×
  • Lajme
  • Lajme

    Detaje të sondazhit- Si po bie Vetëvendosja e Kurtit në shpejtësinë e shpërndarjes së vajit në tepsi?

    Insajderi
    20 September 2022 - 13:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në sondazhet e fundit, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje është duke pësuar rënie të shpejt. Po aq të shpejtë sa thënia e Zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu i cili e krahasoj punën e ministrisë me nivelin e shpejtësisë së shpërndarjes së vajit në tepsi. Shprehje kjo e pa zbuluar me parë.

    Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar rënien. LDK-ja dhe PDK-ja kanë ndërruar vendet. AAK-ja qëndron në vendin e njëjtë, ndërsa Lista Guxo nuk pritet të votohet më shumë se 1.5 për qind. Këto janë disa të dhënat e matjeve të kryera nga UBO Consulting. Më poshtë gjeni krahasimet se si kanë qëndruar partitë me përkrahje në periudha të ndryshme të këtij viti.

    Matjet e fundit se ku qëndronin partitë politike, Gazeta Express i publikoi në qershor. VV-ja ishte akoma e para, por, pas një vit e pak në pushtet, kishte rënë në 40 për qind. Tre muaj pas, sipas matjeve të reja të UBO Consulting, Vetëvendosje ka rënë edhe pak. 

    Në një sondazh të cilin e ka parë Gazeta Express, ku qytetarët janë pyetur se kë do ta votonin, nëse do të mbaheshin këtë të diel zgjedhjet nacionale, rezultatet, përgjithësisht, kanë dalë shumë më ndryshe prej zgjedhjeve të 14 shkurtit. 

    Nga të anketuarit, 27.7 për qind janë përgjigjur se do ta votonin Lëvizjen Vetëvendosje, nëse zgjedhjet mbahen së shpejti. Kur shpërndahet vota e padeklaruar, përqindja e VV-së del të jetë 37.3 për qind.

    Në qershor të këtij viti, përqindja e VV-së në sondazhin e UBO-s ishte 39.6 për qind. Ndërsa, në matjet e marsit, që UBO Consulting i kishte kryer për Gazetën Express dhe T7, LVV-ja kishte dalë te 41.9 për qindëshi.

    Se do ta votonin LDK-në, kanë deklaruar 16.5 për qind e të anketuarve. Përqindja e përgjithshme e LDK-së në këtë sondazh ka dalë të jetë 22.3 për qind.

    Tre muaj më parë, në matjet e UBO-s, LDK dilte se do t’i merrte 20.3 për qind dhe radhitej si partia e tretë.

    PDK-në deklarojnë se do ta votonin 16.1 për qind, e që kur shpërndahet vota e padeklaruar, PDK del pak nën LDK-në, me 21.7 për qind. AAK-ja e Ramush Haradinajt del se do të votohej nga 7.7 për qind. 

    Listën Guxo, të themeluar nga Rresidentja Osmani, që tash bashkëdrejtohet nga Donika Gërvalla dhe Faton Peci, matjet e qesin te 1.1 për qindëshi.

    Sipas këtyre matjeve, Alternative e Mimoza Kusarit dhe AKR-ja e Behgjet Pacollit do të merrnin nga 0.3 për qind në zgjedhje, ndërsa PSD-ja, nëse do të garonte, do të merrte 0.1 për qind.

    Nisma Socialdemokrate, që në dy palë zgjedhjet e fundit nuk e ka kaluar pragun, matjet thonë se do të merrte 1.2 për qind të votave.

     Cila parti është zgjedhja e dytë e votuesve?

    Rezultate interesante kanë dalë në pyetjen se kë e kanë të anketuarit si zgjedhje të dytë, nëse s’do ta votonin atë që e deklaruan më parë.

    Me votën e padeklaruar, sipas matjeve, i bie që 45.6 për qind nuk kanë zgjedhje të dytë, pos partisë së tyre të preferuar.

    Partia që më së shumti preferohet si zgjedhje e dytë është LDK-ja me 16 për qind. Pas saj, PDK-ja, me 8.2 për qind.

    Vetëm 4.6 për qind e atyre që s’e kanë Vetëvendosjen si zgjedhje të parë, do të kishin të dytën.

    Rezultatet e zgjedhjeve të fundit – 14 shkurt, 2021

    Në zgjedhjet e fundit nacionale, LVV-ja e kishte marrë saktësisht atë që dëshironte. Rezultati përfundimtar e nxori atë të parën me mbi 50 për qind. 49 për qindëshin tjetër ua kishte lënë të gjitha partive të tjera bashkë.

    Në këto zgjedhje, PDK-ja doli e dyta me 17 për qind.

    Derisa LVV-ja po shënonte rezultatin më të thellë ndonjëherë në zgjedhje, LDK-ja doli me më së paku vota në historinë e saj.

    LDK-ja që atëherë udhëhiqej nga Isa Mustafa mori 12.7 për qind të votave. Ndërkaq, AAK-ja kishte marrë 7.1 për qind të votave. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark