×
  • Lajme
  • Insajderi

    Dimër i Ashpër – Bordi i dëgjueshëm i Kurtit rrezikon thellimin e krizës me rrymë

    Insajderi
    18 November 2022 - 12:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bordi i ZRRE’së ka ndjekur një standard të dyfisht në raport me kompanitë kosovare. Ka lejuar blerje të rrymës pa licencë nga në kompani sllovene. Mbi 8 milionë euro për vetëm 7 muaj. Nuk ka shqiptuar asnjë gjobë kundër KEK’ut. Mirëpo, e ka penguar KEDS’i që ka furnizuar me rrymë “Ferronikelin”, ndërmarrjën që rrezikonte lënien pa punë të mbi 800 vetave.

    Dy ngjarje zhvilloheshin paraleleshit në sektorin energjetik gjatë tërë vitit 2022.

    Korporata Energjetike blinte rrymë nga një kompani e palicencuar në Kosovë. Nga kompania “Holding Slovenske Elektrarne” (HSE). Për këtë shkelje ligjore ishin në dijeni të gjithë anëtarët e bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Ymer Fejzullahu, kryesuesi i bordit e kishte pranuar se ishte në dijeni për këtë shkelje ligjore. Mirëpo nuk ishte shqiptuar asnjë gjobë ndaj Korporatës Energjetike.

    Në anën tjetër, gjatë këtij viti ndodhte një zhvillim tjetër. Kompania KEDS furnizonte me rrymë “Ferronikelin”.

    Mbi 850 punëtorë të Ferronikelit rrezikoheshin. Që nga tetori i vitit 2021 ata punonin vetëm me gjysmë page. Ndërmarrja Ferronikeli i kishte bërë kërkesa të vazhdueshme ZRRE’së që t’ia mundësonte blerjen e energjisë direkt nga KEK’u, me qëllimin që mos të largoheshin nga puna mbi 800 veta. ZRRE nuk i kishte dhënë përgjigje pozitive asnjëherë.

    Bordi i ZRRE’së kishte shqyrtuar në detaj tjetër. Faktin që Ferronikeli furnizohej me rrymë nga kompanitë KEDS e KESCO.

    Bordi i ZRRE’së vendoi më 16 nëntor që të dy kompanitë të ndëshkoheshin me një gjobë prej 11 milionë e 100 mijë eurosh.  Gjoba ndaj KESCO’s peshon mbi 8 milion e 400 mijë euro, ndërsa gjoba ndaj KEDS peshon 2 milionë e 700 mijë euro.

    Rregullatori i energjisë që nuk ka shqiptuar asnjë gjobë ndaj KEK’ut për blerje të rrymës nga një kompani e palicencuar, ceku si arsye të gjobitjës së KEDS’it faktin se nuk kishte marrëveshje kontraktuale për furnizim me rrymë të “Ferronikelin”, ndërmarrjen që rrezikonte t’i largonte mbi 800 veta nga puna.

    Këto gjoba kanë alarmuar kompanitë e gjobitura.

    Gjobat thellojnë edhe më shumë krizën energjetike

    Të ndëshkuarit nga bordi i rregullatorit të energjisë janë habitur me vendimin e marrë më 16 nëntor.

    Për ta është e çuditshme koha e shqiptimit të kësaj gjobe: Në prag të dimrit. Sipas tyre, kjo rrezikon mbetjen pa rrymë të konsumatorëve në Kosovë, gjatë periudhës së ftohtë të dimrit.

    Në një reagim publik, KEDS ka cekur se bordi i ZRRE’së nuk i ka dhënë deri tash asnjë ndihmë si operator, siç ka ndodhur me rregullatorët tjerë nëpër rajon e vende tjera të botës.

    “Pavarësisht se ndodhemi në një situatë shumë të vështirë dhe me shumë paqartësi në lidhje me sigurimin e energjisë elektrike në periudhën e dimrit që po na vjen, zotohemi se do t’i shterim të gjitha mundësitë tona, njëjtë siç kemi vepruar deri më tani, për të luftuar këtë krizë energjetike, edhe pse ndjehemi të vetëm dhe pa mbështetje institucionale”, thuhet në reagimin e KEDS.

    “Me fjalë të tjera, veprimi i vetëm për tejkalimin e krizës energjetike është vendimi për t’i gjobitur operatorët KEDS/KESCO, duke e thelluar dhe rrezikuar qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik në periudhën e dimrit të vështirë që e kemi përpara. Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji e ka lënë në “mëshirë të fatit” sektorin e energjisë elektrike”, vazhdon tutje reagimi.

    Kompanitë KEDS dhe KESCO presin që vendimi të shfuqizohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ata kanë paralajmëruar padi kundër vendimit të ZRRE’së.

    Standard i dyfishtë-Asnjë gjobë për KEK’un që blen rrymë nga kompania e palicencuar

    Derisa me KEDS e KESCO u treguan brutal, bordi i ZRRE’së ngjashëm nuk veproi me ndërmarrjën publike të prodhimit të energjisë elektrike, Korporatën Energjetike të Kosovës. Ymer Fejzullahu, kryesuesi i bordit të ZRRE’së, e kishte pranuar publikisht se ishte në dijeni të këtij veprimi të KEK’ut.

    Këtë e kishte bërë në një seancë të komisionit hetimor për energji, në fillim të këtij muaji.

    “Në momentin që stafi i ZRRE-së e ka vërejtur dhe konstatuar që nuk është e licencuar (HSE) ka reaguar menjëherë dhe i ka dërguar shkresën jo vetëm KOSST-it por edhe KEK-ut dhe KESCO-s dhe vetë KOSST-it që të ndërpritet menjëherë tregtia me këtë kompani. Herën e kaluar e kam thënë që edhe KOSST-i dhe KESCO edhe KEDS-i e kanë ndërprerë tregtimin me këtë tregtar”, kishte pohuar Zejnullahu.

    Vetëm një kompani nuk e kishte ndërprerë tregimin me kompaninë e palicencuar “Holding Slovenske Elektrarne”. Ishte KEK’u.

    Zejnullahu nuk kishte pohuar se kishte shqiptuar ndonjë gjobë kundër KEK’ut, por kishte treguar mirëkuptim ndaj kësaj shkelje ligjore milionëshe.

    “…ndërsa KEK-u ka vazhduar tutje me tregtimin HSE-në. Ata pretendojnë që kanë të drejtë ligjore me tregtuar se ligji ua mundëson në bazë të parimit të reciprocitetit”, kishte pohuar Zejnullahu.

    Shkeljen e KEK’ut  Zejnullahu e kishte tejkaluar vetëm me pohimin “Ata pretendojnë që kanë të drejtë ligjore”, ndërsa deklarimi i njejtë KEDS’it e KESCO’s në shumë prej mbi 11 milionë eurosh.

    Kjo kishte ndodhur edhe përkundër se rastet kanë dallime të dukshme. HSE, një kompani me bazë në Lubljanë të Sllovenisë përfitoi mbi 8.3 milionë euro për vetëm 7 muaj nga shitja e rrymës pa licencë për KEK’un, ndërsa “Ferronikeli”, krijoi vetëm mundësi mbijetese për të mos i lënë pa punë mbi 800 veta nga furnizimi me rrymë prej KEDS’it, nëpërmjet një marrëveshje që për ZRRE-në përben shkelje procedurale kontraktuale.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    15 May 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark