Drejtori i Prishtinës, Artan Osmani, ka treguar se sa shumë po i krijon probleme klubit kryeqytetas moslicencimi i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Ai nuk e di se si do t’ia bëjnë, pasi kanë një mori parash minus.
Telashet për futbollin e Kosovës nuk kanë të ndalur, anipse Agim Ademi, i cili po qëndron në krye të federatës pas një varg shkeljesh dhe veprimesh kontroverse (siç ishte rasti i votimit të Draft-Statutit të fundit), po vazhdon ta ushtrojë papërgjegjshmërisht funksionin e tij, duke i dëmtuar klubet kosovare me pengesat që po has shtëpia e futbollit.
Klubet po vuajnë shumë mungesën e licencimit të FFK-së nga MKRS, pasi kjo e fundit ka gjetur një mal parregullësish.
Artan Osmani, drejtori i klubit më të trofeshëm kosovar, në njërin prej emisioneve sportive tregoi se sa shumë është përkeqësuar gjendja financiare, pasi nuk mund të përfitojnë nga ligji i sponsorizimit, si rrjedhojë e mungesës së licencimit të FFK-së.
“Unë nuk po mundem ta realizoj të drejtën time të licencimit. Unë i kam 280 mijë euro minus prej fundit të dhjetorit deri më tani”, tha ai.
Sipas tij, Prishtina “mbi 600 mijë euro sponsorizim deri në muajin dhjetor”. Ai vijoi duke sqaruar edhe më tej të gjithë atë se çfarë po ndodh si derivat i kësaj papërgjegjësie groteske të federatës.
“Unë s’po mundem ta realizoj të drejtën time. S’po mundem t’i paguaj njerëzit. A është i pranueshëm Agim Ademi, a e kanë votuar 50 apo 60 është pak e rëndësishme për mua. Praktikisht nuk e di si do ta zhvillojmë lojën me katër shkurt nëse i zbatojmë rekomandimet e MKRS-së, që thotë se nuk keni të drejtë t’i përdorni objektet e komunës për aktivitete sportive”, tha ai për emisionin “Dueli Sportiv”.
Prishtina, ashtu sikurse edhe Drita e Trepça ’89, guxuan që ta kundërshtojnë kreun e federatës në Kuvendin e fundit që u mbajt, e ku u votua Draft-Statuti skandaloz, i cili ia mundëson Agim Ademit që të kandidojë për të parin e shtëpisë së futbollit të Kosovës edhe për tre mandate tjera. Votat e klubeve të sipërpërmendura ishte kundër.
Ndërkohë klubet vijojnë të kenë probleme çdoherë e më të mëdha – siç dëshmon rasti i Prishtinës, që, natyrisht, nuk është e vetmja që ndodhet në këtë situatë të palakmueshme.