Sulmuesi i krahut, Drilon Hazrollaj është shpallur futbollisti më i mirë i xhiros së dytë në Superligës e Kosovës në futboll. Futbollisti i Malishevës e ka fituar çmimin “Ylli i Javës” pas vlerësimit të bërë nga një komision i veteranëve të futbollit, ka njoftuar FFK-ja të martën.
Hazrollaj shkëlqeu në fitoren e thellë të Malishevës 6:1 ndaj Fushë-Kosovës në kuadër të xhiros së dytë. Ai në këtë fitore kontribuoi me “hat-trick” dhe një asistim, duke u bërë lojtari i parë këtë edicion në Superligë që ka realizuar tre gola në një ndeshje.
“Çmimi ‘Ylli i javës’ është i pari për mua dhe sinqerisht jam shumë i lumtur. Kur shpërblehesh si më i miri i xhiros shtohet edhe motivi i punës. E kemi filluar kampionatin mbarë dhe uroj që të vazhdojmë këtë ecuri pozitive edhe në xhirot e ardhshme”, ka thënë Hazrollaj.
Pas dy xhirove të zhvilluara deri më tani në Superligë, skuadra e Malishevës prin në tabelë me gjashtë pikë të mbledhura. Në xhiron e tretë Malisheva do të përballet në udhëtim me Prishtinën. /koha/