×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Dikur e shpallte të vdekur, Kurti ringjallë Asociacionin në pikë të natës

    Insajderi
    26 January 2023 - 11:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe i cili në plot 23 nene ishte në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës, i kishte dhënë brum edhe më të madh kundërshtimit të kësaj marrëveshje nga asobote opozitari Albin Kurti, tash kryeministër, shkruan Insajderi.

    Kurti këtë aktvendim të GjK-së e merrte për konfirmim të pakontestueshëm se kjo marrëveshje “për Zajednicën” kishte vdekur përfundimisht me atë vlerësim. Megjithatë, Asociacioni, tash në qeverisjen e tij, ka përjetuar ringjalljen e saj si temë, për t’u bërë edhe parakusht i një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Në pikë të natës, Albin Kurti dhe zv/kryeministri i tij, Besnik Bislimi, takuan Ndërmjetësin Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ku, siç lajmëroi ky i fundit “u pajtuam” që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogut “duhet të zbatohen”, e ku nënkuptohet në rend të parë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

    Në anën tjetër, ShBA ka premtuar se ky Asociacion “do të bëhet me ose pa përfshirjen e qeverisë kosovare”, për çka edhe kanë thirrur takim me përfaqësues politik dhe shoqëri civile më 31 janar. Për këtë, Kurti ende s’është deklaruar në do të merr pjesë ose jo.

    Ndërkaq të hënën instituti gjerman FES do të shpalojë publikisht një draft-statut për Asociacionin, tashmë të emërtuar ndryshe si “Asociacion i Komunave në Republikën e Kosovës ku Serbët e Kosovës janë Shumicë”.

    Kosova dhe Serbia kishin arritur një marrëveshje për normalizim raportesh më 2013. “Marrëveshje e Parë mbi Parimet Udhëzuese për Normalizim të Marrëdhënieve” e cila kishte 15 pika ndërsa boshti kryesor i saj ishte krijimi i një Asociacioni/Bashkësie për komunat me shumicë serbe.

    Kjo marrëveshje në vitin 2015 ishte avancuar në hartimin e Parimeve të Përgjithshme dhe Elementet Kryesore, ku Gjykata Kushtetuese kishte evidentuar 23 nene në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës.

    Çfarë nuk mundej e çfarë nuk bënte, sipas GJKK-së?

    Kjo marrëveshje ishte problematike në vete.

    Komunat nuk mund të delegojnë kompetenca qe me Kushtetutë dhe me Ligj duhet të ushtrohen vetëm nga organe komunale të  zgjedhura në mënyrë demokratike”, vërente Gjykata Kushtetuese.

    Nuk bënte që Asocacioni të “ushtrojë vështrim të plotë” (excercise full overview), frazë kjo e cila përbënte problem në vetvete.

    GJK kishte vërejtjet e saj “lidhur me terminologjinë e përdorur në pikën 4 të Parimeve të Përgjithshme, posaçërisht me frazën ‘ushtron vështrim të plotë’ që është e paqartë dhe nuk mund të gjendet në literaturën juridike; apo në jurisprudencë, dhe ‘nuk paraqitet ne bazën e të dhënave të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian apo në ndonjë tekst tjetër Ligjor ne internet’”.

    Tjetra ishte kriteriumi etnik, e cila nuk mund të ishte në interesin e përbashkët të komunave, shkruan Insajderi.

    “.. Kjo për faktin se përkatësia etnike nuk hyn në sferën e kompetencës ose funksionit komunal mbi bazën e të cilit komunat mund të kërkojnë bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërkufitar sipas nenit 124, paragrafi 4, të Kushtetutës dhe sipas nenit 10, paragrafi 1, të Kartës  Evropiane për Vetëqeverisje Lokale“.

    “… përdorimi i frazës ‘komuna me shumice serbe’ në titullin dhe në tekstin e Parimeve të Përgjithshme duhet të shpallet si e papajtueshme me nenin 3,  paragrafi 1, dhe me nenin 124, paragrafi 4, të Kushtetutës, si dhe me nenin 10,  paragrafi 1, të Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale”, thuhej në aktvendim.

    Ky Asociacion, nuk mund të kishte ekskluzivitet dhe autoritet të plotë për të promovuar interesat e komunitetit serb në raport me me autoritetet qendrore shtetërore, thoshte GJK.

    Kësisoj, Gjykata gjen se Asociacioni/Bashkësia nuk mund të vishet me autoritet te plotë dhe ekskluziv për të promovuar interesat e komunitetit serb të Kosovës në marrëdhëniet e tij/saj me autoritetet qendrore. Duhet theksuar se Asociacioni/Bashkësia hyn në fushëveprimin e përkufizimit të komunitetit, në kuptim të nenit 57.1 të Kushtetutës”, shkruante GJK në aktvendim.

    Gjykata Kushtetuese konstatonte se kur të elaborohen Parimet e këtij Asociacioni në marrëdhëniet me autoritetet qendrore në një akt juridik dhe Statut, duhet të sigurohet që Asociacioni të jetë në përputhje me Kapitullin III të Kushtetutës së Kosovës si dhe të mos zëvendësojë ose minojë autoritetin e cilitdo asociacion të komuniteteve.

    “Rrjedhimisht, Gjykata gjen se Asociacionit/Bashkësisë nuk mund t’i jepet e drejta të propozojë amandamente në legjislacion dhe në rregullore të tjera, siç thuhet në Parimin #10 të Parimeve”.

    Një organ i themeluar për qëllime të bashkëpunimit ndërkomunal është i formuar nga komunat dhe operon për to. Kësisoj, komunat ia delegojnë kompetencat dhe resurset këtij organi. Për më tepër, komunat nuk mund të delegojnë kompteneca që me Kushtetutë dhe me lifgj duhet të uzshtrohen vetëm nga organet komunale të zgjedhura në mënyrë demokratike”.

    Këto janë vetëm disa prej plot 23 shpërputhjeve që ky Asociacion kishte me Kushtetutën e Kosovës.

    Si e vlerësonte Kurti?

    Po e transmetojnë në plotëni përmbledhjen e Albin Kurtit për “Zajednicën” shkruar më 25 gusht, 2020 në llogarinë e tij në Facebook, përcjell Insajderi.

    “Pika 2 eviton Kuvendin e Kosovës dhe thotë që ‘Zajednica’ do të jetë entitet ligjor me karakter të veçantë.

    Pika 3 tregon që Statutin e miraton Asambleja e ‘Zajednicës’ e jo shteti, Republika e Kosovës. ‘Zajednica’ do ta kishte rendin vetanak juridik: Marrëveshja e 19 prillit 2013, Marrëveshja e 25 gushtit 2015, Statuti.

    Pika 4 tregon që ‘Zajednica’ do të ketë kompetenca të karakterit administrativ, që në aspektin juridik do të thotë ekzekutiv: mbikëqyrje të plotë në ekonomi, arsim, shëndetësi, kujdes social planifikim urban e rural, Më tutje, ‘Zajednica’ i përfaqëson anëtarët e saj karshi Prishtinës dhe ajo vendos marrëdhënie ndërkombëatare me asociacione komunash nëpër botë. Kështu, ‘Zajednica’ shfaqet si nivel i pavarur i vetëqeverisjes.

    Pika 5 thotë që ‘Zajednicës’ mund t’i delegohen kompetenca shtesë nga autoritetet qendrore. Këtë gjë nuk e mundëson Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

    Pika 6 tregon që Asambleja e ‘Zajednicës’ mund ta amandamentojë Statutin; se ‘Zajednica’ do të ketë president dhe zv. president, këshillin me 30 anëtarë dhe bordin ekzekutiv me 7 anëtarë, administratën e vet, me një shef të saj dhe selinë e ‘Zajednicës’.

    Pika 8 e barazon ‘Zajednicën’ me autoritetet qendrore, pra qeverinë e Kosovës, duke kërkuar bashkëpunimin e tyre dhe shkëmbimin e informacioneve midis tyre.

    Pika 9 thotë që ‘Zajednica’ do të promovojë interesat e komunitetit serb, ndonëse aty mbi çereku i popullsisë nuk do të ishin serbë.

    Pika 10 thotë se ‘Zajednica’ mund të propozojë amandamente të legjislacionit dhe rregulloreve, pra të bëhet autoritet i burimit të së drejtës, duke u barazuar me Kuvendin dhe qeverinë.

    Pika 11 thotë se ‘Zajednica’ mund t’i adresohet të gjitha niveleve të gjykatave në Republikën e Kosovës.

    Pika 13 tregon që katër komunat në veri të Ibrit janë bërthama e ‘Zajendicës’ me komandatin e tyre të policisë.

    Pika 17 thotë se Serbia është e obliguar ta financojë ‘Zajednicën’ dhe se ajo do të lirohet nga tatimi.

    Pika 19 thotë që ‘Zajednica’ mund ta shpërbëjë vetveten me 2/3.

    Pika 20 thotë se ‘Zajednica’ do të ketë flamur dhe simbole të veta.

    Pika 21 që thotë se Ekipi Menaxhues i cili përpilon Statutin përbëhet nga dy përfaqësues nga komunat veriore me shumicë serbe dhe dy përfaqësues nga komunat jugore me shumicë serbe, përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe ata të OSBE-së”.

    Të gjitha këto pika të lartëpërmendura nga Kurti, ishin sepse “njerëz të papërgatitur, pa kërkesa ndaj Serbisë e pa platformë të Kosovës, e bënë shtetin tonë shumë më tepër temë sesa palë në bisedime”.

    Çfarë po ndodh tani me Asociacionin dhe çfarë thotë Kurti?

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën mbrëma me Miroslav Lajçakun pranoi se të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit “duhet të zbatohen”.

    Një gjë të tillë ia kumtoi edhe Këshilltari i Lartë i DASh’it, Derek Chollet, të martën mbrëmja përmes një telefonate.

    Kurti thotë se Asociacioni mund të adresohet në kuadër të një marrëveshje të përgjithshme, por jo marrë në vete.

    Megjithatë, ai provon t’i shmanget formulimit etnik të saj, duke thënë se Asociacion mund të ketë mbi baza zhvillimore dhe gjeografike, por një etnike.

    Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lënë të kuptojnë, madje herë-herë edhe në mënyrë eksplicite se pa u zbatuar Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, nuk mund të shkohet tutje në planin evropian pa normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Megjithatë, ky plan s’përmban në vete njohje “de jure” nga Serbia.

    Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nga shteti i Kosovës asokohe ishte paramenduar si “kundërpeshë” për njohje nga Serbia, ndërkaq vetëm tash, njohja nga Serbia nuk parashihet as të jetë e përmbajtur në marrëveshje.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkon marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme të qendërzuar në njohje të ndërsjellë, gjë që s’është gjëkundi në planin evropian, apo ndryshe të njohur edhe si plani franko-gjerman./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark