×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Drejtorit të Ardian Gjinit iu ngrit aktakuzë për keqpërdorim të detyrës, flasin nga komuna: Kryetari mban besim të plotë për kolegët e tij

    Insajderi
    09 February 2024 - 19:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Themelore në Gjilan të mërkurën ka ngritur aktakuzë ndaj të katër personave nën dyshimin për veprat penale ’Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme’ dhe ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Në këtë aktakuzë i pandehur është edhe Drejtori Komunal për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Gjakovës, Gjevalin Nikollbibaj.

    Drejtori Nikollbibaj dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare, me qëllim të përfitimit pasuror“.

    Nga kabineti i kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini thanë për Insajderin se kryetari është takuar menjëherë me drejtorin Nikollbiba sapo ka marr vesh lajmin.

    Tutje, nga komuna thanë se kryetari Gjini do të marr masat pas vendimit përfundimtar, derisa shtuan se kryetari ka besim të plotë tek drejtorët e tij.

    Kryetari i Komunës së Gjakovës z. Ardian Gjini është informuar për rastin dhe menjëherë ka mbajtur takim të veçantë me drejtorin e Kadastrës z. Nikollbibaj. Drejtori e ka informuar se institucioni ka vepruar sipas ligjit edhe për këtë rast.Kryetari i Komunës do të përcjellë rastin dhe pas verdiktit përfundimtar cilidoqoftë ai, do veprojë konform ligjit dhe normave etike.Në ndërkohë Kryetari mban besim të plotë për kolegët e tij.”, tha shefja e kabinetit të Gjinit, Nita Efendia Brovina.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe drejtorin Nikollbibaj, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, njëri nga të dyshuarit G.P ka uzurpuar disa prona me të cilat administron Agjencia Kosovare e Privatizimit.

    I pandehuri G.P., që nga viti 2021, në mënyrë të kundërligjshme ka uzurpuar dy parcela kadastrale, njëra në sipërfaqe prej 14357 m² dhe tjetra në sipërfaqe prej 8859 m², pronë e Ndërmarrjes Shoqërore “Ereniku Prodhimtaria Primare” në Gjakovë, me të cilën administron Agjencia Kosovare e Privatizimit, ashtu që i pandehuri në vazhdimësi ka shfrytëzuar këto prona duke ndërtuar 3 objekte dhe duke vendosur një kontejner, pa ndonjë bazë të vlefshme juridike”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa tre të dyshuarit e tjerë si persona zyrtarë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

    Të pandehurit V.I. dhe M.SH., në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Komasacion nga Drejtoria për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Gjakovës, si dhe i pandehuri Gj.N., në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke qenë në dijeni se parcelat e sipërshënuara janë pronë e Ndërmarrjes Shoqërore “Ereniku Prodhimtaria Primare” në Gjakovë, me të cilën administron Agjencia Kosovare e Privatizimit, ashtu që i pandehuri V.I., i ka mundësuar palës A.N., bartjen e pronës në emër të tij, duke u bazuar në kërkesën e tij verbale”, thuhet tutje në njoftim./Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    20 May 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark