Kjo konferencë kishte për qëllim prezantimin dhe adresimin e sfidave dhe barrierave tregtare që prodhuesit e Kosovës dhe Shqipërisë po hasin gjatë tregtimit të produkteve të tyre në këto dy tregje, por edhe mundësitë dhe lehtësimet që i ju janë ofruar nga të dy qeveritë përkatëse.
Nagip Fejzi, kryetar i Forumit Ekonomik Mbarë-Kombëtarë, në hapjen e kësaj konference tha që ky është momenti i duhur që faktori shqiptar të ndezë sinjalet e bashkëpunimit mbarëkombëtarë, dhe të filloi integrimi i këtyre ekonomive në ekonomi komplementare. “Fuqia për zhvillim është slogani që mbartë ky forum dhe së bashku do të bashkohemi për zhvillimin të gjithë shqiptarëve në rajon”, u shpreh ai.
Gjatë prezantimit të marrëdhënieve tregtare në mes të këtyre dy vendeve, u cek që pengesat kryesore për prodhuesit kosovar në eksport janë barriera jo-tarifore, ku në çdo eksport, autoritetet shqiptare iu kërkojnë kopjen origjinale (ose kopjen e noterizuar) të Certifikatës së Cilësisë për produktet që i nënshtrohen kontrollit fitosanitar dhe veterinar. Procedurat e zhdoganimit në Shqipëri, pagesa e skanerit, noterizimi i analizave, pagesa në rrugën e kombit, mos-marrja për bazë e çmimit të faturës nga Dogana Shqiptare, zbatimi i normës të lartë të akcizës janë disa nga pengesat të cilat e rrisin koston e prodhimit por edhe e ulin nivelin e konkurrueshmërisë së produkteve të Kosovës në tregun e Shqipërisë.
Kryetari i Klubit të Prodhuesve, Fejzulla Mustafa tha që është kënaqësi që të gjithë bizneset të jemi prezent në këtë takim për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit, por kjo kënaqësi do të ishte shumë më e madhe nëse sot do të ishim në kohën e liberalizimit të tregut shqiptarë. Ai përmendi shumë barriera si tarifore dhe jo tarifore të cilat prodhuesit i hasin në tregti me Shqipërinë por me asnjë vend tjetër.
Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, e përshëndeti formimin e këtij Forumi dhe shprehu dëshirën që takime të tilla të intensifikohen dhe të filloi konkretizimi i bashkëpunimit në mes të gjitha palëve. Ai u premtoi bizneseve që do të jetë zëri dhe përkrahësi i tyre në të gjitha mbledhjet dhe takimet në mes qeverive, pasi që bizneset janë promotorët e zhvillimit. “Koha e spektakleve publike dhe politike ka përfunduar, është koha e konkretizimit të të gjitha marrëveshjeve të cilat janë arritur në mes të dy qeverive”, deklaroi ai.
Të pranishëm në konferencë ishin përfaqësues të bizneseve nga të dy vendet por edhe përfaqësues nga të dy qeveritë si Ministrja e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë- Anila Denaj, Eduard Shalsi – Ministër i shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në Shqipëri, Endrit Shala- Ministër i Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës.