×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    “Dëshmojeni fizikisht që jeni gjallë”- Pleqve iu premtoheshin çokollada për nipa e mbesa, tash torturohen nga pushteti i Kurtit

    Insajderi
    29 June 2022 - 17:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Që kur ishin marrë masat kundër Covid, pensionistët kanë qenë të liruar nga procedura për paraqitjen fizike nëpër zyret e shtetit për të dëshmuar që janë gjallë, në mënyrë që të mund të përfitojnë pensionin e pleqërisë. Anipse Kryeministri Albin Kurtit u premtonte jetë më të dinjitetshme, një ministër i tij u kërkoi atyre që përsëri të dëshmojnë fizikishtë që janë gjallë që nga 21 qershori. Ky vendim i ministrit Hekuran Murata është kritikuar pasi që konsideron se fyen dinjitetin e tyre

    Derisa ishte në fushatë zgjedhore Albin Kurti u premtonte pensionistëve kosovarë që do tu sigurojë pensione të dinjitetshme që të mund tu blejnë nipave e mbesave çokollata.

    Edhe në janar të këtij viti, nga pozita e kryeministri Albin Kurti, njoftoi se po planifikon reform në sistemin pensional për siç thoshte ai të sigurojmë sistem të drejtë dhe pension të dinjitetshëm për secilin pensionist.

    Por një vendim i ministrit të tij, që u mor para disa ditësh nuk është aspak në harmoni me këtë që kishte deklaruar Kurti.

    Ministri i Financave Hekuran Murati, me 20 qershor kërkoi nga të gjithë përfituesit e skemave pensionale që të lajmërohen në zyret e shtetit për të dëshmuar se janë gjallë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Pensionistët për shkak të masave Anti Covid, ishin liruar nga obligimi për t`u lajmëruar çdo gjashtë muaj se janë gjallë në mënyrë që të mund të merrnin pensionin. Ani pse kjo praktikë është kritikuar vazhdimisht pasi që fyen rëndë dinjitetin e pensionistëve.

    Por kjo ka ndyrshuar që nga 21 qershori deri në fund të gushtit kur edhe temeraturat janë të larta, pensionistët janë të detyruar që të dëshmojnë me prezencë fizike verifikimin se janë gjallë.

    “Në fazën e parë, kërkohet që përfituesit e skemës së pensioneve bazike dhe kontributive të paraqiten në objektet e Departament të Pensioneve në regjionet ku jetojnë. Lajmërimet do të bëhen në orarin dhe kategorizimin si në vijim”.

    “Nga data 21 qershor deri më datën 15 korrik 2022 do të lajmërohen të gjithë përfituesit e skemës së pensioneve bazike dhe kontributive që nuk janë të vaksinuara me vaksinën kundër COVID 19. Nga data 18 korrik deri më datën 31 gusht do të lajmërohen të gjithë përfituesit e skemës së pensioneve bazike dhe kontributive që janë të vaksinuara me vaksinën kundër COVID 19”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Financave.

    Përvec se duhet të paraqiten fizikisht atyre në rastin e paraqitjes, u kërkohen të prezantojnë faturat e rrymës të vendbanimit të tyre. 

    “Në rast të qëndrimit me qira, së bashku me faturën e rrymës duhet të prezantohet edhe kontrata e qirasë”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Financave.

     Por lidhur me këtë kërkesë të Ministrisë që drejtohet nga Hekuran Murati pati reagime.

    Zyrtari i PSD-së Nol Nushi, ka kritikon qeverinë se gjithë ditën flet për inovacion e qeveri por që nuk është në gjendje të digjitalizoj këtë shërbim elementare.

    “Mirëmëngjes të gjithëve, përveç ministrit Hekuran Murati që i ka detyru pensionistët përseri me u paraqitë nëpër zyre të shtetit me tregu që janë gjallë!!! Gjith’ ditën gojën plot inovacion e teknologji, e nuk po mujnë me digjitalizu një shërbim elementar”, tha Nushi në reagimin e tij.

    Analisti Imer Mushkolaj, ka ka deklaruar se s’ka asgjë më fyese se pensionistët të lajmërohen në shtet për të dëshmuar se a janë gjallë apo kanë vdekur.

    “Nuk ka asgjë më vështirë për pensionistët sesa të shkojnë e të lajmërohen në shtet çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se nuk kanë vdekur, se ende janë gjallë. Shteti duhet ta heq sa më shpejt këtë procedurë që fyen dinjitetin e njeriut dhe të gjejë mekanizma të tjerë për verifikimin e pensionistëve”, ka shkruar ai.

    Jo gjithmonë të gjitha vdekjet që ndodhin në Kosovë, regjistrohen brenda afatit kohor në zyrat e regjistrimit të gjendjes civile nëpër komunat përkatëse. Ndonëse për këtë me ligj deklarimi i vdekjes duhet të bëhet nga familja me një raport mjekësor, brenda 30 ditësh nga vdekja.

    Por shteti deri tash nuk ka bërë asnjë lehtësim për pensionistët që të mund të dëshmojnë se janë gjallë pa prezencë fizike nëpër zyrat e regjistrimeve.

    Ndërsa si shkak i vonesave të lajmërimeve me kohë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës, vetëm vitin e kaluar, të paguajë afro gjysmë milioni euro për pensione të personave të vdekur.

    Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, të publikuar këtë muaj, kjo ministri ka paguar 3,314 pensione pas vdekjes së përfitueseve, në vlerë prej mbi 465 mijë eurosh.

    Kjo zyrë i ka rekomanduar Ministrisë së Financave që ta analizojë në hollësi çështjen e pagesave dhe t’i shqyrtojë mundësitë për kthimin e tyre, në rast se u dërgohen përfituesve të vdekur.

    Por për Ministrinë e Financave, duket se zgjidhja më e shpejtë është vendimi që pleqtë të lajmërohen vetë për të dëshmuar se janë gjallë. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark