuarit Rade Basara, avokati Tomë Gashi  ka thënë se nuk iu duhen fare këto video-inicime, pasi që i mbrojturi i tij ka qenë në Kroaci.

    I njëjti lidhur me udhëtimin e të mbrojturit tij, në Kroaci në ditën e vrasjes së Ivanoviq i dorëzoj gjykatës lejen e qarkullimit të veturës me të cilën ka udhëtuar për Kroaci.

    Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Dragisha Markoviq, avokati  Dejan Vasiq ka thënë se kanë kërkesë të shikohen video që ndërlidhen me video-incizimi nga zyra e partisë së të ndjerit Oliver Ivanoviq.

    Ndërsa ka shtuar se është hera e parë që dëgjon për 400 GB, dhe atë që i janë selektuar në 60 GB,  andaj i njëjti i ka propozuar gjykatës që të iu dorëzohet komplet video-incizimet edhe 400 GB edhe 60 GB.

    Po ashtu edhe mbrojtësja e të akuzuarit Silvana Arsoviq, avokatja Jovana Filipoviq ka kërkuar që t’i kenë të gjitha provat si i ka prokuroria dhe atë video incizimet prej 400 GB.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Zharko Jovanoviq, avokati  Lubomir Pantoviq iu ka bashkangjitur propozimeve të kolegëve Vasiq dhe Korenica.

    Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit, Marko Roshiq, avokati Mahmut Halimi ka thënë se nga raportet policore nuk shihet askush i mbrojturi i tij ta ketë përcjellë tani të ndjerin Ivanoviq dhe nëse një gjë të tillë e konfirmon prokurori nuk do të kërkoj që të shikohen video- incizimet.

    Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq, avokati Faruk Korenica ka thënë se nëse prokurori ka provë video që mbrojtësi i tij ka transportuar persona me veturë zyrtare, të cilët më pas kinse kanë kryer veprën penale, mirëpo sipas tij, nëse prokurori nuk ka ndonjë provë se i mbrojturi i tij ka transportuar persona, atëherë janë të interesuar që nga video-incizimet të shikohet vendi i ngjarjes.

    Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj ka thënë se video-incizimet prej 60 GB do të iu dorëzohen mbrojtësve në një USB, ndërsa secili avokat që është i interesuar t’i merr me mund t’i marrë me USB, po ashtu edhe nëse ndonjëri dëshiron të pajiset me video -incizimet prej 643 GB, mund të i merr duke dërguar hard-disk.

    Seancat e radhës për këtë çështje u caktuan për datat 26, 27 dhe 30 nëntor të këtij viti.

    Paraprakisht gjykatësi Kurtaj ka njoftuar se iu janë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë lidhur me propozimin e aprovuar në seancën e së hënës më 31 gusht të mbrojtësit të të akuzuarit Rade Basara, avokati Arbër Osmanaj, që nga organet e Republikës së Kroacisë të sigurohet dokumentacioni me hyrje-daljet lidhur me atë se i mbrojturi i tij nga data 6 janar 2018 deri më 21 janar 2018, ka udhëtuar me veturën e tij në Kroaci.

    Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.

    Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.

    Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

    Më pas, më 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, ku thuhet se të pandehurit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq, nga viti 2014 deri në vitin 2018, respektivisht me datën 16 janar 2018, në qytetin e Mitrovicës, në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, të cilët gjenden në arrati dhe me dy të pandehur tjerë që deri më tani janë të panjohur për organet e rendit, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar, me hiearki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurve Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, në atë mënyrë që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëveprim ndërmjet vete, me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardhë deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.

    I pandehuri Nedejlko Spasojeviq, thuhet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Ivanoviq, me ç’rast me dashje dhe dijeni i ka ndihmuar të dyshuarit e panjohur në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke krijuar kushtet dhe mënjanuar pengesat për kryerjen e kësaj vepre penale, ashtu që fillimisht i njëjti u ka mundësuar të dyshuarve që të lëviznin me veturën zyrtare të policisë të markës “Golf IV”, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në drejtim të ndjerit Ivanoviq, e që për pasojë ka ndërruar jetë në spitalin e Mitrovicës.

    Tutje, thuhet se përveç kësaj i pandehuri Spasojeviq, në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, me dashje dhe dijeni ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që ka lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty, ku edhe kishte ndodhur vrasja e të ndjerit Ivanoviq.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Marko Roshiq, duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, duke bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit Spasojeviq, Basara, Bojiç, Veselinoviç, dhe Radoiçiç, në atë mënyrë që me veturën e tij të llojit “Santa Fe”, ka përcjellë çdo lëvizje të tani të ndejrti Ivanoviq, para vrasjes së tij, ku pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa Fe”, ngjyrë e zezë. Kjo veturë thuhet se pas vrasjes së viktimës e ka përcjellë edhe vëllanë e viktimës Mirosllav Ivanoviq, e njëjta veturë është në pronësi dhe përdorim të pandehurit Roshiq dhe vetura e përmendur parkohet tek restoranti “Grey” që është pronë e të pandehurit Milan Radoiçiç.

    Aktakuza thotë se i pandehuri Rade Basa, në cilësinë e zyrtarit policor, konkretisht hetues në Njësinë e Hetimeve Regjionale në Mitrovicë- Veri, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër dhe i njëjti duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, njëkohësisht si hetues policor, ka bashkëpunuar ngushtë me Zheljko Bojiq dhe me grupin kriminal të organizuar e që është udhëhequr nga Milan Radoiçiç, nga i cili grup ka marrë urdhra për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë-provat, dhe nga grupi kriminal është angazhuar që t’i fsheh gjurmët e krimit, t’i selektojnë rastet nën hetim, ku në ato raste ku pjesëtarët e grupit kriminal të Milan Radoiçiç, kanë qenë në cilësinë e të dyshuarve, nuk i ka hetuar me qëllim që ato raste të mos zbardhen dhe të mbesin të pazbuluara, me ç’rast me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

    Për të pandehurën Silvana Arsoviq, thuhet se si anëtare e grupit kriminal të organizuar, duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit që kanë qenë në koordinim për vrasjen e Ivanoviq, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke bërë krijimin e kushteve dhe mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale në atë mënyrë që në kohën e aktit të kryerjes së vrasjes të Ivanoviq, e pandehura ka qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyret e SDP-së kanë qenë të ndalura në mënyrë të dhunshme, duke u ç’kyçur nga rryma, me ç’rast u është mundësuar lehtësim të dyshuarve që të mos incizohen nga kamerat e sigurisë, kur të kryhet akti i vrasjes ndaj të ndjerit Ivanoviq.

    E njëjta thuhet se me datën 16 janar 2018, në ora 08:16, menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit, i ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP, e cila ka qenë duku punuar si administratore në këto zyra dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

    Me këtë të pandehurit, sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga nenin 283, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRPK-së lidhur me veprat penale vrasje e rëndë sipas nenit 179, paragrafi 1.9 të KPRK-së dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas nenit 442, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

    Tutje, aktakuza thotë se i akuzuari Dragisha Markoviq, me datën 16 janar 2019, në cilësi të zyrtarit policor, pa autorizim i ka vënë në dispozicion personit tjetër informatën, e cila përbën fshehtësi zyrtare, në atë mënyrë që derisa ishte në detyrë zyrtare nga vendi i ngjarjes, ku edhe kishte ndodhur vrasja e Ivanoviq, me qëllim të publikimit apo shfrytëzimit të asaj informate, jashtë territorit të Republikës së Kosovës, duke i raportuar një zyrtari policor në shtetin e Serbisë ende pa u konfirmuar lajmi se është vrarë tani i ndjeri Ivanoviq. Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

    Në vijim thuhet se Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, në datën 16 janar 2018, në cilësi të personave zyrtare, kanë shpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, në atë mënyrë që pas vrasjes së Ivanoviq, kanë dalë në vendin e ngjarjes, nuk e kanë siguruar mirë vendin e ngjarjes duke lënë persona të tjerë që të ndërhyjnë në atë hapësirë, si dhe të njëjtit me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme provat në procedura zyrtare, kanë manipuluar me to, duke i hequr dhe fshehur ato, ashtu që fillimisht i pandehuri Dragisha Markoviq bën me dorë në drejtim të gëzhojës, e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes, e të cilën më pas i pandehuri Jovanoviq e merr, e fut në xhep dhe së bashku me Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes. Me këtë, akuzohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje”.

    Ndërsa, Jovanoviq, gjithashtu akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi të njëjtit me datën 10 shkurt 2018, sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të shtëpive dhe objekteve përcjellëse dhe gjatë kontrollit të banesës së tij, është gjetur dhe konfiskuar një armë e markës TT, e kalibrit 7.62 mm, dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa leje.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark