Në Romë është dita e Paulo Dybalës. Transferimi më i bujshëm jo vetëm i kësaj vere për verdhekuqtë foli për herë të parë në konferencë për shtyp si një lojtar i kreyqytetasve. Argjentinasi zbuloi bisedën me trajnerin Jose Mourinhon duke theksuar se menjëherë e pyeti portugezin se çfarë mund të fitojnë ndërsa shtoi se nuk ndjehet i tradhtuar nga Inter.
“Si fillim është shpejtë të flasim për titullin, por ka një dëshirë të madhe nga të gjithë për të bërë maksimumin. Roma fitoi një trofe shumë të rëndësishëm (Conference League në Tiranë) dhe ka ambicie për më shumë, skuadra është rritur me trajnerin dhe me lojtarët që ka në përbërje. Objektivi jonë është të fitojmë çdo ndeshje dhe për momentin disa skuadra janë para nesh sa i takon mundësisë për të fituar titullin”.
Inter- “Unë nuk ndjehem i tradhtuar nga Inter, prej momentit kur u shkpëputa nga Juventus, mediat kanë folur për disa skuadra më shumë se për të tjerat. Unë kam një raport të bukur me Marottën, por në momentin që takova Tiago Pinton e Romës në Torino, gjithçka ndryshoi”.
Mourinho- “Pyetja e parë që i kam bërë Mourinhos është se çfarë mund të fitojmë. Mua më pëlqen të fitoj, në stërvitje shoh përgjegjësinë e trajnerit dhe besimin e djemve ndërsa jemi ende në njohje me njëri-tjetrin. Këto gjëra janë të rëndësishme për të mbërritur te një objektiv, do të jap gjithçka që të vazhdoj të fitoj. Pozicionin në fushë e vendos trajneri, unë jam i hapur për çdo rol. Fakti që ai më telefonoi, më bëri të ndihem mirë. Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme”.
Do të festosh nëse shënon ndaj Juventus- “Nuk do të festoj kundra Juventusit”. /supersport.al/