×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Drama e punësimit të një familjari – kush përfiton nga ideja e ‘vjedhur’ e Qeverisë Kurti?

    Insajderi
    19 July 2022 - 14:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi

    Është një kryetar komune, që nuk e ka pritur nismën e qeverisë për t’u ofruar njerëzve pune. Ka disa ditë që ai ka njoftuar se qyteti i tij mirëpret rreth 800 punëtorë, me pagë fillestare prej 350 euro.

     Kështu deklaroi prijësi i Suharekës, Bali Muharremaj.

    “Firmat e Suharekës, kompanitë kërkojnë punëtorë çdo ditë, është e vërtetë që nuk ka punëtorë, ndoshta në Suharekë mund të gjejnë vend punë 800 persona përnjëherë nëse donë të hyjnë në punë”, tha ai për Tëvë1, transmeton Gazeta Insajderi.

    “Nuk është krizë, unë mundem të them jo, se firmat e Suharekës lypin çdo ditë punëtorë… Minimumi mundem të them kështu, tash pata kontakt me kompaninë Solid para 10 ditësh dhe më njoftuan se të gjithë ata që kërkojnë punë nën 350 euro pagë nuk ka te ne, domethënë starti është 350”.

    50 euro më pak se kjo shumë i ka ofruar qeveria si subvencion për çdo qytetarë të Kosovës, i cili është mbajtës i një familjeje në të cilën nuk punon asnjë anëtar. Kjo do të ndodhë përmes skemës ‘Qeveria për Familjet’.

    “Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka hapur sot aplikimin për skemën ‘Qeveria për Familjet’ që synon punësimin afatgjatë të punëkërkuesve që nuk kanë asnjë anëtar të familjes të punësuar”, thuhet në njoftimin e djeshëm të ministrisë së Hekuran Muratit, lajm të cilin paraprakisht e dha kryeministri Albin Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Cilat janë kushtet për aplikim nga punëkërkuesit dhe punëdhënësit?

    Të gjithë ata që dëshirojnë të aplikojnë në këtë skemë duhet t’i përkasin moshës nga 18 deri ne 64 vjeç, të mos kenë asnjë anëtar të familjes të punësuar, dhe të jenë të jenë të regjistruar si të papunë/ punëkërkues në Agjencinë e Punësimit (APRK).

    Derisa bizneset që duan të ndihmojnë këtë skemë qeverie duhet të jenë të regjistruara dhe aktive në Administratën Tatimore të Kosovës, derisa OJQ-të duhet të jenë të regjistruara dhe aktive në Ministrinë e Punëve të Brendshme, shkruan Gazeta Insajderi.

    Cila do të jetë mënyra e subvencionimit?

    Qeveria e Kosovës do ta merr përsipër kompensimin e punëdhënësit me 70% të pagës bruto, që i bie maksumi të jetë 300 euro, për gjashtë muaj me radhë.

    Sipas njoftimi zyrtar personat e angazhuar përmes kësaj skeme nuk duhet të përbëjnë më shumë se 30% të stafit ekzistues të biznesit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas Qeverisë së Kosovës, kjo skemë vjen në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike.

    Kjo pako, me vlerë prej 420 milionë eurosh, është miratuar nga Qeveria e Kosovës vitin e kaluar, për t’i ndihmuar qytetarët dhe bizneset t’i adresojnë humbjet e pësuara nga pandemia e Koronavoirusit.

    Bilall Sherifi: Ideja e Qeverisë për punësimin e nga një anëtari për secilën familje të papunë është vjedhur nga ne

    Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka vjedhur idenë e partisë së tij për skemën “Qeveria për Familjen”.

    “Idenë e kanë vjedh fjalë për fjalë nga Nisma Socialdemokrate , por e kanë ndryshuar për të keq në disa aspekte. Për shembull, në vitin 2017, patëm propozuar që për secilën familje të papunë të punësohet një anëtar, dhe atë të paguhet për 1 vit të plotë më 100% të pagës. Madje biznesi detyrohej edhe pas një viti ta mbajë punëtorin në punë për 18 deri në 24 muaj”, ka thënë Sherifi për Gazetën Insajderi.

    Sipas Sherifit, kjo iniciativë e qeverisë është “joserioze”.

    “Derisa këta e kanë bërë të punësohet vetëm për 6 muaj, dhe të paguhet vetëm 70%, kjo është joserioze, pasi një punëtori do t’i duhen këta muaj vetëm të adaptohet me punën e re, dhe a dihet çfarë ndodh më pas me atë punëtor. Asnjë kompani serioze, nuk do të hynte në këtë proces, vetëm për 6 muaj”.

    Ai ka sqaruar se në atë kohë për këtë ide e kishin marrë si model Gjermaninë.

    “Shteti gjerman pati vepruar në atë mënyrë, sepse konsideronte që më shumë do ti kushtonte ta mbante një të papunë, sepse ai as nuk do të paguante taksa, dhe e në anën tjetër do të ishte barrë për shtetin”, tha tutje Sherifi për Gazetën Insajderi.

    Lideri i Nismës, Fatmir Limaj, në fushatën zgjedhore të viti 2017, kishte thënë se “nga këtu do të fillojmë zbutjen e kësaj pabarazie. Me neve ma asnjë familje në Kosovë nuk do të mbetet pa e pasur një pagë ose një anëtar të punësuar”.

    25 mijë familje në asistencë sociale

    Në Kosovë, asistencë sociale aktualisht marrin më shumë se 25 mijë familje.

    Shuma e rregullt që marrin ato, sillet nga 60 deri në 180 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.

    Të drejtën për asistencë sociale e ka familja në kushte më të rënda ekonomike, pa asnjë anëtar të punësuar.

    Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017 dhe, sipas tyre, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.

    Në skemën “Qeveria për familjet” mund të paraqiten edhe familjarë me asistencë sociale, por, në momentin e punësimit, ata do të hiqen automatikisht nga asistenca, ashtu siç e parasheh edhe Ligji i skemave sociale.

    Ministri Hekuran Murati si bartës i kësaj skeme, tha se “ajo do të zgjasë aq sa të jetë e nevojshme”.

    Shuma se sa do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës zbatimi i kësaj skeme, nuk u bë e qartë, dje në konferencën për media, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndryshe, sipas Agjencisë së Statistikave, papunësia në Kosovë është mbi 25 për qind.

    Të dhënat e fundit të ASK-së për tregun e punës tregojnë se nga mbi një milion qytetarë në moshë pune në Kosovë, mbi 350 mijë janë të punësuar, ndërsa mbi 120 mijë janë të papunë.

    Sipas ASK-së, rreth 750 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark