×
  • Lajme
  • Insajderi

    Dileri i drogës s’i përgjigjet thirrjes së partisë, dy javë pas arrestimit dhe ende s’e ka dorëzuar mandatin e asamblistit

    Insajderi
    31 August 2023 - 15:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Besnik Mujeci, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, ende nuk e ka dorëzuar mandatin e tij, përkundër që partia e tij priste që ta bënte një gjë të tillë. Mujeci tash e dy javë qëndron në paraburgim me një afat të pacaktuar, pas arrestimit nga autoritetet e Shqipërisë. Asamblisti i VV-së u kap bashkë me katër persona të tjerë duke trafikuar drogë të llojit ‘ekstazi MDMA’ në vlerë prej 400 mijë eurosh.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me kryeasamblistin e VV-së në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçlën, për ta mësuar nëse Mujeci ka dorëzuar mandatin e tij. Sveçla ka thënë se ai s’e ka bërë një gjë të tillë dhe se nuk kanë komunikuar me të tash e dy javë.

    “Nuk kemi kontaktu hala kurrgjë me të. Na s’e këna kërku hala me e dorëzu. Na këna thanë se çka është mirë me bë; logjikisht, mandatin e ka fituar në emër të Lëvizjes Vetëvendosje dhe mendojmë që duhet me dorëzu. Mirëpo, hala nuk ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim. Hala s’kemi kontaktu as me avokatin e tij”, ka deklaruar Sveçla.

    Sveçla, në të njëjtën ditë kur u përjashtua Mujeci nga strukturat e partisë, ka thënë se pret nga ky i fundit që ta dorëzojë mandatin e asamblistit.

    Ali Rama, Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, mori vendimin në ditën kur u arrestua Besnik Mujeci që ky i fundit të përjashtohet nga partia.

    “Si rrjedhojë Komisioni Disiplinor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mbledhjen e tij mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, pati njoftuar Rama në ‘Facebook’.

    Deri më tani është mbajtur fshehtë edhe avokati i cili e përfaqëson Mujecin.

    Mediumi ka kontaktuar me Gjykatën Penale të Tiranës për ta pyetur se kur do të dalë përpara gjyqit Mujeci dhe katër të arrestuarit të tjerë për trafikim droge, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marrë përgjigje.

    Besnik Mujeci, Mithat Ramadani, Kalem Picari, Ambra Myftari dhe Daniel Avdia, sipas njoftimit të fundit të autoriteteve shqiptare, do të qëndrojnë në paraburgim pa afat të caktuar në Shqipëri.

    Kjo pasi tek ta u gjetën 11.300 doza të llojit të drogës ekstazi që u llogarit se kushton rreth 400 mijë euro.

    Arrestimi i Mujecit dhe katër bashkëpunëtorëve të tij, është kryer pas një hetimi disamujor në kuadër të operacionit të koduar “PUNISHER 2”.

    Sipas Policisë së Shtetit, fluksi i sezonit turistik në Shqipëri këtë verë u shfrytëzua edhe për trafikim të drogës nga Kosova në Shqipëri.

    Droga që iu kap Mujecit dhe të tjerëve u tha se transportohej përmes linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë.

    Policia e Shtetit ka njoftuar se pasi droga arrinte në Tiranë, ajo transportohej me vetura të marra me qira.

    Transportimi bëhej në kryeqytet e edhe në qytete të tjera, kryesisht vende bregdetare.

    Nga veprimet policore që u ndërmorën është dëshmuar se vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish.

    “Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci”, u tha në njoftim të Policisë së Shtetit.

    Përpos tabletave të ekstazisë MDMA, Policia e Shtetit gjatë aksionit ka sekuestruar edhe një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet si dhe 5 telefona. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark