×
  • Lajme
  • Insajderi

    Dileri i VV-së që deshi të pasurohej brenda natës i kishte të deklaruara dy kredi

    Insajderi
    16 August 2023 - 11:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Besnik Mujeci, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, synoi që të pasurohej brenda natës, përmes trafikimit të drogës së tipit “Ekstazi” në vlerë prej 400 mijë eurove bashkë me disa persona të tjerë. Ai u kap në Tiranë nga Policia e Shqipërisë, si dhe u përjashtua nga partia dje. Por, cila ishte pasuria e tij që e deklaronte tek Agjencia kundër Korrupsionit (AKK)?

    Mujeci në deklarimin e pasurisë së tij, njoftonte se kishte detyrime financiare prej 2,800 euro ndaj bankës. Kohëzgjatja që ta paguante këtë shumë, sipas deklarimit, ishte 42 muaj, shkruan Gazeta Insajderi.

    Asamblisti i VV-së deklaronte edhe kredi të bashkëshortes në vlerë prej 5,400 eurosh, me afat prej 53 muajsh.

    Mujeci në AKK paraqet një pasuri “të zbehtë”. Nga postet e tij në Komunën e Prishtinës ai merrte në total 518 euro në muaj.

    Tek pjesa e pasurisë së paluajtshme, dileri i drogës së VV-së deklaron një shtëpi të përbashkët familjare në vlerë prej 300 mijë eurosh dhe një banesë prej 30 metra katrorë të bashkëshortes, që ka vlerën e 20 mijë eurove.

    Mujeci shërbeu për dy mandate si asamblist nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës.

    Mujeci i VV-së përgjatë së martës u arrestua nga Policia e Shqipërisë bashkë me disa persona të tjerë.

    Pesë të arrestuarit u kapën në kryqëzimin e rrugëve “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, ku me vete kishin dërgesën prej 11,300 tabletash ekstazi (MDMA), me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

    Mujecit iu publikuan fotografi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që konfirmonin afërsinë e tij me të.

    Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se ka kërkuar bashkëpunim me atë të Kosovës që të zbulojë laboratorin se ku është prodhuar droga sintetike.

    Sipas gazetarëve në Shqipëri, policia atje u infiltruan si klientë për ta blerë “Ekstazinë” nga Mujeci dhe të tjerët. Fillimisht, njëri nga policët e infiltruar ua kishte dërguar 30 mijë euro për depozitim të substancës narkotike.

    Sipas raportimeve, droga kaloi nga Kosova për në Shqipëri nëpërmjet autobusëve të linjës Prishtinë-Tiranë.

    Opozita në Kosovë e akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për përfshirje në këtë rast, meqë këta të fundit së fundmi e votuan Mujecin për aksionar në ndërmarrjen publike “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark