×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Diplomacia e Gërvallës ‘në gjumë të thellë’, ekspertët e çështjeve ndërkombëtare kritikojnë kryediplomaten

    Insajderi
    29 January 2022 - 11:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Altiana Zogaj

    Kryediplomatja, Donika Gërvalla në një intervistë për mediumin grek Tovima, gjatë kohës sa ishte në vizitë atje, ka deklaruar që nuk po i lutet Greqisë që ta njohë Kosovën.

    Ndonëse Qeveria Kurti pjesë e të cilës është edhe Gërvalla është gati të mbush një vit në krye të shtetit, ajo nuk ka arritur të sjellë as edhe një njohje në kaq kohë.

    “Ne nuk po lutemi pasi jemi njohur tashmë nga shumica e anëtarëve të BE-së dhe NATO-s, duke përfshirë anëtarët kryesorë”, deklaroi Gërvalla

    Këtë deklaratë të saj për Gazetën Insajderi e komentoi edhe ish-kryediplomati, Enver Hoxhaj i cili e quajti injorancë diplomatike dhe arrogancë ballkanike.

    Hoxhaj tha se në momentin kur deklarohet se nuk po lutet për njohje, atëherë vizita e saj tregon së ka qenë e dështuar.

    “Në Greqi ka forca si Kisha, parti ekstremiste të djathta dhe lëvizje të majta, që  janë kundër Kosovës! Dhe në fund, nëse shkon që ta bindësh në Athinë që ta lëvizë këtë vend drejt njohjes dhe në media thua që nuk po e lusim askënd, atëherë kjo tregon që vizita ka qenë e kotë dhe dështim”, tha Hoxhaj për Insajderin.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, rënditi gjithashtu dhe dy kritere bazike mbi të cilat një vend merr vendim për njohje ndaj Kosovës

    “Së pari është interesi shtetëror dhe interesin shtetëror e përcakton qeveria e një shteti se përse ai vend do duhej ta njihte Kosovën. Së dyti është opinion publik i këtij vendi sesi ai e përcepton Kosovën dhe çdo simpati dhe respekt që krijon ministrja e jashtme në media është në të mirë të Kosovës”, përfundoi Hoxhaj për Gazetën Insajderi.

    Që Kosova duhet të bind një shtet me rëndësi si Greqia në Bashkimin Europian për njohje, mendon edhe profesori universitar, Afrim Hoti.

    Ai tha për Gazetën Insajderi se çështja e njohjes së një vendi për ta njohur Republikën e Kosovës, padyshim që është çështje e lutjes e kërkesës.

    “Kosova, një vend i cili përballet me problematike e ka të domosdoshme çështjen e  njohjes sepse se ka komiditetin e të qenit vetëm spektator në këtë provë, por, duhet të jetë shumë aktive në kuptimin e lutjeve dhe ofrimit të argumenteve që të shuhen dilemat që shtetet kanë eventualisht të marrin vendime”, shtoi  Hoti.

    Eksperti i çështjeve ndërkombëtare tha gjithashtu se njohja nga Greqia ka peshë më të madhe sesa njohjet e tjera nga Afrika e Azia, kjo sipas tij për faktin se Kosova gjendet në Europë dhe e do integrimin europian.

    “Pa njohjen e Greqisë ne kemi mbetë si oazë e izoluar dhe vendet ku BE-ja se ka idenë si të ece më tutje. Prandaj, njohja nag Greqia në radhë të parë për të marrë njohjen e rëndësishme të një vendi me ndikim në BE, e  në radhë të dytë që në mënyre indirekte do ndikonte se Kosova të merrte njohjen nga Qiproja sepse ata kanë raporte të ngushta ashtu si e dimë”, tha ai për Insajderin

    Ndër të tjera, sipas ekspertit, ministrja Gërvalla, nuk do duhej të merrej me “klithjet” e qeverive të mëparshme, e as krekosje nga qeverisja tash.

    Sipas tij çka i duhet medoemos Kosovës është politika efikase që shteti të drejtohet në rrugën e drejtë diplomatike.

    “Nga deklarimet publike e kam vërejt që ministrja thotë që po merret me klithjet e strukturës së mëparshme të qeverisë, por kjo ëhë pikërisht ajo çka nuk i duhet Kosovës, klithjet e elitës së mëparshme politike e as krekosjet e elitës së tashme që po merret me diplomacinë”, tha për Insajderin Hoti.

    Profesori universitar tha se në aspektin teorik çështja e njohjes nuk e konsolidon ekzistencën e shtetit, sepse nuk bëhemi më shumë shtet sesa jemi aktualisht.

    Ndërsa në aspektin praktik, sipas tij, ka rëndësi sepse konsolidimi i raporteve miqësore nuk niset nga mendjemadhësia e shteteve sepse shtetet gjithsesi që janë të barabarta por, vetëm atëherë kur ka njohje reciproke

    Kurse, njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani tha për Insajderin se Gërvalla nuk dallon shumë nga të emëruarit e tjerë në këtë pozitë në të kaluarën, dhe se nuk ka përdorur ndonjë strategji për largimin e ambasadorëve.

    “Si ministre nuk ka pas ndonjë strategji te qasjes për pastrimin e shërbyesve civil neper ambasada të Kosovës, atje është përplot dajë , kunata, shok, vllazni e djem të tezes të partive të dikurshme në pushtet”, tha ai për Insajderin.

    Ai thotë se kryediplomatja në pozitat e emërimeve ka vendosur vetëm njerëzit e partive të tjera si PDK, LDK  dhe AKR.

     Në këtë radhë të ambasadorëve përmend emërimin e Agron Bajramit, dhe shumë të tjerë si sipas tij nuk kanë lidhje me politikën ndërkombëtare, e as nuk kanë marrë pjesë na asnjë konferencë.

    “Emërimi në Washington një tjetër njeri që e kishte dërguar Thaçi ambasador, pastaj emërimi në Japoni i një njeriu që ishte pjesë integrale e politikës së PDK-së mikut të dikurshëm të Thaçit deri në vitin 2007, e shumë të tjerë”, tha tutje Burjani

    Këtë Burjani e konsideron si “mbyllje dere” për ata që kanë përfunduar studimet dhe duhet të merren me çështjen e diplomacisë e të punojnë rreth saj.

    E, diplomacinë e tashme nga kryediplomatja Gërvalla e konsideron sikur të fjetur.

    “Dëshpërimi vazhdon të jetë i qëndrueshëm ku deri më tash as një list e prioriteteve nuk u nxjerr nga Ministria e Punëve të Jashtme, nuk ka dokument as elementar strategjik për të vendos në binare diplomacinë e fjetur nëpër ambasada jashtë Kosove”, shtoi njohësi i çështjeve politike.

    Pavarësinë e Kosovës nuk e njohin  edhe 4 shtete me rol të rëndësishëm në Bashkimin Europian, siç janë  Spanja, Rumania, Qipro dhe Sllovakia.

    Kurse ministrja Gërvalla këtë nuk e ka skandal të parë, pasi ajo shpeshherë ka bërë gabime “diplomatike”.

    Gërvalla ka rënë në sy me gabimet e disahershme në llogarinë e saj në “Twitter”, ku kryediplomatja ka gabuar pothuajse në secilin publikim.

    Ajo ka ngatërruar flamujt e vendeve që e kanë njohur Kosovën dhe, ndër të tjera, me mundin për të përshkruar takimin me Sekretarin Gjeneral të Organizatës Euro-Atlantike ajo ngatërroi edhe flamujt e organizatave, duke e vendosur flamurin e OKB-së në vend të atij të NATO-s. Pra dy organizata me qëndrime të ndryshme mbi shtetin e Kosovës.

    E, shkarkimi i 12 ambasadorëve bashkë me vonesën për emërimin e tyre u konsiderua si skandal tjetër i saj, bashkëngjitur edhe me gabimet e saj të vazhdueshme në gjuhën shqipe e në anglisht.

    Postimi i një fotografie tjetër në vend të asaj që u shkrep gjatë takimit me Përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi dhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Matthew Palmer, nga ambasada e SHBA-ve në Kosovë, në mënyrë indirekte tregon skandalin tjetër të ministres.

    Gërvalla nuk e kishte vënë flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ,por, vetëm atë të Kosovës dhe Bashkimit Europian.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark