×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Dokumenti ekskluziv zbulon se çka parashesh plani franko-gjerman për Kosovën dhe Serbinë

    Insajderi
    04 November 2022 - 19:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Franca dhe Gjermania u kanë dhënë liderëve të Kosovës dhe Serbisë një propozim si të zgjidhet kontesti i kahershëm ndërmjet dy shteteve. Deri më sot për këtë plan është folur kryesisht në media, por palët e përfshira kanë qenë të rezervuara. Plani i ishte dorëzuar Kurtit dhe Vuçiqit para fillimit të verës, por “marrëveshja” ndërmjet tyre e kishte mbajtur larg syve të opinionit në Kosovë dhe Serbi, deri në fillim të tetorit kur një pjesë e tij doli në media, por vetëm si plan i përfolur.

    Demokracia.com e ka siguruar ekskluzivisht kornizën e propozimit franko-gjerman, që përmban nëntë pika të propozuara, mirëpo në asnjërën nuk përmendet njohja eksplicite ndërmjet dy shteteve. Po ashtu në këtë draft fare nuk figuron Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe procesi i anëtarësimit të Kosovës aty.

    Lexo edhe:

    Në pikën e parë të këtij plani thuhet se Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën në bazë të të drejtave të barabarta.

    Pika tjetër flet për aspiratat e të dyja shteteve për anëtarësim në BE.

    “Kosova dhe Serbia do të udhëhiqen nga aspiratat e tyre reciproke për anëtarësim në BE”, thuhet në pikën e dytë të dokumentit të siguruar nga Demokracia.com.

    Në propozim po ashtu thuhet se Kosova dhe Serbia duhet ta respektojnë integritetin territorial të njëra-tjetrës.

    “Në përputhje me MSA-në, e nënshkruar nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës. Ato riafirmojnë paprekshmërinë e kufirit ekzistues ndërmjet tyre dhe marrin përsipër të respektojnë plotësisht integritetin territorial të njëra-tjetrës”, thuhet në pikën e tretë.

    Në propozim-marrëveshjen thuhet se Kosova dhe Serbia të pajtohen që asnjëra nga dy palët nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe as të veprojë në emër të saj.

    Një pikë tjetër e këtij propozimi është se Kosova dhe Serbia do të promovojnë marrëdhënie paqësore në Ballkanin Perëndimor dhe do të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal në Evropë.

    Vendet, sipas propozimit franko-gjerman, duhet ta respektojnë juridiksionin e secilës palë.

    Po ashtu, Kosova dhe Serbia duhet të deklarojnë gatishmërinë e tyre për të rregulluar çështjet praktike dhe humanitare në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre.

    “Ato do të lidhin marrëveshjet e këtij traktati dhe për përfitimin e tyre të ndërsjellë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit, marrëdhënieve juridike, kulturës shëndetësore, të post-telekomunikacionit, sportit, mbrojtjes së mjedisit dhe në fusha të tjera në Protokollin Suplementar”, përmendet në propozim-marrëveshjen.

    Lexo edhe:

    Kosova dhe Serbia duhet të pajtohen që ky traktat nuk do të ndikojë në traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe të lidhura tashmë prej tyre ose që kanë të bëjnë me to.

    Që nga viti 2012, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar një dialog politik për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e BE-së. Aktualisht synohet arritja e një marrëveshjeje përfundimtare mes dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve, gjë që ende nuk ka ndodhur. Dialogu është ndërprerë disa herë. Në vitin 2008, Kosova ka shpallur pavarësinë, të cilën Serbia nuk e njeh.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark