×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Dëshmitari i prokurorisë për 400 kg kokainë zbulon se kush e nxiti që ta fajësonte zëvendësdrejtorin e “MC Food”

    Insajderi
    07 December 2022 - 16:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Prokuroria Speciale me 14 nëntor ka ngritur aktakuzë ndaj 7 personave që po dyshohen në rastin e 400 kg kokainë, të cilat vitin e kaluar u zunë në depon e “Mc Food”, në Lipjan. Njëri nga ta, Kadri Sheqiri ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë për ‘zbardhjen e rastit’. Por Gazeta Insajderi ju sjell transkriptin e audioincizimit se si dëshmitari i prokurorisë zbulon se kush e nxiti që t a fajësonte zëvendësdrejtorin e “Mc Food”, Faton Vrajollin.

    Gazeta Insajderi

    Kadri Sheqiri i cili mungoi seancës e së hënës ka pranuar të bashkëpunojë me  prokurorinë për rastin e 400 kg kokainë të sekuestruara, në maj të 2021-ës. Në seancë, as Gjykata nuk mundi të konstatonte se pse ai kishte munguar, pasi që madje as avokati i tij nuk u paraqit në seancë dhe nuk kishte dhënë ndonjë njoftim pse po mungonin.

    Deri tash në publik nuk është dhënë ndonjë informacion për këtë mungesë.

    Ky i akuzuar, në të njëjtën kohë edhe dëshmitar i Prokurorisë në rast, paraprakisht ai kishte dhënë deklarata të ndryshme para hetueseve policorë e prokurorit të rastit. Gazeta Insajderi ka raportuar ekskluzivisht për secilën deklaratë të tij. Janë katër të tilla: ajo e majit, qershorit, shtatorit dhe tetorit.

    Gazeta Insajderi, po ashtu ka arritur të sigurojë një audioincizim të transkriptuar të dëshmitarit të prokurorisë, Kadri Sheqirit me bashkëshorten e tij, Arta Sheqiri.

    Në këtë audioincizim ai konfirmon se është nxitur nga djali i axhës së tij, multimilioneri Izet Sheqiri që është pronar i “Mc Food”, për ta fajësuar zëvendësdrejtorin, Faton Vrajolli. Të gjithë këta të akuzuar nga Prokuroria për veprimtari kriminale.

    Përgjatë kësaj bisede me gruan e tij, ai i konfirmon se që Izet Sheqiri e ka këshilluar ta fajësojë Faton Vrajollin, që të dy t’i shpëtojnë burgut.

    Kjo vërehet edhe në dëshminë që Izet Sheqiri ka dhënë para prokurorit, ku mohonte kategorisht që ka qenë në dijeni për drogën, teksa thoshte se përgjegjës për porositjen e  mallit i takonte veç Faton Vrajolli.

    E që sipas prokurorisë, kjo bie ndesh me provat materiale respektivisht adresat elektronike të siguruara nga ana e prokurorisë, të cilat argumentojnë se i pandehurit Izet Sheqiri ishte i njoftuar për porosinë, meqë është drejtor i kompanisë.

    Që Izeti i ka kërkuar Kadrisë ta ndryshojë deklaratën e ka konfirmuar edhe bashkëshortja e këtij të fundit, ku mes tjerash kishte thënë se “Në kohën sa ka qenë Kadriu në masën e paraburgimit Izeti i ka kërkuar ta ndërrojë deklaratën por se nuk jam e sigurt se për çfarë deklarate bëhej fjalë”.

    Krejt këto plane dyshja dyshohet t’i kenë bërë sa ndodheshin në masën e paraburgimit.

    Kadri Sheqiri: “Unë fillim kom fol me…të dytë kem pas me akuzu ata”.

    Arta Sheqiri: “Fatonin a?”

    Kadri Sheqiri: “Po, Izeti u taku mas pari me këta të hetuesisë”, thotë Kadriu

    Arta Sheqiri: “Me Izetin ti ke fol a?

    Kadri Sheqiri: “Po de”

    Arta Sheqiri: “Direkt a”

    Kadri Sheqiri: “Po nëpërmes një oficeri, edhe kshtu hin çka dush për parë mos ta nin”

    Arta Sheqiri: “Po ai të ka thane me thanë ti kishe për Fatonin”

    Kadri Sheqiri: “Po, po ka thanë edhe vet ai, Izeti ka thënë tanishi në gjykatë nuk shkoi se la avokati, ti hup kontrolla krejt, i kish kallxu Hyzrin qashtu, qashtu jam ka tu hi, jam kan tu e bo mut”

    Potencon se Izeti nuk doli para gjykatës herën e parë për shkak se nuk e lejoji avokati i tij.

    Kadri Sheqiri: “Izeti ka pas me dal në muajin e shtatë, në muajin e shtatë na kem pas me dal…përpara tani unë”.

    Kadri Sheqiri: Tani më ka ardhë tek dritarja, tek dhoma.

    Arta Sheqiri: Qysh ka mujt me ardhë ai tek ti?

    Kadri Sheqiri: Po ka ardhë shëtitje

    Arta Sheqiri: Po dritarja u kanë anej

    Kadri Sheqiri: Po te dera bre…

    Në një pjesë tjetër çifti Sheqiri flasin se si Izeti do të duhet të pranojë që është e tija sasia narkotike.

    Arta Sheqiri: “Qa me pranu Izeti:

    Kadri Sheqiri: “E ka pranu që është e tina”

    Kadri Sheqiri: “Po se di tash e paska gjetë mas mramti Izeti me pranu”

    Arta Sheqiri: “Pse me pranu budalla”

    Kadri Sheqiri: “Tash mas mrami ka me pranu qi e ka pru ve”  

    Ai ka konfirmuar se në këtë biznes kriminal është futur për para.

    “Ja kom shpejgu Izetit, unë thashë hi po çkado që të bahet me dorë në xhepa unë me të nimu ty”, shprehet ai para bashkëshortes.

    Në një rast tjetër thotë se pronari i “Mc Food”, i ka premtuar Kadrisë që edhe shtëpinë ia falë vetëm ta ndihmojë atë, të bëjë atë çka i thotë ai.

    Arta Sheqiri i thotë bashkëshortit se avokati i Izeti Sheqirit është shprehur se ia ka ‘ngulur’ këtij të fundit.

    “… jo po avokati i ka thënë demek ai djali i mixhës tanë ta ka ngul tye..”.

    Transkripta e plotë e bisedës mes Kadri Sheqirit e bashkëshortes së tij Arta Sheqiri:

    Në dokumentet e dosjes së Prokurorisë për rastin e 400 kilogramve kokainë të kapur në “MC Food”, është listuar edhe intervista e dhënë nga Faton Vrajolli, i cili edhe prokurorisë i del që nuk është ndjekur më herët për vepra penale.

    Në intervistën e tij para Prokurorit të rastit, Faton Vrajolli ishte pyetur edhe për dëshmitarin, njëherit të akuzuarin, Kadri Sheqiri. Ai në këtë deklaratë tregon që e njeh si punëtorë të të njëjtës firmë, si të afërm të pronarit Izet Sheqiri, dhe e di që është agjent i shitjes.  Që praktikisht, sipas tij, nuk e lidh vendpërshkrimi i punës së tij, me vendpërshkrimin e punës së Kadi Sheqirit.

    Të akuzuar në këtë  rast janë: Izet Sheqiri, pronar i kompanisë “Mc Food”, Faton Vrajollin, zëvendësdrejtor, Kadri Sheqiri, agjent i shitjes, Kadri Ibrahimin, depoist dhe Fehmi Bytyqi, shofer, Hyzri Sheqiri e Naim Morina.

    Të njëjtit akuzohen nën dyshimin për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit criminal të organizuar”, lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropoe dhe analoge”, “Pengimi i të provuarit apo procedures zyrtare” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Ditën lur dështoi seanca e parë për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi vecmas me 6 muaj burgim efektiv të akuzuarin Naim Morina për veprën penale “Pengim i të provuarit apo procedurës penale”. Shpallja e aktgjykimit u bëri gjykatësi Musa Konxheli.

    Gjykatësi Konxheli shtoi se pas aprovimit të pranimit të fajësisë, e arritur midis Prokurorisë Speciale dhe të pandehurit Naim Morina me mbrojtësin e tij Asdren Hoxha, i njëjti dënohet sipas dënimi rekomandues në marrëveshjen për pranim të fajësisë.

    Lexo edhe: Rasti i 400 kg kokainë në Lipjan – Si i ndryshoi Kadri Sheqiri deklaratat duke u shndërruar në “dëshmitar bashkëpunues” e kë po e fajëson ai?

    Të drejtë ankesë nuk ka sipas gjykatësit Konxheli, pasi që i njëjti është dënuar sipas rekomandimit për dënim të arritur në marrëveshje për pranim të fajësisë./GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark