×
Analiza

Dorëheqja e nënkryetares e injorimi i Veliut – çka po i shkakton turbulencat në LDK?

Insajderi
20 March 2023 - 17:03
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prurje të reja, pakënaqësi, largime janë shprehjet që po e karakterizojnë tash e një kohë Lidhjen Demokratike të Kosovës. Me ardhjen e Lumir Abdixhikut në krye të partisë, jo të gjithë dolën të kënaqur. Të paktën jo, Agim Veliu. Dikur nënkryetar i LDK-së, e kryetar dege në Podujevë. E pakënaqur me lidershpin e LDK-së, së fundmi u deklarua edhe Shqipe Mjekiqi, e cila për dy vite mbajti postin e nënkryetares. A lidhen këto pakënaqësi me prurjet e reja, Insajderi ju sjell detajet.

Agim Veliu s’lëvizi fare për t’u quar në këmbë siç bën krejt të pranishmit në sallë të dielën në Llap, teksa po festonin 33 vjetorin e degës atje kur në skenë u shfaqë kryetari Lumir Abdixhiku. Ai u pa si ndër të vetmi i ulur në karrige teksa kryetari mbante fjalimin.

@raporto24.com Agim Veliu nuk ngritet në këmbë për Lumir Abdixhikun#lumirabdixhiku #kosova #agimveliu #podujeve #peja #albinkurti #albania ♬ original sound – Raporto24.com

Veliu nuk e përshëndeti as kryetarin aktual të degës, Ekrem Hysenin.

Nuk e panë të arsyeshme me e përshëndetë njeriun që e ka themeluar LDK-në para 33 vjetëve. Të shohim kur të hapet procesi i zgjedhjeve sigurisht unë jam i interesuar që LDK në Llap të rikthehet si parti e parë. E kjo formë duke proklamuar unitet e duke vepruar ndryshe është e vështirë në këtë formë“, deklaroi Veliu kur u pyet nga gazetarët për injorimin e dy anshëm.

Madje këtë të fundin Veliu e cilëson si “kryetar jo legjitim”

Inatet Veliut me Abdixhikun e Hysenin nisën pikërisht në ditën kur si kryetar i LDK-së, Abidixhku e shkarkoi Agim Veliun nga posti i kryetarit të degës atje e në vend të tij e vendosi Ekrem Hysenin.

Ky inat u shpërfaq edhe nga fotografitë e publikuara nga dyshja. As njëri as tjetri nuk publikuan fotografi ku shiheshin bashkë apo në sfond.

Deputeti Veliu në prononcim për Insajderin, u shpreh i bindur se do t’i rikthehet legjitimiteti LDK-së pas zgjedhjeve të brendshme që do të mbahen atje.

Lidhja Demokratike e Kosovës në Llap nuk e meriton të udhëhiqet nga një dilitant politik dhe besoj shumë se në zgjedhjet e brendshme, që do t’i kemi në degën tonë, do t’ia rikthejmë legjitimitetin dhe fuqinë politike LDK-së në bastionin e saj“, tha ai për Insajderin.

Abdixhiku u injorua edhe nga ish-nënkryetarja

As tashmë ish-nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi nuk e përmendi kryetarin e partisë Lumir Abdixhikun. Në shkrimin e saj pas dorëheqjes së publikuar në Facebook, ajo falënderoi të gjithë përveç kryetarin.

Falënderoj nënkryetarët tjerë, anëtarët e Kryesisë si dhe gjithë strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës për mbështetjen. Poashtu, falënderoj familjen time dhe miqtë e shumtë pa përkrahjen e të cilëve ky rrugëtim, sado i shkurtër, do të ishte i pamundshëm”, shkruante ajo.

Të enjten e 16 marsit, Mjekiqi njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ajo tha se arsyeja që qoi në marrjen e këtij vendimi ishte mungesa e hapësirës për të kontribuar, derisa ka thënë se edhe përgjegjësitë dhe kompetencat i kishte të kufizuara në raport me pozitën që kishte.

Tutje, ajo shtoi se do të “vazhdoj të mbetem me gjithë qenien time në themelet e Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

Si e prezantoi Abdixhiku anëtarësimin e Mjekiqit në LDK?

Ishte marsi i vitit 2021, kur Shqipe Mjekiqi ishte bërë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryetari i kësaj të fundit, Lumir Abdixhiku, e kishe dhënë lajmin për anëtaren më të re, të partisë më të vjetër.

“Shqipe Mjekiqi, e doktoruar në fushën e shkencave politike në Trinity College në Dublin, nga sot do të jetë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, kishte zbuluar Abdixhiku, i cili tregonte me tej se ajo i ka përfunduara studimet bazike në Universitet të Prishtinës, ndërsa ka kryer studimet postdiplomike në London School of Economics (LSE) në Britani të Madhe, shkruan Gazeta Insajderi.

“Një ligjeruese univeristare; bashkëpunëtore e jashtëzakonshme, nënë e dy fëmijëve – Shqipja, nga sot, pasuron rradhët tona politike në aktivitetin e bollshëm që na pret përpara. Ajo mbetet motiv i aktivizimit politik për të rinjtë e të rejat e për profesionistët e vendit tonë. Mirë se vjen“, vazhdonte tutje shkrimi i prijësit të LDK-së, transmeton Gazeta Insajderi.

Momenti kur Shqipe Mjekiqi u anëtarësua në LDK

Me tu bërë pjesë e LDK-së, Abdixhiku ia besoi Mjekiqit edhe postin e nënkryetares.

Menjëherë pasi e kishte marrë postin e nënkryetares ajo thoshte se koha në të cilën po i bashkohej LDK-së nuk ishte më e mira, porse, sipas saj, ishte koha më e mirë për të kontribuar në rikthimin e partisë në piedestal.

Dje, me propozimin e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Lumir Abdixhiku, dhe me mbështetjen e Këshillit të Përgjithshëm jam zgjedhur Nënkryetare e partisë. Koha në të cilën unë po i bashkohem LDK-së nuk është më e mira për të. Në zgjedhjet e fundit LDK morri përqindjen me të ulët të votave që nga themelimi i saj para 30 vjetësh. E kuptoj që shumë prej jush ndjeheni të zemëruar me këtë rezultat”, shkruante ajo.

Më tej, Mjekiqi deklaronte se spektri politik në Kosovë ishte i mangët pa Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Por, është koha më e mirë për mua dhe shumë të tjerë të kontribuojmë në rikthimin e LDK-së në piedestal, aty ku e ka vendin. Spektri politik në Kosovë është i mangët pa Lidhjen Demokratike të Kosovës, për zhvillimin e së cilës punuan me shumë mund e sacrificë gjenerata të shumta nën udhëheqjen e Presidentit Ibrahim Rugova. Nëpërmjet përfaqësimit në LDK, nën udhëheqjen e Lumirit, unë do të mundohem t’i shërbej popullit dhe shtetit të Kosovës. Ju faleminderit për mbështetjen”, vazhdonte shkrimin ajo, transmeton Gazeta Insajderi.

Ndonëse për prurjen e Mjekiqit në LDK Abdixhiku kishte shkruar fjali të tëra, për largimin e saj nuk e ka thënë asnjë fjalë.

Prurjet e reja

Një grua u largua nga partia, por tri të tjera iu bashkuan Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të tria prurjet i prezantoi me pompozitet kryetari, Lumir Abdixhiku. Doarsa Kica-Xhelili, Jehona Lushaku e Shqipe Pantina. E së fundmi pjesë e LDK-së u bë edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Më e zëshmja ishte ajo e Doarsa Kica-Xhelilit, e cila votat për deputete i mori derisa po kandidonte me grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Por pakënaqësitë brenda partisë së Kurtit e Osmanit, bën që kjo e fundit të kaloi tek partia e Abdixhikut në vjeshtën e vitit të kaluar.

Sot, Lidhjes Demokratike të Kosovës, iu bashkua deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili. Si politikane aktive e profesioniste e shquar, ardhja e saj në LDK është vlerë. Për këtë jemi të lumtur të gjithë”, shkruante kreu i partisë në Facebook.

Me 22 dhjetor të 2022-ës, LDK-së iu bashkua edhe profesoresha universitare Jehona Lushaku. Ajo nuk ishte krejt e panjohur për publikun. Disa herë ishte pjesë e debateve televizive.

“Profesoresha Jehona Lushaku Sadriu nga sot është pjesë e LDK-së. Ajo i bashkohet familjes sonë politike në rrugëtimin e përbashkët që na pret përpara”, kishte shkruar Abdixhiku në Facebook.

Me fillimin e vitit të ri, kreu i LDK-së prezantoi edhe një ish-deputete të LVV-së si anëtare e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Fjala është për Shqipe Pantinën.

Shqipe Pantina nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo i bashkohet shtëpisë sonë politike si një profesioniste me përvojë të shquar në jetën publike”, shkruante ai.

Pantina duke u shprehur e kënaqur që i është bashkuar LDK-së, tregoi arsyet e rikthimit të saj në politikë.

Ajo u shpreh se angazhimi i saj në politikë “çdoherë ka pas synim gjetjen e zgjidhjeve për problemet me të cilat përballet vendi ynë, andaj edhe e kam pranuar ketë ftesë dhe kam vendosur të i kthehem sërish politikës aktive”.

Ndonëse, vazhdimisht mohonte zërat se do të jetë pjesë e një partie politike, me 22 shkurt të këtij viti Berat Rukiqi ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës zyrtarisht iu bashkua LDK-së.

Për prezantimin e tij u kujdes Abdixhiku.

Ligjëruesi universitar e doktoranti i ekonomisë Berat Rukiqi, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si ekonomist i dalluar e si aktivist i pandalshëm i angazhimit publik për një shoqëri të zhvilluar, Berati me gjithë bagazhin e tij intelektual e profesional do t’i japë vlerë projektit tonë politik”, shkruante Abdixhiku, transmeton Gazeta Insajderi.

Se Agim Veliut i ka ardhë “mërzi” për largimin e tij nga dega e Podujevës e prurjen e Ekrem Hysenit në krye dihet haptazi. Por ende zyrtarisht nuk është dhënë një përgjigje për largimin e nënkryetares. A ishte realisht arsyeja “mos dhënia e hapësirës” apo diçka tjetër.

/GazetaInsajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark