×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Dëshmitari thotë se Pjetër Shala hynte e dilte nga shtabi logjistik në Kukës pa kërkuar leje nga askush

    Insajderi
    01 May 2023 - 17:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dëshmitari i pestë me kodin 10 në rastin e Pjetër Shalës, para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), tha se Shala ka hyrë dhe ka dalë nga shtabi logjistik në Kukës pa kërkuar leje nga askush.

    Kur u pyet nga mbrojtësi i viktimave Simon Laws, se cila kishte qenë arsyeja që ai kishte mundur të hyjë dhe të dalë pa leje nga aty, pati kundërshtime nga ana e mbrojtjes, por që kjo pyetje u lejua nga trupi gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Por, në momentin e përsëritjes së pyetjes, dëshmitari tha se përgjigja është e saktë, por që ai nuk e dinte a ka pasur leje apo jo Pjetër Shala.

    Me këtë përgjigje, reagoi edhe kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia, e cila tha se edhe për të është e paqartë pasi që njëherë thuhet se Shala nuk kërkonte leje e më pas që nuk e dinte a kishte leje apo jo, duke kërkuar që ai të sqarohet.

    E që më pas, dëshmitari u kthye në fjalinë që kishte thënë për herë të parë.

    Ballafaqimi i dëshmitarit me deklarimet e mëhershme nga ana e mbrojtësit të viktimave dhe pyetje tjera eventuale, janë bërë në seancë private.

    Paraprakisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar pyetjet ndaj dëshmitarit, i cili pohoi të ketë parë personalisht Hafir Hoxhën dhe Sabit Gecin në shtabin e logjistikës në Kukës në muajin e pestë dhe të gjashtë të vitit 1999.

    Ai po ashtu tha se kishte takuar një ushtar me emrin Bedri në këtë vend, por përgjigjet ndaj pyetjeve për të u cilësuan me përmbajtje të redaktuar nga ana e DhSK-së.

    Kurse, nga ana e mbrojtjes është kërkuar diskutimi i dy çështjeve, njëra që sipas avokatit mbrojtës Mohamed Hédi Aouini ka të bëjë me persona të mbrojtur dhe pika dy që ka të bëjë me akuzën për bashkë-konspirator që pretendohet, e që edhe për këtë diskutim është kaluar në seancë private.

    Ndërkaq, gjatë kësaj seance Pjetër Shala ka kërkuar nga ana e gjykatës që t’i lejojë kohë për konsultim me mbrojtësit e tij, andaj edhe marrja në pyetje e dëshmitarit nga ana e mbrojtjes, do të bëhet ditën e nesërme.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark