Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka uruar Ditën Memoriale të komunitetit egjiptian në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se sot festohet kontributi i vazhdueshëm dhe roli qenësor i pjesëtarëve të tij në shtetin e Kosovës.
“Gjatë këtyre më shumë se tri vjet qeverisje, mirënjohjen ndaj jush e kemi shprehur me mbështetje institucionale në arsim përmes bursave të studimit e qendrave të mësimit, në mirëqenie përmes punësimit dhe programeve për praktikë në punë, ndërtimit dhe renovimit të shtëpive dhe projekteve infrastrukturore, e në ndërmarrësi përmes granteve për biznese të vogla”.
“Republika jonë është republikë e të gjithëve. Zhvillimi dhe progresi është i qëndrueshëm atëherë kur është i gjithëmbarshëm. Në këtë ditë i gëzohemi arritjeve të përbashkëta, rreshtohemi përballë sfidave dhe zotohemi për punë dhe bashkëpunim në përmirësimin e mëtejmë të mirëqenies, pozitës dhe mundësive tuaja në vendin tonë”, ka thënë Kurti.